Udhëtimi i çuditshëm pas vdekjes i trurit të Ajnshtajnit

11 Mars 2023, 15:16 / AKTUALITET ALFA PRESS

Udhëtimi i çuditshëm pas vdekjes i trurit të Ajnshtajnit

Albert Einstein, i shpallur si një nga shkenctarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, vdiq më 18 prill 1955, si rezultat i një aneurizmi fatal, në Princeton, Nju Xhersi. 

Pavarësisht nga dëshirat e Ajnshtajnit për të djegur të gjithë trupin e tij, mjeku që kreu autopsinë e tij, Thomas Harvey, kishte plane të tjera - ai e mbajti trurin mënjanë. 

Pasi kjo u zbulua nga djali i Ajnshtajnit, Hans Albert, Dr. Harvey e bindi Hans Albertin që ta lejonte atë të mbante trurin në mënyrë që të hetonte shkaqet e mundshme biologjike për shkëlqimin e Ajnshtajnit. 

Kështu, një patolog, pa përvojë të veçantë neuroshkencë, arriti të zotëronte trurin shumë të lakmuar. Ky ishte vetëm fillimi i aventurës së çuditshme të trurit të Ajshtanit.

Menjëherë pasi pretendoi trurin e Ajnshtajnit, Dr. Harvey humbi punën në Spitalin Princeton, ku me sa duket kishte ndërmend të kryente kërkimin e tij. 

Nga Princeton, me trurin e Ajnshtajnit, Harvey udhëtoi për në Filadelfia dhe rreth Midwest, duke përfshirë Kansasin dhe Misurin. 

Periodikisht, ai dërgonte ose u jepte pjesë të trurit shkencëtarëve për të studiuar, por në pjesën më të madhe truri mbahej i fshehur nga bota në kavanoza në bodrumin e tij. 

Megjithatë, pavarësisht premtimeve të përsëritura nga Harvey, asnjë studim nuk u botua mbi trurin e Ajnshtajnit deri në vitin 1985, 30 vjet pas vdekjes së Ajnshtajnit, kur një neuroshkencëtar nga UCLA, i cili kishte marrë seksione nga Harvey, botoi studimin e pare.

Në vitet 1990, Harvey u rikthye në Princeton, ku ia dhuroi pjesën e mbetur të trurit një patologu në Qendrën Mjekësore Universitare të Princetonit (ish Spitali Princeton) në Plainsboro, Nju Xhersi. 

Gjatë 40 viteve, truri kishte udhëtuar nëpër Shtetet e Bashkuara dhe pjesët ishin dërguar jashtë shtetit, por tani ai është kthyer në të njëjtin spital ku Ajnshtajni vdiq mbi 50 vjet më parë. 

Edhe pse Harvey mbajti një pjesë të madhe të trurit vetë dhe me kalimin e viteve shumë shkencëtarë ose familjet e tyre i kthyen pjesët që kishin, truri i Ajnshtajnit nuk e ka përfunduar ende rrugëtimin e tij. 

Ka të ngjarë që disa pjesë të jenë ende të fshehura si kujtime familjare, dhe disa pjesë janë të ekspozuara në Muzeun Mütter në Filadelfia.

Qëllimi i supozuar i Harvey-t për studimin e trurit ishte të ndriçonte çdo dallim të mundshëm biologjik midis trurit të një gjeniu si Ajnshtajni dhe trurit të njerëzve laikë. 

Pra, a ka ndonjë gjë në trurin e Albert Ajnshtajnit që mund të shpjegojë pse ai ishte një gjeni?  Disa studime janë përpjekur të argumentojnë se ekziston. 

Një studim u botua në vitin 2012 i cili sugjeroi se ka aspekte të trurit të Ajnshtajnit që janë të ndryshme nga truri mesatar, të tilla si një brazdë shtesë në lobin e tij ballor, pjesa e trurit që lidhet me kujtesën dhe planifikimin, ndër të tjera. 

Megjithatë, pavarësisht nga këto dallime fiziologjike, është e paqartë se çfarë saktësisht e bëri Ajnshtajnin kaq të shkëlqyer. 

Truri i qindra gjenive të tjerë gjithashtu duhet të studiohet në mënyrë që të kufizohen variablat e mundshëm. 

Forma e trurit ndryshon nga personi në person, kështu që ndryshimet e gjetura në trurin e Ajnshtajnit mund të kenë qenë thjesht ndryshueshmëri rutinë.  Deri më tani, asnjë nga studimet e ndryshme të publikuara nuk e ka trajtuar këtë faktor kyç. 

Fatkeqësisht,  truri i Ajnshtajnit nuk ka çuar në ndonjë zbulim të thellë rreth asaj që mund ta bëjë një person të predispozuar për inteligjencë./Alfapress.al