ADN-ja, Mbretëresha e jetës që s’vdes kurrë!

19 Tetor 2022, 13:52 / AKTUALITET ALFA PRESS

ADN-ja, Mbretëresha e jetës që s’vdes kurrë!

Është supermolekula që e ”ka në dorë” fatin tonë. Ajo ”vendos” që ne të lindim njerëz e jo reptilë; ajo përcakton grupin e gjakut, predispozitat për t’u prekur nga sëmundjet, veçoritë e temperamentit, ashpërsinë e sjelljes apo butësine e komunikimit me të tjerët.

Shkurt, në vargjet e saj, ajo ka të shkruar- në mënyrë të kodifikuar- se si do të jemi ne.

Natyrisht, pa nënvlerësuar ndikimet e shumëllojshme mjedisore.

Si fillim, duhet thënë se ADN-ja është nj akronim, pra një shkurtore, e formuar nga tre shkronja, secila prej të cilave paraqet një fjalë, ose një pjesë të emrit.

Emërtimi i plotë i saj është Acidi De(z)oksiriboNukleik.

ADN-ja, Mbretëresha e jetës që s’vdes kurrë!

Përbëhet nga dy vargje, të gërshetuar me njëri- tjetrin, në formën e një heliksi të dyfishtë dhe është përshkruar për herë të parë nga Kriku (Francis Crick) dhe Uatsoni (James Watson), në vitin 1953.

ADN-ja është e pranishme në çdo organizëm, përjashtuar një pjesë të viruseve, të cilët kanë vetëm ARN, (si p.sh, virusi SARS-CoV-2).

Te njerëzit, ashtu si dhe te gjitarët, ADN-ja, gjendet në çdo qelizë, përveç rruazave të kuqe të gjakut, të rritura.

ADN-ja gjendet kryesisht në bërthamë dhe vetëm pak jashtë saj (në mitokondri).

Brenda bërthamës, ajo paketohet- me anë të proteinave speciale, histoneve- në formën e kromozomeve: për të zënë minimumin e mundshëm të vëllimit.

Gjatësia e ADN-së një qelize të vetme mbërrin deri në dy metra, ndaj, që ajo të mund të “jetojë” brenda nje “shtëpie”, (bërthama), me diametër vetëm 10- 20 mikrometra, duhet të përkulet, lakohet, paloset e mblidhet sa s’ka ku të shkojë më tepër.

Në bërthamën e çdo qelize të secilit prej nesh, si rregull, gjenden 46 kromozome, 23 nga të cilët i kemi dhuratë nga nëna dhe 23 të tjerët nga babai.

Nëse ky numër ndryshon, për shkak të gabimeve gjatë ndarjes qelizore- mutacioneve- atëherë shfaqen sindroma, si ajo Doën (kur shtohet një kromozom në çiftin 21), Turner (kur mungon një kromozom X në çiftin 23) etj.

Nëse do t’i lidhnim njëra pas tjetrës fijet e ADN-se, do të na përftohej një gjatësi astronimike: 107 miliardë km!

Metaforikisht, puna që bën ADN-ja, tregohet me anë të shprehjeve: “kodi i jetës”, “libri i jetës”, “softëare i trupit”, “projekti i organizmit”, etj.

ADN-ja, Mbretëresha e jetës që s’vdes kurrë!

Ajo ruan informacionin gjenetik të individit, informacion që përbëhet nga tërësia e instruksioneve që shërbejnë për sintezën e proteinave të caktuara: në kohën, në vendin e në sasinë e duhur!

Proteinat janë ato që përgjigjen për formën, strukturën dhe funksionimin e qelizave, indeve e organeve.

Gjeni është sekuenca e ADN-së që përgjigjet për sintezën e një proteine.

Gjithashtu, ADN-ja, përmes dyfishimit, ruan në kohë, identitetin gjenetik të individit dhe llojit.

Para dëshifrimit të gjenomes njerëzore, pritej të kishim rreth 100 mijë gjene, ndërsa në fakt kemi rreth 20-22 mijë.

