Arrestimi i Baki Godzhaj nga forcat izraelite, Muçi shpërthen në Kuvend: Një shqiptar mbahet peng në kampe, pse hesht qeveria?

21 Maj 2026, 11:01 / POLITIKË ALFA PRESS

Arrestimi i Baki Godzhaj nga forcat izraelite, Muçi shpërthen

Deputeti Redi Muçi në seancën e sotme plenare ngriti shqetësimin dhe alarmin për një shtetas shqiptar të marrë peng në ujërat ndërkombëtare. Baki Godzhaj, pjesë e një misioni me aktivistë evropianë për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, raportoi në Kuvend Muçi se po mbahet në kampe torturash nga autoritetet izraelite.

Në një fjalim të ashpër dhe plot akuza, Muçi kërkoi shpjegime nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama për heshtjen e tyre të thellë përballë kësaj ngjarjeje tronditëse.

Ndërkohë që liderët e vendeve evropiane si: Franca, Spanja, Holanda apo Italia e Giorgia Melonit kanë thirrur urgjentisht ambasadorët izraelianë për t'u kërkuar llogari, ekzekutivi shqiptar u akuzua se ka zgjedhur të mbyllë sytë.

Në sallë, Muçi ngriti pyetjen retorike se si ka mundësi që institucionet heshtin kur një shtetas i tyre mbahet peng nga një regjim gjenocidial dhe një ministër fashist si Ben-Gvir.

Më tej, ai argumentoi se nëse ky akt do të ishte kryer nga shtete si Rusia apo Irani, reagimi do të ishte i menjëhershëm duke kërkuar shpalljen e tyre si shtete terroriste.

Kritika të forta u drejtuan edhe ndaj vizitës së kryeministrit Edi Rama në shtëpinë e Benjamin Netanyahut, i cili aktualisht kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte.

Në vend të kësaj qasjeje, Muçi kërkoi me ngulm që Ministria e Jashtme të thërrasë urgjentisht ambasadorin izraelian në Tiranë për të dhënë llogari, për të kërkuar falje për krimet në Gaza dhe për trajtimin çnjerëzor të shtetasit shqiptar.

Baki Godzhaj u cilësua në këtë denoncim të ligjvënësit si ambasadori më i mirë i vlerave shqiptare në botë, duke kujtuar historinë e lavdishme të shqiptarëve që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, ai nënvizoi se kjo sakrificë historike nuk po mjafton për të thyer heshtjen e pashpjegueshme të institucioneve të sotme.



Po ndodh...