Një Letër e hapur drejtuar Ambasadorit Eric Wendt

25 September 2026, 23:09 / EDITORIAL NGA SIDI HASANAJ
Një Letër e hapur drejtuar Ambasadorit Eric Wendt

Nga Sidi Hasanaj

I dashur Ambasador Wendt!

Po ju shkruaj një letër të hapur mirëseardhjeje në Tiranë.

Këtu do të hasni aktorë e faktorë të botës së politikës, biznesit dhe medias që do të garojnë me njëri-tjetrin për të treguar kush servilizohet më shumë ndaj jush; që do të shfaqin dashuri për vendin tuaj në format sa më false e hipokrite. Një dallgë e madhe hipokrizie, e veshur me petkun e "mikpritjes shqiptare", do t'ju përfshijë.

E vërteta është se ju përfaqësoni pushtetin e Shteteve të Bashkuara dhe, në sytë e vampirëve të pushtetit vendas, jeni një "derë e florinjtë" si askush tjetër. 

Afërsia me ju bëhet garë se kush është më i pushtetshëm, kush ka më shumë prestigj, kush mund të shpresojë se nesër do të ketë më shumë privilegje.

Mikpritja shqiptare ekziston vërtet por jo ajo në lozhat e politikës apo të oligarkisë. Ajo jeton në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë; në kupolat e sipërme të shoqërisë sonë shpesh kundërmon veç hipokrizi dhe servilizëm.

Por e vërteta më e madhe është kjo: 

Shqipëria e vitit 2026 nuk është më Shqipëria që gjetën paraardhësit tuaj në 2009, 2002 apo 1992. Nuk është më vendi më pro-amerikan i Europës apo i botës. Nuk është më Shqipëria që priti me aq afeksion të sinqertë Presidentin George W. Bush. 

Ndër vite, shtete dhe interesa të ndryshme kanë mbjellë e kultivuar këtu farën e antiamerikanizmit, (në ideologji fetare ekstremiste, interesa ekonomime etj),  dhe politika shqiptare e ka ujitur atë farë çdo ditë. 

Mjafton të kujtojmë deklaratën e djeshme Kryeministrit Rama në New York, kur akuzoi se Hashim Thaçi dhe Kosova u tradhtuan e u harruan nga Joe Biden. 

I njëjti Kryeministër që dikur i thoshte CNN-it: "Zoti mos e dhëntë të zgjidhet Donald Trump President." 

Ai që e quan "vëlla" Aleksandar Vuçiçin, sot akuzon politikanin ndoshta më të përkushtuar ndaj Kosovës në historinë moderne amerikane: Joe Bidenin (Fjalimet e të cilit si senator, në vitet 1996–1998, kur kërkonte ndërhyrje amerikane në ndihmë të Kosovës, mbeten prekëse e emocionuese edhe sot). 

Ky është vetëm një ekstrakt i hipokrizisë shqiptare, i dashur Ambasador.

Nga kampi tjetër do të gjeni një fenomen tjetër: Një person i shpallur non grata nga institucionet tuaja, i cili për katër vite ka baltosur imazhin e shtetit tuaj sa pak kush tjetër. 

Ai u tha ndjekësve se Amerika dhe Departamenti i Shtetit mund të bliheshin nga njerëz si George Soros, ndërsa ambasadoren Yuri Kim e sulmoi me akuza e insinuata deri në nivelin më banal, duke e paraqitur si të korruptuar e të përfshirë në afera të errëta erotike brenda Kryeministrisë. 

Sot i njëjti person u shitet shqiptarëve si "pro-amerikani më i madh", sepse një Waiver po ua paraqet si heqje të plotë të statusit non grata sipas nenit 7031(c). 

Ky është elektorati i tij, i dashur Ambasador: Një turmë e gatshme të besojë marrëzitë më provinciale. Këtu ju lutem njihni figurën e Haxhi Qamilit dhe do t'ju ndihmojë të kuptoni antropologjikisht një arketip që Shqipëria, fatkeqësisht, s'e ka zhdukur ende.

Do të vini në një Tiranë ku gjendet edhe "senatori amerikan" Fatmir Mediu. 

Ju, i dashur Gjeneral, e njihni me siguri tragjedinë e Gërdecit, ku një biznes demontimi municionesh përfundoi në katastrofë, duke vrarë dhjetëra fëmijë, gra e burra të pafajshëm …familjarë që ende sot kërkojnë drejtësi nëpër gjykata. Por mos u shqetësoni: Fatmir Mediun e ka zëvendësuar Ardi Veliu, dhe Gërdecin e ka zëvendësuar KAYO e Ron Yeffet.

