KARMA! Rama ndihmoi Berishën të fitonte betejën brenda PD-së, sot precedenti që krijoi mund t’i hapë rrugën fundit të tij politik

25 November 2026, 15:04 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA
KARMA! Rama ndihmoi Berishën të fitonte betejën brenda

Politika ka një mënyrë të veçantë për t’i kthyer borxhet. Dhe Edi Rama mund të jetë duke përjetuar pikërisht këtë moment.

Kur Sali Berisha nisi betejën për të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, kur si non grata në SHBA kjo parti vendosi distancim duke ndjekur interesin e partisë dhe të Shqipërisë, mbi interesin personal të nje individi, Rama nuk qëndroi thjesht spektator. Përmes qëndrimeve dhe vendimmarrjes së mazhorancës, ai kontribuoi në krijimin e një realiteti të ri politik, duke i dhënë Berishës hapësirë për t’u rikthyer në lojë, në një kohë kur përplasja për vulën, logon dhe legjitimitetin e PD-së ishte ende e hapur.

Ironia bëhet edhe më e madhe, kur kujtojmë se vendimi gjyqësor që i hapi rrugë njohjes së drejtimit të PD-së nga Berisha u bë pjesë e një historie që ende nuk ka marrë fund në Gjykatën e Lartë. Një vendim që u kontestua fort, një precedent i rrezikshëm për çdo parti që nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë, por që ndryshoi ekuilibrat e brendshëm të opozitës dhe e katandisi atë në pikën më të ulët të historisë së saj, si në raport me shqiptarët ashtu dhe me ndërkombëtarët.

Rama, i cili kishte përballë një Berishë të shpallur non grata nga SHBA-të dhe të përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat, përfundoi duke luajtur një rol politik në një proces që e ndihmoi ish-kryeministrin të konsolidonte pozitat e tij në PD, madje herë duke joshur e herë duke shantazhuar deputetët që ishin kundër Berishës ti bashkohen atij, e të njëjtit sot i emëron nëpër poste komisionesh e u jep leje ndërtimi.

Por politika nuk njeh vetëm fitore të përkohshme. Ajo njeh edhe precedentë.

Sot, skenari po përsëritet në kampin socialist. Elisa Spiropali nis foltoren kundër Ramës. Erion Veliaj sfidon hapur drejtimin e tij. Zëra të tjerë po kërkojnë hapësirë për t’u organizuar kundër kryetarit të PS-së.

Rama mund të ketë menduar se precedenti i PD-së ishte një çështje që i përkiste vetëm kundërshtarit të tij. Por tani ai mund të bëhet modeli i një beteje që zhvillohet në oborrin e vet.

Dhe këtu qëndron paradoksi: Kryeministri që ndihmoi Sali Berishën në një betejë për pushtetin brenda PD-së, nga ky synon të mbrojë veten, sot përballet me mundësinë që e njëjta logjikë të përdoret kundër tij.

A është ky fillimi i fundit të epokës Rama në krye të Partisë Socialiste?

Është ende herët për ta shpallur, por një gjë është e qartë: Precedenti është krijuar dhe askush nuk mund të pretendojë se rregullat vlejnë vetëm për kundërshtarin. 

Në politikë, pushteti mund të të bëjë të mendosh se je i paprekshëm. Por precedenti që ndërton për të dobësuar kundërshtarin mund të kthehet një ditë në armën që të rrëzon ty. Rama i hapi rrugën një autokrati të marrë PD, por si autokrat do të largohet bashkë me të.

KARMA! Rama i hapi Berishës një derë. Sot, ajo derë mund të hapet për të nxjerrë vetë Ramën nga PS./Alfapress.al

Po ndodh...

ide