Misteri i financimit të xhihadistëve/ A ka në Shqipëri?
Shumat e pagesave që kanë bërë të dyshuarit për rekrutues të xhihadistëve janë të vogla, ndërsa burimi i financimeve të radikalizmit dhe udhëtimit të shqiptarëve drejt Sirisë mbetet i paqartë edhe sot pas shumë vitesh.
Në hollin e aeroportit të Rinasit në Tiranë, një burrë rreth të 50-ave është filmuar teksa u mësonte tre djemve të rinj se si duhej të silleshin, pasi të hipnin për herë të parë në një avion. Ishte 2 janari i vitit 2014 dhe me gjithë ritmin e ngadaltë në terminal në kohë festash, policia shqiptare arriti të ndalonte të rinjtë që po niseshin drejt Sirisë.
Në xhepin e njërit prej tyre u gjet një letër e shkruar me dorë: “Tiranë-Stamboll-Gaziantep-Kilis. 750 dollarët janë për familjen e Ebu Amar”.
Shënimi i parë tregonte rrugën që duhej të ndiqnin tre të rinjtë që po niseshin të luftonin me grupet militante islamike në Siri. Ndërsa paratë ishin kontributi i “vëllezërve myslimanë” në Tiranë për gruan që sapo kishte mbetur e ve dhe fëmijët jetimë të Diamant Rashës, të cilët ndodhen edhe sot e kësaj dite në kampet e luftës në Siri.
Ebu Amari ishte emri fetar i Rashës, një shpërndarës picash në Tiranë që u vra më 28 dhjetor 2013 në Siri duke luftuar për ISIS, ose siç njihet tani Sheti Islamik.
Ndjekja e gjurmëve të parave dhe zbulimi i burimit të financimit të shqiptarëve që shkuan për xhihad përgjatë viteve 2012-2014 në Siri ka qenë sfida më e vështirë e hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj grupit prej 13 të arrestuarve në fillim të marsit në Shqipëri.
Dokumentet e hetimit, të siguruara nga BIRN tregojnë se mes 90 shqiptarëve që udhëtuan drejt Sirisë në dy vitet e fundit janë bërë një seri pagesash të vogla për shpenzime, por burimi i këtyre parave mbetet i paqartë.
Pagesat e identifikuara nga hetimi shkonin për blerjen e biletave të avionit apo shlyerjen e borxheve që xhihadistët kishin në shtëpi, para se të niseshin për luftë.
Nga 13 personat e akuzuar për rekrutimin e shqiptarëve në luftën e Sirisë, katër akuzohen për financimin e xhihadit. Sipas hetimit të Prokurorisë, propaganda fetare për shpërblim në jetën e përtejme ka qenë nxitja kryesore për xhihadistëve shqiptarë, të cilët iu bashkuan al-Qaeda-s dhe ISIS-it.
Hetimi i rrjetit financiar të xhihadistëve
Në mesin e Janarit 2014, policia turke bllokoi zyrat e organizatës Humanitarian Relief Foundation (IHH) në Stamboll, Gaziantep, Kilis dhe disa lokalitete të tjera, me dyshimin se kjo organizatë ndihmonte financiarisht xhihadistët e huaj. Autoritetet siriane e akuzuan IHH se kishte financuar rekrutimin e qindra shqiptarëve për të luftuar kundër regjimit të Bashar al-Assadit, përcjell reporter.al.
Megjithatë, hetimi i Prokurorisë shqiptare nuk ka zbuluar asnjë transfertë që mund të lidhte këtë organizatë apo të tjera të huaja në financimin e rrjetit të drejtuar nga imamët Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Hetuesit kanë verifikuar të gjitha bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe kanë zbuluar se dy imamët kishin marrë shuma të konsiderueshme parash nga individë turq, por jo nga organizata të huaja.
Fluksi i transfertave bankare ka qenë më i madh deri në vitin 2010, kohë në të cilën Prokuroria ka zbuluar disa dërgesa nga 3 mijë deri më 5 mijë euro për llogari të Genci Ballës dhe Bujar Hysës. Transfertat ishin shënuar si donacione për xhamitë, ndërsa nuk është identifikuar se kush qëndron pas këtyre individëve “bamirës” në Turqi.
Pas fillimit të konfliktit në Siri, dërgesat e parave drejt Shqipërisë ishin modeste dhe të rralla. Një burim i Prokurorisë i tha BIRN se ato kapnin shifra jo më të larta se 200-300 euro. Të akuzuarit janë marrë në pyetje në lidhje me këto para dhe kanë deklaruar se ishin ndihma për xhamitë që drejtonin në periferi të Tiranës.
