'Cari' Putin, ‘zoti i luftës’ në Afrikë, rruga e armëve ruse në shënjestrën e Kievit

25 November 2026, 13:42 / BOTA ALFA PRESS

'Cari' Putin, ‘zoti i luftës’ në Afrikë,

Afrika si fronti i dytë i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe Libia, e ndarë mes dy qeverive, si platformë strategjike për nisjen e sulmeve dhe pikë mbërritjeje për ngarkesat me armë. Në orët pas sulmit të dyfishtë ukrainas në Bengazi, zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës dhe ekspertë të krizës libiane skicojnë në hartën e Mesdheut itinerare dhe skenarë gjeopolitikë që, sipas tyre, mund të parashikoheshin.

“Rusët janë në Kirenaikë të paktën që prej vitit 2018. Ata mbështesin gjeneralin Khalifa Haftar, kanë gjashtë baza dhe bëjnë tregti me raketa e sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Ukrainasit, të sulmuar në vendin e tyre, e konsiderojnë të ligjshme t’i godasin kudo që ndodhen.”

Në raste të tilla, pasojat diplomatike mund të jenë të mëdha, ndaj versioni zyrtar duhet marrë me rezervë. Kush kishte dijeni për operacionin, i cili u krye në një nga zonat detare më të mbikëqyrura dhe më të përgjuara? A e mbështeti ndonjë nga shtetet aleate të Kievit? Nga cili port u nis e ashtuquajtura “anije mëmë”, të cilën kundërzbulimi ukrainas e identifikon si platformën nga ku u lëshuan shtatë dronët detarë?

Burime të besueshme në Bengazi thonë se mjetet e vogla lundruese të ngarkuara me eksploziv në fakt u nisën nga bregu, një hipotezë që konsiderohet e besueshme edhe në Romë. Të njëjtat burime përmendin zonën e Misuratës si vendin ku forcat speciale ukrainase mund të kenë marrë mbulim dhe mbështetje logjistike, përpara se të fshiheshin.

Në Misuratë, e njohur si “Sparta e vogël”, janë të dislokuar ushtarë italianë, britanikë, turq dhe amerikanë. Por pushtetin atje e ushtron Këshilli Ushtarak, një koalicion i fuqishëm milicish, i njohur për kundërshtimin ndaj bashkimit të dy qeverive nën presidencën e Saddam Haftarit, djalit të gjeneralit, dhe me një kryeministër të emëruar në Tripoli, siç propozon Massad Boulos, i dërguari i Trumpit. Fundosja e korvetës ruse në portin e Bengazit, goditja e “Libyan Express”, itinerarit të armëve që nga Kaliningradi kalon përmes Gjibraltarit dhe mbërrin në brigjet e Kirenaikës, dhe, në fund, provokimi i një kundërpërgjigjeje nga Moska mund të jenë një mënyrë për të vënë në pikëpyetje marrëveshjen e kërkuar nga amerikanët, e cila përmbys ekuilibrat ekzistues. Mbetet për t’u parë se si do të përgjigjet Moska dhe nëse do ta bëjë këtë në Libi. Rasti i Turqisë ilustron ndryshimin. Deri pak kohë më parë, ajo ishte armike e Haftarit. Sot gjenerali ndodhet në Ankara me ftesë të presidentit Erdoğan.

Prania ruse në lindje të vendit dokumentohet prej afro një dekade. Në vitin 2018 atje ishin paraushtarakët e grupit Wagner. Më pas erdhi Africa Corps, që varet nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Kremlini ka një interes të dyfishtë. Nga njëra anë, ndihmon, armatos dhe financon Haftarin përballë qeverisë së Tripolit, të njohur nga OKB-ja dhe që, sipas artikullit, kontrollohet nga Turqia. Nga ana tjetër, i duhet një qendër logjistike për të eksportuar dhe shitur armatime në Afrikë, përfshirë regjimet ushtarake në Mali, Niger, Burkina Faso dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

Prania e forcave ukrainase në perëndim të Libisë është më e vonshme dhe më pak e qartë. Informacioni zyrtar është thuajse inekzistent. Kievi hesht, ndërsa Tripoli e mohon. Megjithatë, pavarësisht deklaratave të ashpra të ditëve të fundit, dy vendet mbajnë të hapur një kanal komunikimi, qoftë edhe për shkak se Libia varet nga gruri ukrainas. Më 30 janar 2023, në Tripoli, gjenerali Jibril al-Shteiwi u takua me kolonelin Andriy Bayuk, atashe ushtarak i dërguar nga qeveria ukrainase, për të diskutuar një projekt bashkëpunimi ushtarak për riparimin e motovedetave të Rojës Bregdetare libiane dhe trajnimin e trupave.

Zhvillimet morën tjetër përmasë nga viti 2025. Investigimet gazetareske nisën të raportonin për ngarkesa me dronë ukrainas që hynin nga Algjeria dhe ishin të destinuara për grupe luftëtarësh. Prokuroria e Përgjithshme e Libisë po heton hyrjen e këtyre ngarkesave. Destinacionet ishin Mali, Nigeri, Burkina Faso dhe Republika e Afrikës Qendrore, vende ku Kremlini përqendron strategjinë e tij për të shtrirë ndikimin në kontinentin afrikan. Transmetuesi francez RFI raporton gjithashtu për një marrëveshje të fshehtë që lejon praninë dhe veprimtarinë e forcave speciale ukrainase në Tripolitani, me një mandat që shkon përtej trajnimit.

Pikërisht në këtë periudhë nisën të merrnin flakë anijet e flotës hije, të cilën Moska e përdor për të anashkaluar sanksionet. Më 19 dhjetor 2025, sipas RFI-së, anija Qendil u godit në ujërat ndërkombëtare mes Libisë dhe Greqisë nga një dron i nisur nga Misurata. Më 3 mars 2026, pranë brigjeve libiane u dëmtua Arctic Metagaz, një anije që transportonte 61 mijë tonë gaz natyror të lëngshëm. Më pas erdhi sulmi në Bengazi, natën mes 21 dhe 22 nëntorit. Episodi më i fundit i një lufte, fronti kryesor i së cilës ndodhet mijëra kilometra larg./La Repubblica

Po ndodh...