Skandali i CEO-s së Nvidia-s shkakton luftë civile në administratën Trump, presion ndaj Sekretari të Tregtisë për tu dorëhequr, ja si e afroi Huang me presidentin Trump

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, po përballet me presion në rritje nga zyrtarë të administratës Trump dhe ligjvënës të të dyja partive, për shkak të vendimit për të mos vendosur kufizime ndaj një kompanie të dyshuar për kalimin e mikroçipave amerikanë drejt Kinës.
Sipas një investigimi të CNN, Lutnick luajti rol kyç në afrimin mes presidentit Donald Trump dhe drejtuesit të Nvidia, Jensen Huang. Kjo marrëdhënie ndikoi në vendimmarrjen për eksportin e procesorëve të avancuar dhe politikën amerikane ndaj Kinës.
Në qendër të çështjes është kompania Megaspeed International, me seli në Singapor, një nga blerësit kryesorë të procesorëve Nvidia, e cila dyshohet se ka anashkaluar kufizimet amerikane për eksportet drejt Kinës.
Hetimet janë përqendruar edhe te Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë, për shkak të dyshimeve për lidhje të mundshme me shërbimet sekrete kineze. Megjithatë, deri më tani nuk është provuar se ajo ka vepruar si agjente e Pekinit apo se Jensen Huang ka përcjellë informacione të klasifikuara.
Marrëdhënia me Trump dhe marrëveshja për çipat
Sipas CNN, Lutnick ndihmoi në krijimin e kontakteve të ngushta mes Trump dhe drejtuesit të Nvidia. Në prill 2025, Huang mori pjesë në një aktivitet për mbledhjen e fondeve për organizatën MAGA Inc., ku një vend kushtonte 1 milion dollarë. Gjatë takimit, ai u përpoq të bindte Trump të mos kufizonte shitjen e procesorëve H20 në Kinë.
Në gusht 2025, administrata amerikane lejoi rifillimin e eksporteve, ndërsa Nvidia ra dakord t’i paguante qeverisë amerikane 15% të të ardhurave nga këto shitje.
Ndërkohë, sipas Washington Post, Nvidia ka premtuar 25 milionë dollarë për ndërtimin e sallës së re të ballove në Shtëpinë e Bardhë. Kompania e konfirmoi kontributin, por mohoi që ai të kishte lidhje me interesat e saj tregtare.
Përplasjet brenda administratës
Çështja shkaktoi përplasje edhe mes zyrtarëve të lartë amerikanë. Sipas CNN, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u përplas me Lutnick në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar shpjegime përse Megaspeed nuk ishte përfshirë në listën e kompanive ndaj të cilave zbatohen kufizime të rrepta.
Bessent deklaroi se Departamenti i Thesarit, ai i Shtetit, Pentagoni dhe Zyra e Përfaqësuesit Tregtar kishin kërkuar prej muajsh vendosjen e kufizimeve, por vendimi përfundimtar i takonte Departamentit të Tregtisë.
Zbulimet kanë shtuar zërat për largimin e Lutnick nga detyra. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Trump vijon të ketë besim të plotë te sekretari i Tregtisë.
Kongresi kërkon hetim
Presioni po zhvendoset edhe në Kongresin amerikan. Kreu republikan i Komitetit të Bankave në Senat, Tim Scott, ka kërkuar që Lutnick dhe Jensen Huang të dëshmojnë në një seancë të planifikuar më 3 dhjetor.
Ndërkohë, senatorët demokratë Elizabeth Warren dhe Chris Coons kanë kërkuar ruajtjen e dokumenteve dhe komunikimeve qeveritare që lidhen me Nvidia, Megaspeed dhe eksportin e çipave.
Hetimi synon të sqarojë se çfarë dinin autoritetet amerikane për dyshimet e spiunazhit, pse nuk u vendosën në kohë kufizimet e kërkuara dhe nëse kontaktet e Nvidia me drejtuesit politikë ndikuan në vendimmarrje.
Skandali vjen në një moment delikat për Uashingtonin, përpara takimit të planifikuar mes Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping. Eksporti i mikroçipave të avancuar mbetet një nga çështjet kryesore në rivalitetin ekonomik dhe teknologjik mes dy vendeve.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

