“Statuti nuk është Bibël as Kuran”, Spiropali kërkon garë për kreun e PS-së: Rama nuk është i përjetshëm! Dalim përballë dhe shohim popullaritetin

25 November 2026, 11:58 / POLITIKË ALFA PRESS
“Statuti nuk është Bibël as Kuran”, Spiropali

Elisa Spiropali ka sfiduar sërish drejtimin e Partisë Socialiste, duke lënë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja politike, edhe pas përjashtimit nga grupi parlamentar. Në deklaratat e saj, deputetja ka vënë në pikëpyetje mbështetjen që gëzon në radhët e socialistëve, ndërsa i ka bërë një propozim të drejtpërdrejtë Edi Ramës: hapjen e garës për drejtimin e partisë.

Spiropali u shpreh se nuk e di nëse kryeministri e dëshiron më në PS, por pretendon se gëzon mbështetjen e socialistëve për shkak të betejave politike që ka zhvilluar ndër vite. Ajo theksoi se ka përballuar beteja të vështira në Kuvend dhe se vijon ta konsiderojë veten socialiste dhe progresiste.

“Unuk e di më do apo jo Edi Rama, por di vullnetin tim që më duan socialistët se kam beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Kam bërë beteja shumë të vështira vetëm në Kuvend, jam një socialiste, progresiste e bindur në vlerat e mia dhe besoj se më duan socialistët”, deklaroi ajo.

Më tej, Spiropali e çoi sfidën një hap më tej, duke propozuar që nëse brenda PS-së dëshirojnë të matin mbështetjen dhe popullaritetin, atëherë zgjidhja është një garë e hapur për kryetarin e partisë. Sipas saj, asnjë drejtues politik nuk mund të konsiderohet i përjetshëm në krye të një force politike, pavarësisht kontributit që mund të ketë dhënë.

“Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti atëherë unë kam një propozim shumë të thjeshtë, të hapet gara në PS. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin, por statuti nuk është Bibël as Kuran”, u shpreh Spiropali.

Ajo komentoi gjithashtu edhe vendimin për largimin e saj nga forumet drejtuese të PS-së, duke pretenduar se nuk është respektuar statuti i partisë. Spiropali argumentoi se ish-kryetarja e Kuvendit duhet të vijojë të jetë pjesë e Asamblesë, ndërsa e bëri të qartë se nuk do të heqë dorë nga mandati i deputetes.

Po ndodh...