“Në asnjë rast nuk kemi mundur të provojmë se dy imamët merrnin para nga ndonjë organizatë e huaj, turke apo nga vendet e Lindjes së Mesme,” i tha burimi BIRN-it.
Përtej tranfertave bankare, prokurorët kanë hetuar dhe lëvizjet që dy imamët, të konsideruar si drejtues të rrjetit të rekrutimeve në Shqipëri, kanë pasur në Kosovë gjatë viteve 2012-2014. Koha përkon me shtimin e numrit të shqiptarëve që iu bashkuan frontit Al Nusra apo militantëve të ISIS, ndërsa ka dyshime se paratë vinin në rrugë ilegale nga Kosova.
Megjithatë, një pandehmë e tillë është e vështirë për t’u provuar ligjërisht.
Në dokumentet e hetimit dhe përgjimet e kryera nga autoritetet shqiptare, nevoja për para në kampet e luftës në Siri del shpesh në skenë. Por imami Bujar Hysa kujdesej më së shumti që t’u dërgonte para nga Shqipëria familjarëve të të vrarëve.
Njësoj si në rastin e Diamant Rashës, paratë dërgoheshin dorazi, përmes njerëzve të rinj që shkonin drejt frontit të luftës.
Në një telefonatë të përgjuar më 27 tetor 2013, një xhihadist i sapombërritur në Siri pyeste imamin se si duhej t’i ndante paratë që ai i kishte dhënë me vete. “Janë 200 për Ebu Enes dhe 100 për Hasan Korvafaj,” i përgjigjej Bujar Hysa nga Tirana.
Ebu Enes ishte Hamit Myslija, i vrarë pak ditë para regjistrimit të kësaj bisede në Siri. Hasan Korvafaj ishte ende gjallë, por do të humbte jetën vetëm pak javë më vonë në fushën e betejës.
Biletat pa kthim drejt luftës
Edhe pse në Siri jetonin thjeshtë, xhihadistëve shqiptarë u nevojiteshin para për të mbërritur atje. Biletat e avionit drejt frontit, pagesat për armët apo shpenzimet për familjet kapnin shifrat e disa mijëra dollarëve. Por të arrestuarit si rekrutues nuk e përballonin këtë faturë të vetëm.
Në intervistat e realizuara nga BIRN dhe dokumentet e hetimit rezulton se barra financiare ndahej mes imamëve dhe ndjekësve të tyre, të cilët besonin se të financosh një luftëtar është njësoj si të kesh bërë vetë sakrificën e xhihadit.
Përmes kësaj teorie, shumë xhihadistë shqiptarë u kthyen njëherazi edhe financues për të tjerët, duke u blerë biletat apo paguar “zekat” për luftën. Njëri prej tyre, Shkëlzen Dumani, që vdiq gjatë një sulmi me armë më 5 nëntor të këtij viti rezulton të ketë shitur shtëpinë dhe një pjesë të parave t’i investonte për xhihadin.
Pasi kishte blerë biletat e dy të rinjve që do të udhëtonin me të drejt Sirisë, Dumani la edhe një shumë tjetër parash tek Bujar Hysa para se të vritej.
“500 euro i kam lënë tek Abdyl Aziz që t’i sjellë tek ti. Ato janë për Nisin nga Elbasani, nëse vjen me bileta të prera. Ndryshe, nisi andej nga ka nevojë për to,’ shkruante në një mesazh telefonik të përgjuar Dumani.
Përveç biletave, një tjetër shqetësim ishte kosto e jetesës në kampet e luftës. Edhe pse shqiptarët e kishin fjetjen dhe ushqimin të siguruar, ata kishin sërish nevojë për para shtesë.
Ata që e kishin ndarë mendjen për të qëndruar në Siri kërkonin shitjen e shpejtë të pasurisë së tyre në Shqipëri, ndërsa të tjerët ia dilnin me aq sa u ofronin në Siri. Kjo asistencë shkonte në 150 dollarë në muaj, për të shpërngulurit dhe familjet e tyre.
“Këtej nuk mungon asgjë, janë të gjitha. Ne që jemi familjarë na japin 150 USD në muaj,” shkruante gruaja e një xhihadisti, ndërsa ishte në nxitim e sipër për të falur vaktin e mbrëmjes.
Ndryshe nga mesazhi i gruas, një xhihadist i kthyer në Shqipëri i tha BIRN që kushtet në Siri ishin shumë të vështira.
“Kishte pak ushqim e kemi ndenjur edhe një muaj pa bërë dush, se ishte shumë ftohtë. Por ne na kishte bashkuar feja e kemi ndarë deri edhe kafshatën me njëri-tjetrin,” tha ai./ Alfapress.al
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128