'Robert College' amerikan i Stambollit dhe shqiptarët

22 Maj 2022, 10:24 / AKTUALITET ALFA PRESS

'Robert College' amerikan i Stambollit dhe shqiptarët

Në këtë status modest dua t'u tregoj për një shkollë me emër që funksiononte në Stamboll në kohën e Perandorisë Osmane, shkollë prej të cilës përfituan edhe shumë shqiptarë të dy besimeve. Ky ishte "Robert College" amerikan i Stambollit.

U themelua në 22 maj 1863 nga Christopher Robert, një misionar filantrop amerikan i besimit protestant. E filloi me 6 profesorë dhe 4 nxënës, në një godinë të vogël, në lagjen Anadoll Hissar të Stambollit dhe shumë shpejt, mbas 5 viteve, ai numëronte mbi 300 nxënës, që tashmë studionin në një godinë dinjitoze për një kryeqytet perandorak.

Nuk dua të ndalem në kontributin e tij në formimin e elitave kombëtare të popujve të shtypur të Ballkanit, veçanërisht bullgarëve, por do të cek fare shkurt shqiptarët që mbaruan këtë shkollë dhe ndihmesa që dhanë ata në shtetin e pasa krijuar shqiptar.

Si strukturë "Robert College" kishte 3 degë: Dega klasike, që të paiste me "Bachelor of arts", Dega Teknike e Shkencore, me "Bachelor of sciences" dhe Dega Tregtare me "Bachelor of comers". Mësimet zhvilloheshin në anglisht dhe si gjuhë të dyta ishin frëngjishtja dhe gjermanishtja. Krahas lëndëve të përgjithshme si historia, gjeografia, logjika, filozofia, matematika, zhvilloheshin edhe lëndë speciale, sipas tre profileve të lartpërmendura. Të gjithë ata që mbaruan këtë Kolegj vazhduan ciklin universitar në universitetet më të njohura të Europës dhe Amerikës.

Janë evidentuar rreth 70 studentë shqiptarë që kanë përfunduar me sukses këtë shkollë. Ja disa prej tyre që u shquan edhe si personalitete në shtetin e ri shqiptar:

Fuad Asllani, diplomat dhe ministër i jashtëm (1935); Sokrat Dodbiba, ekonomist dhe ministër i financave (1936-1943); Jakov Deljana, ekonomist dhe funksionar i lartë i shtetit; Xhafer Deva, inxhinier elektronik dhe ministër i brendshëm në kohën e okupimit gjerman, për të vazhduar me më të rinjtë si Stavri Skendi, historian, profesor në Harvard, Abdyl Sharra, inxhinieri i talentuar i tharjes të kënetës të Maliqit, i varur në litar nga komunistet si sabotator, Vasil Andoni, studiuar në Francë për pedagogji e psikologji, një ndër themeluesit e Ballit Kombëtar, Riza Alizoti, krenaria e inxhinierisë nxjerrëse të naftës, pushkatuar nga regjimi komunist; korçaret Anastas Pilika, inxhinier ndërtimi dhe juristi i talentuar Thimaq Ballauri; Ali Cungu, pedagog i shquar, arrestuar dhe dënuar në burgjet komuniste; Rexhep Jella, studiuar për ekonomi në Kembrixh, deputet, prefekt në shumë qytete gjatë regjimit monarkik, i burgosur politik; Skënder Luarasi, historian, përkthyes dhe kritik letrar i njohur, e shumë e shumë të tjerë. Pjesa dërrmuese e tyre ose u largua jashtë vendit ose vuajti burgjet komuniste.

Çfarë fatkeqësie për këtë komb që ka vetëflijuar elitën e vet! Këtu duhet t'i kërkojmë, rrënjët e degradimit të sotëm moral dhe prej këtu duhet ta fillojmë ndërtimin e së ardhmes në se nuk dëshirojmë të asgjësohemi në rrjedhat e kohës.

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress

Po ndodh...