Ura e Zogut

26 Maj 2022, 09:50 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ura e Zogut

Kujt nuk i ka bërë përshtypje, kur udhëton në “Rrugën e Kombit” për gjatë lumit Mat, ura madhështore me harqe, që koha e pagëzoi me emrin e Mbretit Zog. Ajo u përurua si sot 95 vjet më pare, ne 26 maj 1927. U projektua nga inxhinieri zviceran, 30-vjeçari Erwin Schnitter dhe ishte investimi më i madh publik i Ministrisë të punëve botore të drejtuar nga ish studenti i “Robert College” të Stambollit - Musa Juka.

Ura, siç e shihni edhe në foto, është rreth 500 m e gjatë, e ndërtuar me 6 harqe secila 54 m e gjatë. Është një konstruksion solid beton-armeje që i ka rezistuar me sukses për afro një shekulli vërshimeve të lumit të rrëmbyeshëm të Matit. Për kohën konsiderohej nga urat më të bukura të Ballkanit.

Gara për ndërtimin e saj u bë me tendër të hapur dhe fituese u shpall firma italiane Mazorana & Co, nën supervizimin e skrupulozit beratas Milto Tutulani. Vepra u ndërtua brenda një viti.

Është interesant fakti se inxhinieri zviceran z.Schnitter, në vitet kur ka qenë në Shqipëri, 1925-1928, ka mbajtur ditar kujtimesh, ku midis të tjerash shkruan: “Në Shqipëri ish formësuar një grup personalitetesh me vullnet të fortë dhe të pajisur me një mendje të vendosur për mëkëmbjen e vendit të tyre, që posa kishte fituar pavarësinë nga zgjedha e huaj. Ky grup kryesohej nga Mbreti Zog dhe Musa Juka, në cilësinë e Ministrit të punëve botore, ishte njëri prej bashkëpunëtorëve të afërt të tij. Ata ishin të vetëdijshëm për punët e mëdha që i prisnin në një vend që posa po dilte nga Mesjeta”. / Përgatiti: Klodi Stralla

Po ndodh...