BIRN: ILD rrëzon akuzat e kryeministrit Edi Rama ndaj prokurores Elsa Gjeli

Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ankesa e ish-ministrit Ulsi Manja ndaj prokurores Elsa Gjeli, e mbështetur në akuzat e kryeministrit Edi Rama, u gjet e pabazuar pasi nuk kishte elementë për procedim disiplinor. Çështja u arkivua.
Inspektorit i Lartë të Drejtësisë, ILD, e ka gjetur të pabazuar ankesën e ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli. Ankesa, e cila u krye pas akuzave të kryeministrit Edi Rama ndaj magjistrates, lidhur me një vendimmarrje të saj për mosfillimin e procedimit penal për një ndërtim të pretenduar pa leje në fshatin Theth, u arkivua.
Vendimi i datës 17 shtator i është njoftuar ministrit të Drejtësisë dhe prokurores Gjeli, si palë në këtë proces.
Sipas ILD-së, “nuk janë konstatuar elementë juridikë dhe faktikë nga ku mund të krijohej një dyshim i arsyeshëm për fillimin e procedimit disiplinor” ndaj prokurores Elsa Gjeli. Për këtë arsye, është vendosur edhe arkivimi i kësaj çështjeje.
Gjatë një takimi të zhvilluar të premten më 19 shtator për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, evidentoi ndër të tjera se prej kohësh sistemi gjyqësor është nën një trysni, për të ushtruar detyrën ose jo në një formë të caktuar, situatë që e cilësoi si antikushtetuese. “U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë”, tha Metani.
Lidhur me vendimmarrjen e arkivimit të ankesës së Manjës, ILD sqaroi për BIRN se vendimi nuk është final, pasi mund të ankimohet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. “KLP në këtë rast vendos ose t’i japë të drejtë ILD-së ose ta kthejë për rihetim duke lënë detyra”, bëri me dije ILD.
Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigj pyetjes për koment lidhur me këtë vendimmarrje të ILD-së, deri në publikimin e këtij shkrimi.
Prokurorja Gjeli, e pyetur për koment lidhur me vendimmarrjen e ILD-së, i tha BIRN gjatë një bisede telefonike se respekton gjithë vendimmarrjet e institucioneve të drejtësisë, si dhe të drejtën e ankimit nga palët. “Për mua është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta. Kur flasin institucionet e drejtësisë unë nuk mund t’i komentoj këto vendime. Kam detyrimin të zbatoj detyrimet kushtetuese si çdo magjistrat tjetër”, u shpreh Gjeli.
Prokurorja Elsa Gjeli u sulmua nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik për vendimmarrjen e saj për mosfillimin e çështjes së referuar nga policia dhe Bashkia Shkodër për ndërtim pa leje në Theth. Rama i referohej një serie kabinash pushimi të ndërtuara pranë kishës së fshatit, për të cilat ai tha se ishin vepër e një individi të “parritshëm nga krahu i ligjit.”
Kryeministri deklaroi atëherë se Inspektoriati dhe Policia e Shtetit kishin konstatuar ndërhyrje brutale, por prokuroria nuk kishte shpallur në kërkim të menjëhershëm personin përgjegjës.
Qëndrimi i Ramës u kundërshtua menjëherë nga Prokuroria e Shkodrës, e cila në një reagim të rrallë për këto raste i doli në mbrojtje prokurores dhe vuri në dukje se ishin institucionet në varësi të qeverisë, Policia dhe Bashkia Shkodër, që e kishin referuar çështjen si kundërvajtje dhe jo si vepër penale.
Megjithëse Gjeli depozitoi atëherë në KLP kërkesë kundër deklaratave të kryeministrit që i cilësoi si fyerje dhe diskreditim të figurës së magjistratit, institucioni i qeverisjes së prokurorëve nuk mbajti qëndrim.
Veç Gjelit, gjatë dy muajve të fundit kryeministri Edi Rama ka targetuar personalisht gjyqtarët e Gjykatës Administrative, Ligoraq Toshi, Klarent Demiri, Hazbi Balliu dhe Marko Boshku, duke kundërshtuar vendimet e tyre përmes etiketimeve fyese.
Deklaratat e kryeministrit janë dënuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, si dhe nga Unioni i Gjyqtarëve – dy grupime vullnetarësh të trupës së gjyqtarëve. Sulmin e Ramës ndaj gjyqtarit Boshku, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e cilësoi në kufijtë e veprës penale./BIRN
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


