Galilei i Mikrobotës të gjallë – Anton van Levenhuk (1632-1723)

Ashtu si Galilei hodhi vështrimin e tij drejt qiellit (makrobotës) dhe zbuloi mijra e mijra yje të padukshëm me sy të lirë, falë dylbisë (teleskopit) që posa ishte shpikur në Holandë, një tjetër vrojtues, po aq i pasionuar, disa vite pas tij, holandezi Anton van Levenhuk, hodhi vështrimin në thellësi (mikrobotë) dhe zbuloi aty një botë krejt të panjohur më parë, prej mijra qeniesh të gjalla, pambarimisht të vogla, falë të njëjtit instrument – mikroskopit.
Me plot të drejtë, sot, këto zbulime krahasohen me zbulimin e një kontinenti të ri, por, ndonëse Galilei ishte i njohur qysh në kohën e tij, Levenhuku dhe zbulimet e tij mbetën në hije dhe u kuptuan shumë vite më vonë. Një rast që ka ndodhur edhe herë tjetër në shkencë!
Anton von Levenhuk lindi në Holandë në 1632. I ati e la të vogël dhe djaloshi i ri u detyrua të punojë për vite të tëra si shegert tek një zotëri. Shkollën e braktisi herët por jo edhe dëshirën për të vrojtuar, që natyra ia kish falur me bujari. Kish pasion thjerrëzat (lentet) që posa ishin zbuluar dhe dëshironte të shihte me to ‘gjerat’ e vogla, ato që nuk mund të shiheshin me sy të lirë. Mësoi se si prodhoheshin dhe filloi t’i prodhojë edhe vetë, natyrisht duke i përsosur. Ndërtoi kështu mikroskopin e parë dhe për njëzet vite rresht vrojtoi në vetmi, nga këmba e një blete deri tek ajo e një morri.
Ata që e kanë njohur Levenhukun thoshin se ai kishte maninë e vrojtimit. Ai i përkiste atij takëmi njerëzish seriozë që nuk binden lehtë pa i parë gjërat me syrin e tyre, jo njëherë por disa herë, para se të bëjnë një konkluzion për ato që vrojtojnë. Motoja e jetës të tij ishte: - “Duhet të besojmë vetëm ato që kemi parë me sytë tona dhe kemi peshuar me peshoret tona”.
Në kujtimet e veta vajza e tij Maria tregon se, kur ishte 11 vjeç, i ati e pat ftuar të shihte në mikroskopin e tij: - “Shpejt! Eja këtu! Atje, në atë piklën e pastër të ujit ka disa kafshë të vogla! Pa shih, edhe notojnë! Edhe sillen andej e këndej! Dhe janë mijëra herë më të vogla se çdo qenie tjetër që mund të shihet me sy të lirë! Shiko, se çfarë kam zbuluar!”. Kjo ishte “Eureka!” e tij.
Kështu filloi historia e zbulimit të kësaj bote të re fantastike – mikrobeve, këtyre qenieve të gjalla mikroskopike. Ato ishin mes nesh prej mijëra vjetësh; disa syresh kishin shfarosur miliona jetë njerëzish, shumë më tepër se kuçedrat e përrallave, pa kursyer askënd, fëmijë djepi apo të rinj të shëndetshëm; disa të tjera, që u zbuluan më vonë, ishin të dobishme, jetonin brenda trupit të njeriut, pa praninë e të cilave do të ish e pamundur jeta njerëzore. Ja, këtë botë e pa për herë të parë Levenhuku!
Do të kalonin 150 vjet dhe Mikrobiologjia do të ngrihej në rangun e një shkence të vërtete e të dobishme. Njëri pas tjetrit, Spalancani, Pastëri, Kohu, Beringu, Smiti, Brësi, Grasi, Ridi, Erlihu etj, do të studionin mikrobet, këto mikroorganizma që shkaktonin tërbimin, malarjen, fruthin, tuberkulozin, duke përbysur botkuptimin e deri atëhershëm fetar që i shihte këto epidemi vdekjeprurëse si ndëshkime nga Zoti për mëkatet e njerëzve. E në këtë rrugëtim të gjatë, të mundimshëm dhe me rrezik jete, pa dyshim në ballë qëndron - Anton van Levenhuku. /Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
