Nëse Protesta do të nxjerr kandidat për Bashkinë, aleat ka vetëm qytetarët!
Nga Mirela Karabina
Protesta qytetare rinore ka ndryshuar realitetin politik në Shqipëri. Ajo është më e madhe se partitë dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e kandidatit të saj për zgjedhjet lokale, por jo vetëm.
Kushdo që do të marrë përgjegjësinë për të hyrë në këtë garë nuk ka nevojë për lëmoshën apo bekimin e askujt. Fuqinë ia japin qytetarët e revoltuar, të shpërfillur, të lënduar dhe të detyruar të braktisin vendin. Ia jep rinia, së cilës kjo klasë politike i ka borxhe të mëdha.
Ndërkohë, partitë e mëdha, PS dhe PD, sillen sikur jemi në normalitet politik dhe sikur janë ende të vetmit aktorë e faktorë që do të vendosin edhe për zgjedhjet lokale. Por duket se kanë harruar një gjë thelbësore se qytetarët, votuesit, i kanë në shesh!
Thirrja “Rama në burg, Berisha në burg “ dëshmoi se, për herë të parë, nuk kishim të bënim me një protestë të njëanshme partiake, por me qytetarë që kërkojnë ndryshimin e një sistemi politik tashmë të konsumuar dhe të korruptuar (SPAK). Kjo është arsyeja pse kandidati i protestës mund të gjejë mbështetje te të majtët dhe të djathtët, te zogistët dhe ambientalistët, te prindërit që përballen me sfida të vështira për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Kandidati i Protestës bashkon pikërisht ata njerëz që besojnë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim, për një drejtim ndryshe.
“Shqipëri e re!” është një tjetër thirrje që jehon në protestë. Një thirrje që shpreh dëshirën për të mos u qeverisur më nga një sistem ku qytetarët ndihen të vjedhur, të përjashtuar dhe pa zë, për një vend ku meritokracia të zëvendësojë klientelizmin, ku pushteti të mos jetë monopol i njerëzve të së njëjtës klasë politike, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, dhe ku institucionet të japin llogari e të bëjnë transparencë.
Kjo është Shqipëria e re që kërkohet në shesh.
Protestuesit e bënë të njohur ndërkombëtarisht realitetin politik shqiptar: keqqeverisjen, krizën e përfaqësimit dhe një sistem ku mazhoranca dhe opozita, pavarësisht përplasjeve të tyre, vazhdojnë të pretendojnë se janë të vetmit aktorë të pazëvendësueshëm të politikës. Protesta i sfidoi, nxori në pah krizën e opozitës dhe pamundësoi përpjekjet e tyre që realiteti shqiptar të paraqitej jashtë vendit si një demokraci që funksionon dhe pa probleme ekzistenciale të thella.
Shqipëria kërkon ndryshim rrënjësor. Kërkon një përmbysje të kulturës së deformuar të demokracisë, ku kryetari i partisë vendos për listat, kandidatët dhe fatin politik të të gjithëve, ndërsa qytetari është thjesht një votues për të cilët kujtohen vetëm në fushatë elektorale (ndryshimet kushtetuese 2008).
E pra, pse duhet të sillemi sikur jemi në normalitet, kur përballemi me një anormalitet politik?
Partitë opozitare janë duke folur për kandidatin e Bashkisë Tiranë dhe të tjerë, sipas dëshirës së kryetarit dhe jo të qytetarit. Ndërkohë që nëse vërtet i shërbejnë interesave të vendit dhe të fitojnë besimin e qytetarëve, të tërhiqen nga kjo garë dhe t’i hapin kandidatit të Protestës hapsirën dhe mundësinë e fitores.
Fuqia e kandidatit të protestës është shumë më e madhe nga sa mund të imagjinohet, sepse buron nga një energji qytetare që nuk kontrollohet nga strukturat partiake. Por kjo energji kërkon edhe kurajën dhe përgjegjësinë e një kandidati që të dalë përpara qytetarëve në këtë moment historik. Një kandidat që të mos bëhet pjesë e pazareve të vjetra PS dhe PD, por të përfaqësojë kërkesën për ndryshimin e sistemit.
Protesta si presion qytetar, SPAK-u si institucion i drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, është trekëndëshi që po fuksionon.
Ndaj, kandidati i Protestës për Bashkinë nuk duhet të kërkojë aleanca te partitë që mbajnë shumë kusure.
Aleati i tij natyror është qytetari. Dhe pikërisht prej qytetarëve duhet të marrë mandatin, besimin dhe fuqinë për të përfaqësuar Shqipërinë e re.
Po ndodh...
ide
Nëse Protesta do të nxjerr kandidat për Bashkinë, aleat ka vetëm qytetarët!
Askush nuk është mbi Ligjin!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