Ky është moçali ku do të hyni, i dashur Gjeneral. Por besoj se gjatë jetës suaj ushtarake keni kaluar nëpër lugina shumë më të errëta. Tani duhet ta bëni sërish, këtë herë si Ambasador, me vlerat amerikane në zemër.

Por ekziston edhe një Shqipëri tjetër, i dashur Ambasador. Ndoshta është minorancë, ndoshta jo …sidoqoftë, është një bërthamë e fortë. 

Ndryshe nga shumica e vendeve të botës, këtu gjen shqiptarë të lindur në Shqipëri, por që një pjesë të atdheut të tyre shpirtëror e mbajnë në Amerikë. 

Paraardhësit e tyre u përballën, u burgosën dhe vuajtën vite të tëra në ferrin komunist për dy arsye: sepse besonin në Zot dhe sepse adhuronin Amerikën , atdheun e lirisë dhe demokracisë.

Sot shumë prej pasardhësve të tyre e kanë të brumosur në gen dashurinë për Amerikën , vendin që armiqtë e madje edhe "miqtë" e urrejnë pafund, por që supremacia e tij i detyron ta respektojnë. 

Vendin e vetëm në botë ku ideali s'është të pyesësh "Kush je? I kujt je? Nga çfarë familjeje vjen?", por "Çfarë je? Çfarë ke arritur?" 

Vendin që në çdo cep të globit ka luftuar kundër terrorizmit, komunizmit, autokracive dhe instrumenteve të tyre me luftëtarë që për mua janë gardianë e engjëj mbrojtës të lirisë, të drejtave të njeriut dhe paqes. 

Njerëz që rrallë kanë marrë mirënjohjen që meritojnë, por në këmbim kanë marrë teori djallëzore konspiracioni: se luftojnë për të uzurpuar naftën, se e krijuan vetë 11 Shtatorin, se janë "Shejtani i Madh", se janë gringo që trafikojnë drogë nëpër botë përmes agjencive të tyre.

I dashur Ambasador Wendt, ne e dimë sfidën në të cilën ndodheni. 

E dimë luftën e jashtme.. por dimë edhe luftën e brendshme që zhvillohet në tokën tuaj: Si figura si Hasan Piker mbjellin urrejtje ndaj kombit të lirisë përmes manipulimit; si vendi juaj po paguan çmim të lartë për tolerancën e vet, përballë rrymash ekstremiste fetare që duan ta transformojnë Amerikën nga brenda. E kam fjalën për debatin rreth figurave si Abdul El-Sayed në Michigan i cili miraton vendosjen e Ligjit Sharia paralelisht me ligjet Amerikane ; dhe fenomenin Zohran Mamdani një njeri i lindur në Ugandë, që në Amerikë pati mundësinë të ngjitej në krye të qytetit më të rëndësishëm të vendit, por shfaq urrejtje rracore për Amerikanët “e bardhë”, qesh në ceremoninë e 11Shtatorit teksa përmenden emrat e viktimave, dhe në krah të Hasan Piker flet për reagimet gjakatare të ushtrisë Amerikane ndaj Talibanlve dhe Iranit sot… etika nuk ma lejon ta shpreh fjalën që meriton.

Kjo është pikërisht madhështia dhe njëkohësisht paradoksi i Amerikës: u jep liri, shanse të barabarta edhe atyre që e sulmojnë më fort, qe urrejnë brenda vetes!

Lufta juaj me radikalizmin antiamerikan ka marrë formë të re: nuk zhvillohet më vetëm mijëra kilometra larg kufijve tuaj, por edhe brenda vendit tuaj.

E dimë gjithashtu përçmimin dhe xhelozinë e “miqve tuaj”, si ajo që ekzist në Francën e Macron, Spanjës e aleatëve të tjerë europianë ndaj Presidentit Trump dhe qasjes së tij. 

Rrugët e komunikimit që ai po ndërton me superfuqinë bërthamore ruse, politika e paaftë dhe xheloze Europiane ia paraqesin publikut të tyre si provë të një "kapjeje të Trumpit nga Putini" ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe. 

