Si gjenetika përcakton zgjedhjet tona të jetës

4 Qershor 2023, 15:23 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Si gjenetika përcakton zgjedhjet tona të jetës

Në thellësitë nëntokësore të një godine prej graniti në periferi të kryeqytetit të Islandës, Reikjavík, një robot po përzien ngadalë dhe metodikisht gjakun e dhjetëra mijëra njerëzve nga e gjithë bota. Në këtë dhomë betoni po zhvillohet një proces i mirë-përpunuar.

ADN-ja nxirret nga mostrat dhe më pas futet në makineritë e renditjes, të cilat bashkojnë ngadalë linjat unike të bazave kimike që formojnë bazën e identitetit të çdo individi. Më pas, algoritmet e Inteligjencës Artificiale e lidhin këtë kod gjenetik apo gjenom me informacionin e detajuar të mbajtur në biobanka për jetën e tyre – dietën, personalitetin, marrëdhëniet sociale, pasionet, sëmundjet ndaj të cilave i janë nënshtruar – dhe do të kërkojnë për lidhje, të cilat shkencëtarët mund t’i konsiderojnë domethënëse në aspektin statistikor.

Kjo dhomë e veçantë, është në pronësi të një kompanie islandeze të quajtur “deCODE genetics”, e cila ka renditur më shumë gjenome të plota – mbi 400.000 dhe po vazhdon – se çdo institucion tjetër në botë. Nëpërmjet këtij procesi, ajo ka dhënë një kontribut të madh

për të kuptuar rrezikun tonë të trashëguar ndaj sëmundjes së Alzheimerit, skizofrenisë, sëmundjes së arterieve koronare, formave të ndryshme të kancerit dhe shumë sëmundjeve të tjera kronike.

Po ashtu, ka frymëzuar të tjerët të përdorin të njëjtin proces për të gërmuar thellë në psikikën njerëzore, dhe për të gjetur lidhje midis gjenomit dhe personaliteteve tona, preferencave ushqimore dhe madje aftësisë për të mbajtur marrëdhënie sociale.

Shumë shkencëtarë kanë nisur të ngrenë pyetjen:Deri në çfarë mase sjellja jonë është produkt i vullnetit tonë, dhe sa është thjesht e paracaktuar nga biologjia jonë themelore? “Ne kemi ardhur në jetë në bazë të informacionit që jeton në gjenomin tonë, dhe më pas ndërveprimit të tij me mjedisin”- thotë Kári Stefánsson, shkencëtar islandez që themeloi “deCODE genetics” në vitin 1996, me synimin fillestar për të përdorur peizazhin gjenetik unik të Islandës për të kuptuar më shumë rreth sëmundjeve të zakonshme.

Ky vend ka një popullsi të vogël, dhe ka qenë relativisht e izoluar gjatë shekujve, gjë që do të thotë se ka shumë më pak variacion gjenetik sesa në kombet e tjera. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se ka më pak zhurmë në sfond për të komplikuar gjërat, duke e bërë më të lehtë për shkencëtarët të identifikojnë variantet e gjeneve kuptimplotë.

Kanë kaluar 20 vjet që nga “përfundimi” i Projektit të Gjenomit Njerëzor. Por shpejt u bë e qartë se përpjekjet për të renditur dhe hartuar “librin e jetës” vetëm sa kishin nisur. Hulumtimi mbi gjenomin njerëzor, ka zbuluar një pamje shumë më komplekse nga sa mund ta imagjinonte dikush.

Pjesërisht neurolog dhe pjesërisht filozof, 73-vjeçari Stefánsson është bërë gjithnjë e më i bindur se kokteji kompleks i ADN-së që trashëgojmë nga prindërit tanë, së bashku me rreth 70 mutacione gjenetike spontane që i fitojmë  rastësisht, diktojnë sjelljen tonë në një masë më të madhe nga sa jemi të vetëdijshëm.

Ne mund të mos e kuptojmë, por duket se shumë aspekte rutinë të jetës sonë të përditshme, mund të drejtohen pjesërisht nga gjenomi ynë. Ndryshimet gjenetike në receptorët tuaj të shijes, ndihmojnë për të përcaktuar nëse preferoni të pini kafe apo çaj. Kështu nga studimet rezulton se adhuruesit e kafesë, janë më pak të ndjeshëm ndaj hidhësisë së kafeinës, ndërsa adhuruesit e çajit nuk i perceptojnë aq fort llojet e tjera të kimikateve të hidhura.

