“Janë sekuestruar dokumente dhe fatura këto ditë”, Lala hedh dritë mbi hetimet ndaj Ballukut: Përfshihen 20 kompani ndërtimi me histori mbi dy dekada!

23 Mars 2026, 22:09 / POLITIKË ALFA PRESS

“Janë sekuestruar dokumente dhe fatura këto ditë”,

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar informacion të mëtejshëm mbi hetimet që po kryen SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se procesi i zbërthimit të celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike është në zhvillim e sipër.

“Patjetër që celularët po zbërthehen. Hetimi është i shtrirë në kohë dhe voluminoz,” tha Lala, duke përshkruar një hetim që përfshin të paktën 20 kompani ndërtimi me histori mbi 20 vite, të cilat janë futur nën monitorim të plotë nga prokurorët.

Ajo shtoi se përveç celularëve, po sekuestrohen dhe po analizohen fatura, dokumente, libra shitjesh dhe të dhëna të tjera, në kuadër të një hetimi paralel pasuror.

“Do pak më shumë kohë si çështje dhe është hera e parë që prokurorët kanë mundësinë të shkojnë te sistemi, të shohin mënyrën se si pushteti ka bashkëpunuar me segmente të krimit dhe biznesit, si i ka ushqyer me para dhe tendera, duke prishur konkurrencën, dhe duhet parë çfarë kanë marrë politikantë në këmbim,” u shpreh Lala.

Gazetarja pohoi gjithashtu se bisedat e zbardhura nga rasti i Evis Berberit, pjesë e një dosjeje prej 16 mijë faqesh që iu dorëzua Kuvendit, ofrojnë vetëm një pamje të pjesshme.

“Ne kemi aksesuar një pjesë bisedash, por SPAK ka një sërë bisedash që mund të jenë më të rënda dhe përfshijnë emra që ndoshta opozita i di,” tha Lala.

Ajo përmendi se për celularët që janë zbërthyer që prej 19 marsit priten të dalin informacione të tjera, që mund të hedhin më shumë dritë mbi rrjetin e lidhjeve të biznesit, politikës dhe segmentëve të dyshuar kriminalë.

 

Po ndodh...