A do të rikandidojë për kryebashkiak në Shkodër? Ja si përgjigjet Spahia

23 Mars 2026, 22:25 / POLITIKË ALFA PRESS

A do të rikandidojë për kryebashkiak në Shkodër? Ja si

I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, u pyet nëse do të linte mandatin për të kandiduar sërish për kryetar të Bashkisë Shkodër.

Spahia nuk dha një përgjigje të prerë, por tha se aktualisht e konsideron të rëndësishëm përfaqësimin në Parlament, ndërsa shtoi se Partia Demokratike ka figura të mjaftueshme për kandidim si në nivel lokal ashtu edhe qendror.

Unë kam dhënë prova që edhe në rastin e vitit 2023, kur mbi tavolinën time ishte kërkesa e KQZ-së për të pranuar mandatin e deputetit, kam bërë zgjedhjen jo në interesin tim, por në atë që kam besuar se ishte interesi më i mirë i demokratëve të Shkodrës.

Nuk i jam shmangur asnjëherë sfidave të çfarëdolloj natyre politike, por e konsideroj shumë të rëndësishëm edhe rolin aktual dhe përfaqësimin e atij elektorati në Parlamentin shqiptar.

Besoj se nuk vuan aspak Partia Demokratike për mungesë figurash të denja, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, dhe nuk do të jetë problem për Shkodrën se kush do të jetë kandidati i saj.

Një problem kemi në Shkodër: garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është një luftë jashtëzakonisht e vështirë. Nëse nuk arrijmë të ndajmë shtetin nga krimi elektoral dhe të këpusim lidhjet me krimin e organizuar, si dhe përdorimin e institucioneve dhe aseteve shtetërore në zgjedhje, gjithçka bëhet e vështirë.

Për sa i përket pyetjes suaj, duke qenë se kam pasur një kohë të shkurtër në krye të Bashkisë së Shkodrës, që mund të konsiderohet një gjysmë mision, sigurisht që nëse do të më besohet, kjo është një çështje që mbetet për t’u vlerësuar.

Nuk besoj se ka një person që merret me politikë dhe i shmanget sfidave të forta. Gara elektorale, qoftë edhe në nivel lokal, është ndër sfidat më të forta politike.”, tha Spahia

 

Po ndodh...