Thirrja e seancës konstituive në Kosovë, reagon deputet i zgjedhur i PDK-së

1 Prill 2025, 21:11 / KOSOVA ALFA PRESS

Thirrja e seancës konstituive në Kosovë, reagon deputet i

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Më 15 prill, presidentja ka caktuar datën e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, plot 65 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Ish-kryetari Grupit Parlamentar të PDK-së, Tahiri thekson se “tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”.

Ai ka thënë se Kosova gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese.

“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje. Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj. Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurinë në shoqërinë tonë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka përmendur edhe sanksionet e Bashkimit Evropian që sipas tij, rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Në këto kushte, formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga ajo që kemi parë gjatë katër viteve të fundit është më se i domosdoshëm”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, “qytetarët e Kosovës kanë folur qartë me votën e tyre. Tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025, njofton Zyra e Presidencës, transmeton KosovaPress.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt dhe rezultatet nga KQZ-ja janë certifikuar javën e kaluar. Në bazë këtyre rezultateve, LVV ka dalë e para me 48 deputetë, PDK e dyta me 24 deputetë, LDK e treta me 20 deputetë dhe AAK-NISMA e katërta me 8 deputetë.



Po ndodh...