Nga mosha te klasifikimi, edhe yjet lindin e vdesin
Shkrimi nuk do të ishte i plotë nëse nuk do të jepnim edhe disa të dhëna të karakterit sasior, sepse bota e yjeve është aq e ndryshme nga bota jonë tokësore edhe në përmasat e saj. Ashtu si qeniet e gjalla nuk kanë të njëjtën formë, të njëjtën masë dhe volum, nuk jetojnë të njëjtën moshë dhe shumë e shumë specifika të tjera, edhe yjet që vrojtojmë kanë individualitet e tyre. Kur bëra krahasimin e Yllit me qenien e gjallë nuk mund t’ju shmangesha pyetjeve tuaja të mundshme si : sa jeton një yll, sa është jetëgjatësia e tij ? Ç’farë përbërje kimike ka ai ? Cila është masa e tij ? Si sillet në hapësirë dhe si bashkëvepron me fqinjët ?
Mosha: Ashtu si çdo qenie e gjallë edhe Ylli ka një jetëgjatësi që nuk është e njëjtë për të gjithë; për më të shumtët prej tyre kjo moshë varion nga 1 deri në 10 miliard vjet; Ylli më i vjetër i zbuluar, HE 1523-0901 është rreth 13.2 miliard vjet. Sa më i madh të jetë ylli aq më e shkurtër është jeta e tij ! Por gjithsesi e krahasuar me jetën njerëzore një Yll jeton sa për 125 milion jetë njerëzish të mara së bashku; apo po të arsyetojmë nga e kundërta dhe ta mendojmë sikur ylli jeton 80 vjet, aq sa jeta e një njeriu, i bije që jeta e një njeriu të ishte 0,0000000000008 sek !!!!
Përbërja: Qeniet e gjalla përbëhen kryesisht nga karboni, që është baza e jetës. Ylli përbëhet kryesisht nga hidrogjeni, që është karburanti në sajë të se cilit ai yll ekziston. Ai e fillon jetën e tij me 95 % hidrogjen dhe e përfundon me hekur Fe, sepse H është karburanti bërthamor, që duke u djegur, i jep yllit nxehtësinë dhe dritën përkatëse. Nga përbërja kimike e yllit astrofizikanët gjykojnë mbi moshën e tij, krahas ngjyrës të ndriçimit të tij.
Fusha magnetike: Mos u habisni po të dëgjoni që Ylli ka edhe sistemin e tij të qarkullimit të gjakut ! Masa të tëra plazme (lëndë në gjendje të veçantë, me temperaturë super të lartë) lëvizin në brendësi të yllit, duke krijuar fusha magnetike shumë të fuqishme, që e bëjnë yllin t’i përngjajë një dinamoje gjigande. Fuqia e fushës magnetike ndryshon sipas masës dhe përbërjes se Yllit dhe sasia e aktivitetit magnetik në sipërfaqe varet nga rrotullimi i Yllit. Ky aktivitet prodhon njollat e zeza në sipërfaqe, të cilat i njohim mire në rastin e Diellit tonë.
Masa: Ashtu si qeniet e gjalla kanë peshën e tyre, nga disa mikro gram tek bakteret, deri në disa ton tek elefanti apo balena, edhe yjet kanë masën e tyre. Një nga Yjet më masivë i njohur, është Eta Carinae, me 100-150 herë me i madh në masë se sa Dielli. Jetëgjatësia e tij është shumë e shkurtër, vetëm disa miliona vjet. Një studim i grupit Arches sugjeron se një Yll sa 150 masa Diellore është kufiri i mundshëm në Univers. Me një masë vetëm 93 herë sa ajo e Jupiterit, AB Doradus C, është Ylli më i vogël i njohur.
Rrotullimi: Të gjithë yjet pa përjashtim rrotullohen rreth vetes të tyre; kjo shpejtësi varion nga 100 deri ne 225 km/sek.
Temperatura: Temperatura e sipërfaqes të një Ylli përcaktohet nga shkalla e prodhimit të energjisë në bërthamën e tij, ku temperatura mbrin deri në disa milionë gradë celsius(G/C), Yjet e vegjël si Dielli ynë kane një temperaturë në sipërfaqe prej rreth 6000 G/C; Gjigandwt e Kuq kanë temperatura relativisht të ulëta në sipërfaqe prej rreth 3300 G/C, por ata gjithashtu kanë një shkëlqim drite të lartë në sajë të sipërfaqes të tyre të madhe.
Rrezatimi: Energjia e prodhuar nga Yjet, si produkt i fuzionit bërthamor, rrezaton në hapësirë dy lloj rrezatimesh, elektromagnetike (drite) dhe rrezatim grimcash. Të dy këto parametra ju shërbejnë astrofizikanëve për të matur si temperaturën ashtu edhe gravitetin apo moshën e yllit.
Yje binjake: Ja edhe një ngjasim tjetër me qeniet e gjalla ! Vrojtohen yje që sillen si një i vetëm, ndonëse janë dy; ata rrotullohen rreth një qendre të përbashkët dhe kanë një sjellje karakteristike që ju ka mundësuar astrofizikantëve të njohin më tepër rreth tyre.
Klasifikimi: Nuk mund të mbetej pas krahasimi me qeniet e gjalla edhe në fushën e klasifikimit të yjeve ! Ashtu si klasifikohen qeniet e gjalla, mbi bazën e sistemit të Lineut, klasifikohen edhe yjet, për tu bërë më i lehtë studimi i tyre. Çdo klasifikim ka në themel të vet një element krahasimi. Bazuar në shkëlqimin e dritës, Yjet klasifikohen nga 0 – super gjigantët, në 3 – gjigantët, në 5 – tek xhuxhet. Dielli ynë klasifikohet si G2 me nr.5 (xhuxh i verdhe). Bazuar në masën, ka Yje të vegjël, të mesme dhe të mëdhenj. Dielli ynë p.sh. është një yll i vogël. Ka edhe kritere të tjera klasifikimi që nuk paraqesin interes për lexuesin e këtij shkrimi.
Përshkrimi i mësipërm, sasior dhe cilësor mbi jetën e Yllit, është vetëm një ekskursion i shkurtër në botën e yjeve, në atë botë ku dimensionet hapësinore, temperaturat, presionet, dendësitë, masat, koha, shpejtësitë e lëvizjeve, janë të rendeve shumë më të ndryshme nga ato të jetës tonë tokësore, aq sa shpesh e bëjnë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, për atë që guxon të shkruajë, gjetjen e analogjive të kuptueshme për lexuesin e zakonshëm./ Klodi Stralla Alfapress.al
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
