Tragjedia në bazën ushtarake në Kanada, ndërron jetë edhe ushtari i pestë

15 November 2026, 14:26 / BOTA ALFA PRESS
Tragjedia në bazën ushtarake në Kanada, ndërron jetë

Një tjetër ushtar kanadez ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga zjarri masiv që përfshiu një bazë ushtarake gjatë një stërvitjeje me municion luftarak. Me vdekjen e tij, shkon në pesë numri i ushtarakëve që kanë humbur jetën nga kjo tragjedi, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Ushtari Uilliam Douglas Dal Bianco, i cili po merrte trajtim mjekësor në Ontario, ndërroi jetë. Lajmi u konfirmua nga Forcat e Armatosura Kanadeze, të cilat shprehën dhimbjen për humbjen e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 tetor, në bazën ushtarake kanadeze Uainëright, në provincën Alberta. Zjarri shpërtheu gjatë një stërvitjeje me municion luftarak dhe u përhap me shpejtësi të madhe për shkak të erërave të forta, duke përfshirë zonën e trajnimit ushtarak.

Fillimisht, katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Sipas zyrtarëve ushtarakë, flakët përparuan mbi një kilometër brenda pak sekondash, duke i zënë në befasi shumë prej personave që ndodheshin në bazë.

 

Në total, 38 efektivë ushtarakë u plagosën nga zjarri. Sipas të dhënave, 24 prej tyre vijonin të merrnin trajtim në spital, ndërsa 14 të tjerë ishin larguar pasi kishin marrë ndihmën mjekësore.

Zjarrfikësit luftuan me flakët gjatë gjithë natës, ndërsa spitalet në zonën përreth u përballën me një fluks të madh të plagosurish. Megjithatë, ndërhyrja për shuarjen e zjarrit u vështirësua, pasi efektivët e zjarrfikësve në bazë kishin dijeni për vatrën, por nuk mund të ndërhynin menjëherë. Zona ku kishte rënë zjarri konsiderohej e rrezikshme, për shkak të mundësisë së pranisë së municioneve të pashpërthyera.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se zjarri dyshohet se u shkaktua nga qitja me një granatahedhës në poligonin e granatave të bazës ushtarake.

Kryeministri kanadez Mark Carney e cilësoi ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda që kanë goditur forcat e armatosura të vendit në kohë paqeje. Pas konfirmimit të vdekjes së ushtarit të pestë, ai shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe të gjithë ata që po përballen me pasojat e kësaj tragjedie.

Ndërkohë, shefja e Shtabit të Mbrojtjes së Kanadasë, gjenerale Jennie Carignan, tha se Forcat e Armatosura janë të tronditura nga humbja e Dal Biancos. Edhe ministri i Mbrojtjes, David McGuinty, shprehu ngushëllimet për familjarët, miqtë dhe kolegët e tij, duke theksuar se institucionet do të vijojnë të mbështesin familjet e prekura nga kjo ngjarje e rëndë.

 

Po ndodh...