Vrasja e rreshterit Muhamed Lika në Kosovë! Kontrolle në disa banesa në Kaçanik

21 Prill 2025, 10:38 / KOSOVA ALFA PRESS
Vrasja e rreshterit Muhamed Lika në Kosovë! Kontrolle në disa

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kaçanikut, në kuadër të hetimeve që lidhen me vrasjen e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika.

Në këtë operacion, i cili është konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë në rajon kohët e fundit, kanë marrë pjesë njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Ata kanë vendosur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit, duke krijuar një perimetër të plotë sigurie dhe duke kryer bastisje të shënjestruara në disa lokacione.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, konfirmoi zyrtarisht se operacioni i sotëm është pjesë e hetimeve për zbardhjen e rastit të vrasjes së rreshterit Lika.

“Sot në orët e para të mëngjesit, Policia e Kosovës, përmes njësive përkatëse, ka ndërmarrë një operacion policor që ndërlidhet drejtpërdrejt me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të aksionit, pritet të jepen më shumë detaje,” tha Kelani.

Ndërkohë, hetuesit e krimeve të rënda janë ende në terren, duke vijuar me hetimet, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se të dhëna shtesë do të bëhen publike sapo të përfundojë operacioni.

Rreshteri Muhamed Lika u vra më 1 prill, rreth orës 23:00, në shkallët e ndërtesës ku banonte në rrugën “Idriz Seferi”, në momentin kur po kthehej nga puna.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, dy persona e kanë sulmuar dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Të dyshuarit ende nuk janë kapur, ndërsa motivet e vrasjes mbeten të panjohura. Organet e rendit dhe drejtësisë po punojnë me intensitet për të ndriçuar këtë rast të rëndë kriminal.

Po ndodh...

ide