Gjenet kodues, pra ata që e përkthejnë informacionin e tyre në një varg proteinik, përbëjnë vetëm 2% të ADN-së sonë.

Pjesa tjetër merr pjesë në rregullimin e shprehjes së gjeneve.

Jo e gjithë ADN-ja është mirëfilli njerëzore: rreth 8% e saj është me origjine virusale. Domethënë, përgjatë “bashkëjetesës” miliona vjeçare, viruset na kanë “dhuruar” sekuenca të ADN-së të tyre.

Sipas shumë shkencëtarëve, pjesa virusale e ADN-së sonë na mbron nga disa sëmundje, por rrit edhe rrezikun e infektimit nga të tjera sëmundje.

Gjithashtu, sekuencat e gjata të përsëritura dhe jokodifikuese që gjenden me shumicë në ADN-në tonë, mund ta kenë origjinen po nga viruset.

Me të drejtë, bëhet pyetja: a është e mundur që virusi i mnershëm SARS-Cov-2, ta shkrijë materialin e tij gjenetik (ARN-në) me gjenomën tonë?

ADN-ja, Mbretëresha e jetës që s’vdes kurrë!

Duke u nisur nga natyra e virusit, përgjigja e shumicës së kërkuesve është ”jo”!

Ndërsa, kur pyetet per vaksinën me mARN, përgjigjja është e qarte, e prerë dhe unanime: nuk ekziston asnjë lloj mekanizmi i ndërveprimit të mARN-së së vaksinës me ADN-në ton.

Gjenoma jonë përbëhet prej rreshtimit të mirërenditur të njësive bazë, që quhen nukleotide. Vargu që formohet, (gati 2 m), përmban 3.2 miliardë ”rruaza“, të katër tipeve: adeninë, timinë, guaninë e citozinë.

Te secili prej nesh, 99.9% e renditjes së “rruazave” është e njëjtë. Fraksioni prej 0.1% është i ndryshëm dhe është përgjegjës për ndryshimet tona individuale.

Ngjashmëri të mëdha kemi edhe me kushërinjtë tanë, majmunët: 98.8% e ADN-së sonë është e njëjtë me shimpanzene dhe bonobon.

ADN-ja, Mbretëresha e jetës që s’vdes kurrë!

Pranohet “pa vërtetim” se ADN-ja e binjakëve të një veze (monozigotikë) është identike. A është absolutisht e vërtetë? Jo! Sepse mund të ndodhë që gjatë fazave të para të zhvillimit embrional, te njëri ose te të dy, mund të lindin mutacione spontane. Llogaritet se ADN- ja e binjakëve identikë ndryshon me 5.2 mutacione, mesatarisht.

Sot është e mundur të lexohet një fragment, ose e gjithë gjenoma e një organizmi.

Kur u deshifrua për herë të parë, u deshën 10 vjet dhe 3 miliardë dollarë, ndërsa sot mjaftojnë pak ditë dhe disa mijë dollarë!

Po përse na duhet ta lexojmë ADN-në: tonën e të llojeve të tjera?

1. Për të diagnostikuar një sëmundje të mundshme gjenetike.

2. Për të përcaktuar atësine e dyshimtë.

3. Për të gjetur rrënjet tona: zonat e botës prej nga kanë ardhur të parët tanë.

4. Për t’u informuar për historinë evolutive të llojit tonë- Homo sapiens.

5. Për të qartësuar largësitë gjenetike midis H. sapiensit e Hominideve të tjerë.

6. Për të gjetur autorin e një krimi.

7. Për të zbuluar falsifikimet ushqimore. Në treg, ndodh shpesh që shitet sapuni për djathë: me çmimin e një peshku të rrallë, shitet një peshk dosido; me çmimin e një erëze të shtrenjtë, shiten përzierje të erëzave të zakonshme.

Kur mosmarrëveshjet përfundojnë në gjykatë, analiza e një fragmenti ADN-je jep përgjigjen shkencore e përfundimtare./Përgatiti Selim Kurti

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128