Përtej fjalëve, grushti i qetë i mirësisë!

26 August 2026, 11:41 / JETË NGA AZGAN HAKLAJ

Paqja fillon aty ku hesht urrejtja!

​Sot, në këtë 26 Gusht, kur bota përkulet para kujtimit të bijës më të madhe të kombit tonë, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, nuk mjaftojnë fjalët e zbehta të protokollit.
Kemi nevojë për një tronditje ndërgjegjeje.

​Jetojmë në një kohë kur zhurma ka mbytur thelbin. Çdo ditë bombardohemi nga statuse, debate boshe, premtime të mëdha dhe statistika që fikin shpresën.

Të gjithë flasin për ndryshimin e botës, por askush nuk u ul për të lidhur lidhësen e këpucës së një fëmije që po qan.
Në këtë kakofoni globale, figura e saj vjen si një vetëtimë e heshtur që na nxjerr nga gjumi i rehatisë sonë.
Ajo nuk bëri teori, ajo bëri histori me duart e saj të plasaritura nga puna.

​Kur ajo thoshte:
"Nëse nuk mund të ushqeni një qind njerëz, ushqeni vetëm një," ajo po shkatërronte alibinë tonë më të madhe, indiferencën.
Justifikimi më i lehtë i njeriut modern është: "Ç'mund të bëj unë i vetëm përpara këtij mjerimi?" Përgjigjja e saj ishte e prerë si brisk:
Fillo nga ai që ke pranë.

​Por sot, jemi zhytur edhe në një tjetër batak, urrejtja është kthyer në normë, në gjuhë zyrtare të ditës dhe në karburant për klikime.
Çdo cep i ekranit gumëzhin nga helmi i përçarjes. Njerëzit maten me atë se sa fort dinë të godasin dhe sa shumë armiq prodhojnë çdo sekondë.

​Në këtë det errësire, thirrja e saj tingëllon si një këmbanë alarmi që na shpon gjoksin:
​"Nëse nuk mund të doni, të paktën mos urreni."!

​Ky nuk është një varg për kartolina, ky është një ultimatum moral.
Të duash kërkon shpirt të madh, por të mos urrejsh është minimumi absolut i njerëzores.
Urrejtja nuk e dëmton atë që sulmon; ajo e ha për së gjalli atë që e mban brenda.

​Ajo nuk ishte thjesht një ikonë globale e dhimbjes. Ajo ishte një shqiptare me një damar të fortë atdhedashurie që nuk iu nda kurrë shpirtit të saj.
Le të kujtojmë vitin e mbrapshtë 1997.

Kur Shqipëria digjej nga flakët e çmendurisë, nga vëllavrasja dhe rrënimi total, ajo nuk heshti.

U lut, u angazhua dhe bëri thirrje për popullin e saj, duke u dhënë zë lotëve të një kombi.
​E njëjta thirrje oshëtiti edhe në çastet e fundit të jetës së saj, kur në takimin me presidentin amerikan Bill Klinton, me fuqinë e shpirtit që po i shuhej, i la amanetin e saj të fundit: "Bëni diçka për kombin tim!"
​Bota nuk ndryshohet nga manifestimet e radhës. Sot, në ditëlindjen e saj, le të bëjmë një pakt me ndërgjegjen tonë:
Të ndalojmë së ushqyeri përbindëshin e polarizimit. Nëse nuk gjejmë dot forcën për ta dashur tjetrin, le të kemi të paktën aq dinjitet sa të mos e urrejmë.

​Në fund të ditës, historia nuk do të mbajë mend se sa shumë kemi folur, por sa shumë kemi dashur. Nënë Tereza na la testamentin e përjetshëm:

Paqja fillon aty ku hesht urrejtja, dhe dashuria për njeriun e atdheun nuk shuhet kurrë.

Po ndodh...