Por gjenetika luan një rol edhe tek prirjet ose neveritë tona ndaj të gjitha llojet e aktiviteteve të ndryshme. Në nivelin bazë, ajo rregullon edhe atë se sa ju pëlqen të ushtroheni fizikisht, dhe nëse preferoni forma të veçanta të aktivitetit fizik, si vrapimi apo konkurrimi me të tjerët si pjesë e sporteve ekipore.

Por ADN-ja jonë, mund të na drejtojë gjithashtu drejt preferencave më specifike, mbi atë që dëshirojmë të bëjmë në kohën e lirë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, një studim me 2000 të rritur britanikë, sugjeroi për herë të parë se mund të ekzistonte një gjë e tillë i njohur si “gjeni i pasionit”.

Një analizë e thjeshtë e pemës familjare të një personi dhe argëtimet e preferuara të paraardhësve të tyre, sugjeronte një prirje të fortë drejt llojeve të caktuara të aktiviteteve.

Pjesëmarrësit në sondazh, u befasuan kur zbuluan se ata e kishin origjinën nga një varg i gjatë kopshtarësh amatorë, koleksionistësh pullash apo krijues të tortave.

Në dekadën që pasoi, shumë njerëz anembanë botës iu referuan studimit, pasi zbuluan se pasioni i preferuar i një prindi ose gjyshi në kohën e lirë, kishte papritmas një tërheqje të pashpjegueshme për ta kur ishin në moshën madhore.

Në një blog të Medium, Michael Woronko, punonjës sigurimesh nga Otava, Kanada shkroi:”Unë nuk kisha treguar kurrë interes për kopshtarinë, edhe kur nëna ime më tërhiqte më zor në kopshtin e saj. Por kur u rrita, e ndjeva thellë brenda meje nevojën për t’u marrë kultivimin e bimëve”.

Tani studime të mëdha të sekuencës gjenomike, tani kanë filluar të shpjegojnë arsyen. Stefánsson thotë se shkencëtarët e deCODE, kanë zbuluar madje një variant të veçantë gjeni, i cili përcakton nëse ju tërheqin apo jo fjalëkryqet. E njëjta gjë vlen edhe kur bëhet fjalë për çështjen komplekse se si gjenet tona diktojnë shtigjet e jetës që ne ndjekim.

Danielle Dick, profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin Rutgers në Nju Xhersi dhe autore e librit “Kodi i fëmijës”, shumica e dimensioneve të personalitetit si ekstrovertë (të hapur) apo (të mbyllur), të ndërgjegjshëm, të këndshëm, impulsivë dhe ndoshta edhe sa kreativë jemi, varen nga disa lloje përbërësit gjenetikë.

“Disa njerëz kanë një tru më të prirur për të kërkuar përvoja emocionuese ose të reja. Pra me më shumë gjasa për të ndërmarrë në sy rreziqe, apo për t’u joshur drejt shpërblimeve më të menjëhershme”-thotë ai. Të gjitha këto karakteristika mund të kenë përparësi.

Sipërmarrësit, drejtuesit ekzekutivë, pilotët e avionëve luftarakë dhe atletët që konkurrojnë në sportet ekstreme, që të gjithë priren të jenë natyrshëm njerëz që rrezikojnë. Por të kesh këtë origjinë gjenetike, mund të sjellë edhe kosto të caktuara. Sepse këta lloj njerëzish, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë varësi.

Ndërkohë puna e Stefánsson ka treguar se një pjesë e njerëzve me gjenetikë që e inkurajon të menduarit krijues, rrezikojnë të zhvillojnë skizofreninë. Njerëzit natyrshëm impulsivë, mund të jenë vendimmarrës më të mirë dhe të gatshëm të kapin mundësinë që u jepet, por ata mund të jenë të prekshëm edhe më të prekshëm ndaj varësisë nga lojërat të fatit, braktisjes së shkollës apo pushimit nga puna.

Gjithsesi Dick sqaron se “ADN-ja nuk e dikton fatin tonë plotësisht”. “Gjenet tona ndikojnë tek prirjet tona, por kjo s’do të thotë që njerëzit me to do të kenë gjithmonë probleme. Mjedisi në të cilin gjendemi, luan një rol të madh në përcaktimin nëse veprojmë apo jo sipas prirjeve tona gjenetike”- thekson ajo. / Marrë me shkurtime nga “BBC” – Bota.al

Po ndodh...