Mbyll sytë përgjithmonë Etnologu i Ballkanit, vdes në moshën 88-vjeçare akademiku Mark Tirta

Një lajm i trishtë ka mbërritur ditën e sotme nga bota e arsimit pasi ëshë ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare albanologu i mirënjohur oroshian, Mark Tirta. Me dhjetëra reagime prekëse kanë “vërshuar” në rrjet, në mesin e të cilave miq, të afërm e familjarë kanë reaguar zemërthyer për humbjen e një prej gjuhëtarëve më të njohur dhe me peshë në vendin tonë.
I lindur më 21 maj 1935 në Orosh të Mirditës, akademiku Mark Tirta kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.
Prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore, ai mori statusin Akademik Emeritus.
Akademik Mark Tirta ishte një prej studiuesve që e njohu kulturën shqiptare jo vetëm përmes burimeve të shkruara, por edhe përmes kërkimit të drejtpërdrejtë në terren. Ai mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.
Puna e tij kërkimore ishte e shumëanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe.
Trashëgimia e tij bibliografike është e jashtëzakonshme. Ai la pas një trashëgimi të gjerë studimore. Ka botuar mbi 300 punime shkencore e kulturore, ka marrë pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 42 punime të tij janë botuar në gjuhë të huaja.
Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Mitologjia ndër shqiptarë” 2004, “Etnologjia e shqiptarëve”2003, 2006, “Etnologjia e përgjithshme” 2001, 2008, “Migrime të shqiptarëve” 1999, “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” 2006, “Panteoni e simbolika, doke e kode...” 2007 dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” 2013.
“Qofsh i parajsës Etnolog! Kështu të pëlqente të të thërrisnin, pamvarësisht se disa tu drejtonin me “Profesor”, “Akademik”, “Nderi i Kombit (në Shqipëri e Kosovë ; tituj të dhënë nga Presidenti e Presidentja)”, “Etnograf”, “Antropolog”, apo edhe “Bacë” në rrethin e afërt.
Studimet e tua shtrihen nga Japonia në Argjentinë, nga eskimezët deri në Australi; nga e ardhmja, bashkëkohësia e deri në Epokën e Gurit (madje ende më thellë). Njihesh ndër studime si Etnologu i Ballkanit, ndër enciklopedi, revista shkencore, e gjer në arkivat anembanë botës.
Do të të mbaj në mendje si mentorin mendjendritur, bash si në këtë foto që kam shkrepur përpara afro 2 dekadash” shkruan Adnan Lleshaj në reagimin e bërë mesditën e kësaj të enjte.
Deri më tani nuk ka akoma detaje në lidhje me orën apo vendin se ku do të mbahet ceremonia mortore për Mark Tirtën, megjithatë pritet të dalin detaje të reja në vijim.
Po ndodh...
Kosova nuk ka kthim pas. PIKË!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128