Atdhetarë të lënë në haresë që duhen kujtuar - Xhevat KORÇA (1893-1949)

7 Gusht 2022, 10:45 / AKTUALITET NGA KLODI STRALLA

Atdhetarë të lënë në haresë që duhen kujtuar

Në 15 dhjetor 1918 një grup studentësh të Universitetit të Vjenës, midis të cilëve edhe studenti 25 vjeçar Xhevat Korca, i dërgojnë një Peticion presidentit amerikan Udrou Willson, në prag të hapjes të Konferencës të Paqes në Paris, ku shteti shqiptar rrezikonte të coptohej nga fqinjët e tij grabitqarë. Mund të gjykoni vetë se çfarë pjekurie politike dhe dashurie për atdheun kishin këta të rinj dhe le t’i krahasojmë ata me shumë nga të rinjtë e sotëm, bashkëmoshatarë të tyre.

«Sot, kur fati i botës varet kaq shumë prej Jush, kur çdo e vetme minutë e z. Suaj do të jetë e zënë me çështjet e të ardhmes, natyrisht do të duket guxim i pafalshëm që një grusht studentësh të një kombi jo shumë të dëgjuar të ju luten për një të katërtën e orës Tuaj shumë të çmuar… Duket se jemi krejt të harruar, sikur i përkasim historisë së vjetër. Pak mund të jemi, por megjithatë kemi vendosur dhe kemi bërë be të bëjmë në çfarëdo lloj kushti çfarë të na vijë për dore për vendin tonë të dashur. Ai është gjithë çfarë kemi, i tëri që duam të kemi dhe që e lëmë jetën tonë me gëzim. Si më i madhi idealist i shekullit do të jetë shumë e lehtë për Ju, fort i ndershmi Zotëri, të çmoni drejtësisht qëllimin e ambicionit tonë, ai është ideali ynë…. duke qenë se historia e jonë na la në mesjetë, në errësirë të plotë, politikanët serbë e grekë gjetën rastin të mohojnë të drejtën tonë për një jetë politike. Këta shkuan kaq larg sa të mos shohin qënien gjeografike dhe etnografike tonën, ata besuan se Europa Perëndimore dhe Amerika duhej të lexonin punët e ngatërruara të Ballkanit vetëm mbas shkrimeve të tyre edhe të shohin vetëm me sytë serbë e grekë… Por fatmirësisht politikanë të mëdhenj që kanë ardhur në kontakt me Shqipërinë janë bërë mbrojtësit më të fuqishëm të çështjes tonë, sepse kanë parë të vërtetën dhe padrejtësinë që bëhet kundra nesh. Midis tyre në radhën e parë është z. Gjergj Fred Uilliams, ish-ministër i SHBA në Athinë, i cili dha dorëheqjen më 1913 për të protestuar kundër përdorimit të keq të Shqipërisë prej Fuqive të Mëdha të Europës… Zoti President! Në qoftë se në vendimin e paqes një komb lihet i pambrojtur dhe përdoret kaq mizorisht, a mundet vallë në atë anë të botës të sigurohet paqja? Shqipëria, sikundër Konferenca e Londrës ja përcaktoi kufijtë, kurrë s'mundej të jetonte, ajo kishte farën e vdekjes në gjak qysh në lindjen e saj…». Letra mbyllej me fjalët: «Zotëri, ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar të merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj».

PS : Xhevat Korca, u lind në Korçë më 1893. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe mandej vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Vjenës. Në përfundim të studimeve në 1922 dërgohet në Shkodër ku themelon gjimnazin klasik të atij qyteti. Pjesëmarrës në Lëvizjen e Nolit të 1924-ës, me ardhjen e Zogut në fuqi, emigron jashtë vendit, fillimisht në Jugosllavi dhe më vonë në Austri. Në fillim të vitit 1940 rikthehet në Shqipëri dhe pranon detyrën e anëtarit të Këshillit të Shtetit nën pushtimin fashist dhe në vitin 1942 bën pjesë si antar kabineti nën qeverisjen Merlika. Në prill të vitit 1945 Xh. Korça del para gjyqit special, të kryesuar prej Bedri Spahiut dhe Koçi Xoxes, ku akuzohet si tradhtar dhe si i shitun ndaj Italisë fashiste. Dënimi fillestar me vdekje i kthehet në burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Burelit në 1949. Përveç kontributit të tij politik ai ka një publicistikë dhe bibliografi të pasur që ende nuk është njohur dhe studiuar me vëmendjen që meriton.

 

Po ndodh...