Italia gjobit Metën me 805 milionë euro për aksesin në fotot dhe videot e përdoruesve pa pëlqim të posaçëm

15 November 2026, 14:38 / BOTA ALFA PRESS

Italia gjobit Metën me 805 milionë euro për aksesin në fotot

Italia ka gjobitur Metan me 805 milionë euro për një funksion të Facebook-ut që përdorte foto dhe video nga telefonat Android pa pëlqim të posaçëm. Autoriteti italian kërkon që funksioni të çaktivizohet si parazgjedhje brenda 60 ditësh, ndërsa kompania ka njoftuar se do ta apelojë vendimin.

Moir akses në galeritë e telefonave pa miratimin e përdoruesve 

Aksesi në fotot dhe videot personale të përdoruesve, pa një pëlqim të qartë dhe të posaçëm, i ka kushtuar Meta-s një gjobë prej 805 milionë eurosh në Itali. Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka konstatuar shkelje në mënyrën se si Facebook aksesonte galerinë e telefonave Android, duke prekur rreth 20 milionë përdorues.

Në qendër të hetimit është një funksion i aplikacionit Facebook, i cili u sugjeron përdoruesve fotografi dhe video nga galeria e telefonit, si ide për postime në rrjetin social.

Sipas autoritetit italian, aplikacioni kërkonte akses në galeri përmes një autorizimi të vetëm, i cili mbulonte disa funksione të ndryshme. Njoftimi që u shfaqej përdoruesve nuk e bënte të qartë se ky autorizim përfshinte edhe përdorimin e fotografive dhe videove personale për sugjerime publikimesh.

Një tjetër problem i evidentuar nga rregullatori ishte fakti se funksioni ishte aktivizuar paraprakisht, pa një kërkesë të veçantë për pëlqimin e përdoruesit.

Për këtë arsye, Meta-s i janë lënë 60 ditë kohë për ta çaktivizuar funksionin si parazgjedhje dhe për të kërkuar një autorizim të veçantë, duke informuar qartë përdoruesit për mënyrën se si përdoren të dhënat e tyre.

Sipas autoritetit, rreth 20 milionë përdorues të pajisjeve Android në Itali mund të jenë prekur nga kjo praktikë. Në përcaktimin e masës financiare u morën parasysh numri i lartë i personave të përfshirë, kohëzgjatja e shkeljes dhe mungesa e bashkëpunimit nga kompania gjatë hetimit.

Meta ka kundërshtuar vendimin dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë atë. Kompania argumenton se bëhet fjalë për një funksion që lehtëson publikimin e fotografive dhe videove, ndërsa përdoruesit duhet të japin leje në pajisjen e tyre dhe mund ta ndryshojnë atë në çdo moment përmes cilësimeve.

Vendimi i autoritetit italian e vendos edhe një herë në qendër të debatit çështjen e privatësisë digjitale dhe të kontrollit që përdoruesit kanë mbi informacionin e ruajtur në pajisjet e tyre.

Po ndodh...