Përplasje të dhunshme në Spanjë, 170 mijë qytetarë në grevën e parë të përgjithshme pas 14 vitesh, kërkojnë strehim të përballueshëm

12 November 2026, 08:26 / BOTA ALFA PRESS

Përplasje të dhunshme në Spanjë, 170 mijë qytetarë

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e qyteteve kryesore të Spanjës në grevën e parë të përgjithshme në 14 vite, të organizuar nga sindikatat më të mëdha të vendit kundër rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve të papërballueshme të banesave. Protestat u shoqëruan me përplasje mes grupeve të personave të maskuar dhe policisë në Barcelonë, ku u dogjën kazanë mbeturinash, u thyen vitrina dyqanesh dhe uniformat blu përdorën gaz lotsjellës.

Sipas raportimeve, rreth 120 mijë persona morën pjesë në demonstratën e zhvilluar në Madrid, ndërsa mbi 50 mijë të tjerë protestuan në Barcelonë. Përveç kryeqytetit dhe qytetit katalanas, tubime u organizuan edhe në qytete të tjera të mëdha, ndërsa transporti dhe shërbimet publike pësuan ndërprerje të konsiderueshme.

Në qendër të Barcelonës u vu re një prani e madhe policore, me efektivë të pajisur me helmeta dhe mburoja. Përplasjet u regjistruan kryesisht në zonën e Passeig de Gràcia, pranë sheshit të njohur Plaça de Catalunya. Disa persona të maskuar u filmuan duke u vënë flakën kazanëve të mbeturinave dhe duke shkatërruar vitrina. Mediat lokale raportuan gjithashtu se protestuesit hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë, grabitën dyqane, mes tyre edhe një dyqan Lego, si dhe tentuan të hynin në dyqanin e Apple.

Ministria e Brendshme bëri të ditur se dhjetëra persona janë arrestuar për incidente të ndryshme. Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave spanjolle, sulme janë regjistruar edhe ndaj zyrave të agjencive imobiliare.

Pavarësisht incidenteve, pjesëmarrësit thanë se pjesa më e madhe e protestave ishte paqësore. Një grua që mori pjesë në demonstratën e Barcelonës i tha BBC-së se tubimi kishte qenë kryesisht paqësor dhe me atmosferë pozitive, ku ishin të pranishëm edhe fëmijë e të moshuar. Megjithatë, ajo tregoi se në mbrëmje, në zonën e Las Ramblas, kishte parë zjarre në disa rrugë.

Greva u shoqërua me bllokime të trafikut në disa prej akseve kryesore të Madridit dhe Barcelonës. Kreu i sindikatës UGT, Pepe Álvarez, e cilësoi atë një sukses, duke deklaruar se pjesëmarrja ishte masive. Edhe drejtuesi i sindikatës CC OO, Unai Sordo, e përshkroi angazhimin e qytetarëve si shumë të rëndësishëm.

Po ndodh...