Zbuluesi i Grupeve të gjakut - Karl Landsteiner (1868-1943)

15 Qershor 2022, 09:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Zbuluesi i Grupeve të gjakut - Karl Landsteiner (1868-1943)

14 qershori është Dita Botërore e dhuruesve të gjakut. Janë miliona e miliona njerëz në mbarë botën që ia dedikojnë jetën e tyre mundësisë të dhurimit të gjakut nga një person tek një tjetër. Por mbase janë të pakët ata qe e dinë se ishte Karl Landsteiner, biologu, fizikani dhe imunologu austriak ai që zbuloi grupet e gjakut dhe mundësoi realizimin e transfuzionit të gjakut nga një person tek një tjetër. Sa pak të njohur janë këta shpëtimtarë të heshtur të njerëzimit krahasuar me politikanët zhurmaxhinj!

Karli u lind në Vjenë (Austri) në 14 qershor 1868. Bir i një redaktori gazete vjeneze me origjinë hebre, mbeti jetim në moshën 6 vjeçare. Me përkushtimin e të ëmës përfundoi shkëlqyer studimet e mesme dhe ato të larta për mjekësi në Vjenë dhe pas një viti mbrojti doktoraturën.

Ky talent i ri nuk mund t’i shpëtonte syrit të mprehtë të akademikut Max Von Gruber që e mori si asistent në Institutin e tij në Vjenë. Aty, në vitin 1900, Karli zbuloi grupet e gjakut tek njeriu A, B, AB dhe O. Ai zbuloi se personat me grupin O mund t’u jepnin gjakun personave të grupeve të tjera (këta quhen dhurues universalë), ndërsa personat me grupin AB mund të marin gjak nga grupet e tjera (këta quhen pranues universalë). Po ashtu ka edhe lidhje të caktuara dhurues-pranues midis grupeve të tjera. Mbi këtë zbulim u krye për herë të parë me sukses në vitin 1907 transfuzioni i gjakut midis dy personave. Ai ka meritën e studimeve serioze në fushën e imunitetit dhe antitrupave, si dhe zbulimit të virusit të poliomielitit.

Për zbulimet e tij Karl Landsteiner u laureua me Çmimin Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi për vitin 1930 dhe datëlindja e tij – 14 qershori 1868 u vendos të konsiderohet si Dita Botërore e dhuruesve të gjakut. Vdiq në 26 qershor 1943 në SH.B.A

Përgatiti: Klodi Stralla, Alfapress