Është Amerika e Donald Trump që po udhëheq negociatat për paqen mes Ukrainës dhe Rusisë; është presioni amerikan që mbetet vendimtar në raportin e forcave, ndërsa infrastruktura ruse e naftës goditet çdo ditë nga dronët Ukrainas të financuar dhe asistuar nga SHBA dhe presidenti Trump, teksa paralelisht ekonomia ruse përballet me sanksione gjithnjë e më të rënda të vendosura nga Donald Trump, sanksione ql po e gjunjozojnë ekonominë Ruse!

Nuk janë armët e Macronit apo retorika luftarake e Londrës ato që e detyrojnë Putinin të llogarisë kostot e luftës …është, mbi të gjitha, fuqia amerikane, e cila, ndërsa i shtrëngon ekonomikisht frymëmarrjen Rusisë përmes katër paketeva ligjore që Presidenti Trump ka bllokuar thuajse çdo fuçi naftë të eksportohet, i ofron njëkohësisht një rrugëdalje negociuese. 

Sepse strategjia europiane e "rezistencës deri në fund", pa u shoqëruar me një rrugë reale diplomatike, thjesht çon përplasjen gjithnjë e më shumë me kufirin më të frikshëm: përshkallëzimin bërthamor.

Por burokratët Europianë, nuk e dinë çfarë janë instiktet dhe zgjuarsia negociuese e një sipërmarrësi në xhunglën kapitaliste të SHBA-ve, për ta populizmi, fjalimet me fjalë sa ë komplikuara por që kanë efekt zero, janë aftësia e vërtet… në fakt janë shembulli i paaftësisë së tyre, që po mbijetojnë përballë Rusi-Kinës vetëm prej deterrencës së SHBA-ve!

I dashur Ambasador Wendt, teksa po flas për luftën tuaj tl brendshme, kam dëshirë tju tregojë se jemi në dijeni edhe se çfarë po ndodh në universitetet tuaja. 

Vetëm gjatë 2025-s, ato morrën mbi 5.2 miliardë dollarë dhurata e kontrata nga burime të huaja si Katari mbi 1.1 miliardë, Kina mbi 528 milionë, Arabia Saudite mbi 285 milionë. 

Kuptojmë përse breza të rinj dalin nga këto universitete duke admiruar marksizmin, komunizmin e ripaketuar me emrin SocialDemokraci (siç thotë aq bukur Marco Rubio), apo duke shfaqur simpati për Republikën Islamike të Ajatollahëve pa e provuar kurrë vetë çfarë do të thotë të jetosh nën ato realitete që idealizojnë.

I dashur Ambasador Wendt, ju vini në Shqipëri në një moment kur Amerika s'ka nevojë për më shumë servilizëm shqiptar. 

Ka nevojë për miq të vërtetë dhe Shqipëria s'ka nevojë për një ambasador që bëhet pjesë e moçalit tonë politik , por ka nevojë për një përfaqësues të Amerikës që mbetet mbi të, që s'impresionohet nga darkat, nga fotografitë, nga duartrokitjet, nga deklaratat boshe të dashurisë për SHBA-në.

Sepse Amerika s'është vetëm një fuqi. Për disa prej nesh, Amerika është një ide: ideja se njeriu mund të jetë i lirë, se mund të ngrihet nga asgjëja, se shteti s'duhet të pyesë çfarë ngjyre lëkure ke, nga cili fis vjen apo kush ishte babai yt, se talenti, puna, guximi dhe karakteri mund të çojnë përpara. 

Dhe se, kur e keqja ngrihet në botë dhe të tjerët zgjedhin të kthejnë kokën nga ana tjetër (siç bëjnë shpesh Europianët) , duhet të ekzistojë diku një fuqi gati të ngrihet përballë saj. Për shumë prej nesh, ajo fuqi ka qenë Amerika.

Prandaj, mirë se erdhët në Tiranë, Ambasador Wendt. Do të gjeni shumë njerëz që do t'ju thonë se e duan Amerikën, mos i besoni të gjithëve, por mos harroni kurrë se, diku përtej lozhave të pushtetit dhe salloneve të oligarkisë, ekziston ende një Shqipëri që s'e do Amerikën për fotografinë me Ambasadorin, por për atë që ajo përfaqëson!

P.S. Për ti larguar me diplomaci servilët që ju fola më lart , mjafton tju thoni një fjali: 
“Mbështes SPAK-un” dhe do qeshni si do struken të trembur. Por ju këtë fjali e keni thënë për hir të së vërtetës që në dëgjesën tuaj në kongres, ndaj punë të mbarë i nderuar gjeneral!

Po ndodh...

ide