Air Albania falimenton/ Rama jep 35 mln € nga buxheti i Shtetit, për borxhet e Sinan Idrizit

16 Mars 2026, 15:31 / POLITIKË ALFA PRESS
Air Albania falimenton/ Rama jep 35 mln € nga buxheti i Shtetit, për

Qeveria merr përsipër detyrimet e kompanisë ajrore pas falimentimit të projektit të transportit ajror…

Kryeministri Edi Rama po përdor buxhetin e shtetit edhe për të mbuluar pasojat e marrëveshjeve që janë bërë nëpërmjet kompanisë kombëtare “Air Albania”, me sekserin e tij Sinan Idrizi dhe kompaninë turke “Turkish Airlines”.

Në informacionin e ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda Ministrisë së Financave thuhet se, 10 ditë më parë, me urdhër verbal të Edi Ramës është bërë një marrëveshje e fshehtë ndërmjetësimi mes Ministrisë së Financave, kompanisë së falimentuar “Air Albania” dhe disa kompanive ndaj të cilave “Air Albania” ka detyrime.

Kjo marrëveshje nga ana e Ministrisë së Financave ka si objekt marrjen përsipër nga qeveria të shlyerjes së një pjese të konsiderueshme të borxheve që kompania e transportit ajror ka ndaj kompanive kontraktuese për avionët me qira, tarifat e shërbimeve në aeroporte, furnizimet me karburant dhe shërbimet catering.

Sipas informacionit, kompania “Air Albania”, gjatë 8 viteve të aktivitetit të transportit ajror në 14 destinacione, ka krijuar rreth 100 milionë euro detyrime ndaj kontraktorëve të huaj, të cilët prej një viti i janë drejtuar gjykatave ndërkombëtare.

Për të evituar procese gjyqësore me risk financiar dhe për të lehtësuar detyrimet, sipas burimeve, ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama duke angazhuar qeverinë për të shlyer 35 milionë euro borxhe që kompania ka ndaj kontraktorëve.

Në këtë mënyrë qeveria ka marrë përsipër një pjesë të borxhit, megjithëse nuk ka detyrim ligjor për detyrimet e kompanisë “Air Albania”, pasi pjesëmarrja e shtetit në këtë kompani është vetëm 10% e aksioneve.

Megjithatë kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Ministrisë së Financave që nëpërmjet buxhetit të shtetit të marrë përsipër shlyerjen e 35 milionë eurove borxhe që ka kompania “Air Albania”.

Sipas marrëveshjes, kjo shumë do të kalojë në administrim të kompanisë “Air Albania”, me kushtin që të shlyejë detyrimet ndaj kompanive kontraktore.

Ndërsa Sinan Idrizi dhe përfaqësuesit e “Turkish Airlines”, sipas kësaj marrëveshjeje, do ta rikthejnë detyrimin ndaj qeverisë shqiptare për një periudhë deri në 50 vite.

Megjithatë ky mekanizëm konsiderohet problematik nga pikëpamja financiare, pasi kompania “Air Albania”, në emër të së cilës merret përsipër shlyerja e borxhit, ka ndërprerë aktivitetin dhe është në proces likuidimi.

Shtatë muaj më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil të Shqipërisë i bllokoi aktivitetin kompanisë “Air Albania” për shkelje të kontratave. Aeroportet ndërkombëtare ndërprenë shërbimet, kompanitë kontraktore bllokuan avionët që kishin dhënë me qira dhe iu drejtuan gjykatave, ndërsa kompania catering ndërpreu furnizimin.

Në muajin nëntor 2025, kompania ortake “Turkish Airlines”, e përfaqësuar në “Air Albania” nëpërmjet filialit të saj TÜRK HAVA YOLLARI ANONİM ORTAKLIĞ, njoftoi se ka nxjerrë në shitje 49% të aksioneve.

Ndërkohë kompania tjetër ortake “MDN Investment” e Sinan Idrizit, që zotëron 41% të aksioneve, gjithashtu ka ndërprerë aktivitetin e transportit ajror në këtë kompani.

Marrja përsipër e shlyerjes së 35 milionë eurove borxhe nga qeveria mund të lidhet edhe me vendimin e qeverisë Nr. 15, datë 15 janar 2026, me të cilin u ndryshua struktura e aksionerëve të kompanisë dhe pjesëmarrja e shtetit në këtë projekt./Pamfleti

Po ndodh...

ide