BIRN: Berisha kërcënon gazetarët për raportimet mbi aktakuzën e SPAK ndaj tij, vijnë reagimet

18 Shtator 2024, 18:55 / POLITIKË NGA GJERGJ EREBARA

BIRN: Berisha kërcënon gazetarët për raportimet mbi

Ish-kryeministri Sali Berisha kërcënoi gazetarë të pacilësuar me emër, duke deklaruar se “do t’i konsiderojë si pjesë të një strukture kriminale” pas publikimeve të detajeve nga dosja e akuzës së prokurorëve specialë kundër tij, akuzë që zbardh marrëdhënie kontroverse të bizneseve të ndryshme me atë vetë dhe të afërm të tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i cilësoi kërcënimet e Berishës si “të papranueshme”.

Berisha, 79 vjeç, një politikan që ka dominuar jetën politike shqiptare që prej tre dekadash dhe ka drejtuar vendin si president dhe kryeministër, u mor i pandehur pak ditë më parë nën akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, një akuzë që parashikon dënimin me deri 11 vjet burg, në rast se vërtetohet.

Prokuroria pretendon se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, është përfitues i veprimeve të Këshillit të Ministrave gjatë kohës kur Berisha ka qenë kryeministër dhe se ka përdorur përfitimet nga kompania Home Plan, e cila ka qenë për shumë vite nën pronësi noteriale por të paregjistruar në QKB të Malltezit, për të mbuluar shpenzime të ndryshme të Berishës, përfshirë pagesa avokatie në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, pagesa me të cilat Berisha synoi të luftonte vendimet e qeverisë amerikane dhe asaj britanike për sanksione kundër tij me argumentin se ishte i përfshirë në korrupsion.

Berisha ka sulmuar në vijimësi zyrtarët e drejtësisë, prokurorët e çështjes dhe gjyqtarët, duke pretenduar se është i pafajshëm dhe viktimë e një procesi të montuar politikisht. Të mërkurën, në një konferencë për shtyp që mbajti nga shtëpia e tij ku gjendet në masë sigurie, ai kërcënoi gazetarët pa përmendur konkretisht se me cilët prej tyre e kishte, ndërsa duke pretenduar pa ofruar prova se këta gazetarë “keqpërdoren”.

“Konstatoj se tek tuk prej tyre keqpërdoren në mënyrë ekstreme nga Skapi,” tha Berisha duke iu referuar SPAK. “…do të trajtoj njëlloj si anëtarë të organizatës kriminale, Skapi i partisë.”

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, një organizatë e shoqërisë civile në Tiranë, i cilësoi kërcënimet e Berishës si “të papranueshme”.

“AGSH i kërkon zotit Berisha të vetëpërmbahet, të ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe të lejojë që ata të raportojnë lirshëm procesin penal ndaj tij, familjarëve të tij, të lidhurit me ta, njëlloj si çdo proces tjetër,” shkruhet në deklaratë.

Gazetarët në Shqipëri vihen rregullisht nën presion nga të dyja palët e politikës, të cilat, pavarësisht kundërshtive që kanë për çështje të ndryshme, dukshëm kanë të përbashkët dëshirën për t’i imponuar gazetarëve se çfarë duhet të raportojnë dhe se si duhet të raportojnë.

Kjo gjithashtu nuk është hera e parë që Berisha, i cili në vitin 1997 është shpallur një nga dhjetë armiqtë më të mëdhenj të medias në planet, sulmon gazetarët.

Në pushtet nga viti 2005 deri më 2013, ai sulmoi shpesh gazetarët si “hanxhar” në duart e krimit, apo “media e opozitës,” apo “media mafia” sa herë që qeverisja e tij përballej me pikëpyetje mbi aktivitete të dyshimta korruptive.

Kundërshtari i tij Edi Rama ka përdorur togfjalëshat “kazan”, “sharlatan”, “gjobëvënës” apo “rrezik publik” sa herë që ai është përballur me pyetje serioze mbi korrupsion apo abuzime të ndryshme me pushtetit./BIRN