"Vendim jo legjitim", Spiropali për përjashtimin nga grupi i PS: Nuk isha në mbledhje, nuk më dhanë mundësinë të flisja!

25 November 2026, 11:40 / POLITIKË ALFA PRESS

"Vendim jo legjitim", Spiropali për përjashtimin nga grupi i

Elisa Spiropali ka kundërshtuar mënyrën se si u mor vendimi për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar socialist, duke deklaruar se nuk ishte e pranishme në mbledhjen ku u diskutua çështja dhe se nuk iu dha mundësia të shprehte qëndrimin e saj.

Ajo sqaroi se, sipas saj, në mbledhjen e grupit nuk u zhvillua një votim për përjashtimin, por u legjitimua një vendim që ishte marrë më herët nga Asambleja Kombëtare e PS-së.

“Unë as isha në atë mbledhje grupi, as kishte rëndësi ai votim aty. Në fakt, nuk u bë votim, u bë një legjitimim i një vendimi jolegjitim të Asamblesë Kombëtare. Kolegë të nderuar kërkuan që unë minimalisht të isha aty dhe të flisja, por nuk m'u dha as kjo mundësi”, u shpreh Spiropali.

Duke folur për qëndrimet e saj dhe kërkesën për më shumë demokraci brenda partisë, Spiropali u ndal edhe te gratë në politikë, duke theksuar se ato nuk duhet të shërbejnë thjesht si fasadë në fushata elektorale.

“Gratë nuk janë fasadë për t'i vendosur kur ka fushatë dhe të duken bukur. Gratë kanë qëndrime dhe kur qëndrimet nuk përputhen me qëndrimin e udhëheqjes, duhet të ketë diskutime”, deklaroi ajo.

Spiropali komentoi gjithashtu lëvizjen e njohur si “Flamingot”, duke e cilësuar atë si shprehje të një kërkese shoqërore për demokratizimin e partive politike. Ajo mohoi të jetë vetë “flamingoja e parë”, por tha se do ta kishte për nder një cilësim të tillë.

“Flamingot janë një shprehje e kërkesës shoqërore për t'u ngritur në një nivel tjetër të demokratizimit të partive politike”, u shpreh ajo.

Në vijim, ish-kryetarja e Kuvendit hodhi poshtë pretendimet se qëndrimet e saj cenojnë unitetin e Partisë Socialiste. Ajo kujtoi përballjet politike me opozitën dhe me Sali Berishën në Kuvend, duke theksuar se ka qenë ndër deputetët që kanë mbështetur më fort betejat e maxhorancës.

Sipas Spiropalit, uniteti nuk duhet të përdoret si argument për të justifikuar vendimmarrje arbitrare brenda partisë.

“Unë më shumë se të gjithë e kam ngritur dorën, grushtin, çfarë të doni ju, për të bërë beteja shumë të forta të maxhorancës. [...] Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që më shumë se legjitimitet shprehin arbitraritet, arbitraritetin ekstrem të vendimmarrjes së njerëzve”, tha Spiropali.

Po ndodh...