Nga frigoriferët e hackeruara tek alarmet për bomba! Kush po shkakton kaos në Evropë?

Sulmet kibernetike ndaj pajisjeve elektronike, kërcënimet e rreme për bomba dhe alarmet që shkaktojnë ndërprerje të fluturimeve apo evakuime në shkolla po kthehen në një shqetësim në rritje për Europën. Ekspertët dyshojnë se pas një pjese të këtyre incidenteve qëndrojnë grupe hakerash të lidhura me Rusinë dhe Iranin, të cilat synojnë të krijojnë pasiguri dhe të godasin funksionimin normal të institucioneve dhe shërbimeve publike.
Një valë incidentesh të koordinuara ka ngritur alarmin për sigurinë në disa vende europiane. Mbi 35 fluturime janë përballur me kërcënime të rreme për bomba, ndërsa më shumë se 7 mijë shkolla kanë marrë mesazhe kërcënuese. Paralelisht, hakerat kanë ndërhyrë në sistemet e frigoriferëve të supermarketeve dhe në pajisjet e ruajtjes së gjakut në qendrat mjekësore.
Sipas raportimeve, në Francë, sulmet kibernetike të datave 11 dhe 12 tetor prekën rreth 700 pika tregtare. Hakerat arritën të merrnin kontrollin e sistemeve të ftohjes, duke rritur temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve deri në 50 gradë Celsius në disa raste. Si pasojë, supermarketet u detyruan të hidhnin sasi të mëdha ushqimesh të prishura, ndërsa në të paktën 15 raste u raportuan edhe zjarre të shkaktuara nga mbinxehja e pajisjeve.
Një valë e dytë sulmesh u evidentua në fillim të nëntorit, duke prekur më shumë se 100 dyqane në disa vende europiane, përfshirë Belgjikën, Luksemburgun, Suedinë, Gjermaninë, Greqinë, Irlandën, Italinë, Estoninë, Holandën dhe Finlandën. Mes subjekteve të prekura raportohet se ishin edhe rrjete të mëdha tregtare si Carrefour dhe Ikea.
Shqetësimi u shtua edhe pas sulmeve ndaj sistemeve të ruajtjes së gjakut në tre qendra rajonale të Francës. Ndërhyrja preku pajisjet e kontrollit të temperaturës, por stafi arriti të ndërhyjë në kohë dhe të zhvendosë rezervat në ambiente të tjera frigoriferike, duke shmangur dëmtimin e tyre.
Autoritetet franceze kanë drejtuar gishtin nga Irani për sulmet ndaj frigoriferëve. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi më 9 nëntor se përgjegjëse ishte Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), duke e cilësuar sulmin si të paprecedentë për nga përmasat dhe agresiviteti.
Parisi ka thirrur ambasadorin iranian për t’i përcjellë protestën zyrtare dhe ka paralajmëruar masa ndëshkuese në nivel europian. Hetimet franceze kanë identifikuar një njësi kibernetike të lidhur me Gardën Revolucionare, të njohur si Shahid Kaveh, ndërsa autoritetet kanë përmendur edhe gjurmë në gjuhën perse dhe infrastrukturë digjitale të lidhur me Iranin.
Megjithatë, Irani i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe armiqësore.
Në anën tjetër, dy grupe hakerash pro-ruse, Z-Pentest dhe NoName057(16), kanë pretenduar se qëndrojnë pas disa prej sulmeve ndaj sistemeve frigoriferike. Por ekspertët paralajmërojnë se pretendimet e grupeve të tilla nuk përbëjnë prova se ato kanë kryer realisht sulmet.
Paralelisht me sulmet kibernetike, Europa është përballur edhe me një seri alarmesh të rreme për bomba. Mbi 35 fluturime janë prekur nga kërcënimet, duke shkaktuar devijime të avionëve dhe kontrolle të imtësishme në aeroporte.
Në Itali, mbi 6.300 shkolla kanë marrë mesazhe kërcënuese, ndërsa autoritetet kanë kryer kontrolle dhe evakuime në disa prej tyre. Mesazhet përmbanin gjithashtu kërcënime ndaj kryeministres Giorgia Meloni. Megjithatë, policia nuk ka konstatuar rrezik konkret.
Kryeministrja italiane deklaroi se qëllimi i autorëve është të përhapin frikë, të krijojnë dyshime dhe të shkaktojnë kaos në shoqëri. Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe në Irlandë, Skoci dhe Irlandën e Veriut.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, këto incidente duhet të shihen në një kontekst më të gjerë të luftës hibride, ku sulmet nuk synojnë domosdoshmërisht të shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta ushtarake, por të godasin jetën e përditshme, shërbimet publike dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
Megjithatë, identifikimi i autorëve mbetet i vështirë. Përdorimi i grupeve ndërmjetëse, llogarive anonime dhe gjurmëve të manipuluara digjitale mundëson që shtetet të ruajnë distancën nga sulmet, ndërsa përgjegjësia për shumë prej incidenteve të fundit në Europë ende nuk është përcaktuar përfundimisht.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

