BIRN: Numri i lartë i kryebashkiakëve nën akuzë ekspozon degradimin e pushtetit vendor

20 Shkurt 2026, 08:41 / POLITIKË ALFA PRESS

BIRN: Numri i lartë i kryebashkiakëve nën akuzë ekspozon

Një listë e gjatë kryebashkiakësh, kryesisht të Partisë Socialiste, janë nën hetim, në gjykim apo të dënuar nga drejtësia gjatë viteve të fundit për vepra penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës, duke shkaktuar sipas ekspertëve humbjen e besimit të qytetarëve te qeverisja vendore.

Mëngjesin e 10 shkurtit 2025, ekranet e televizioneve po transmetonin ‘live’ kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj duke inspektuar një kopësht, ndërkohë që ai ndodhej në të vërtetë në zyrën e tij me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët i komunikuan masën e arrestit me burg për akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.

Një vit më pas, Veliaj ndodhet në qeli dhe në proces gjykimi, ndërkohë që vazhdon të mbajë “de jure” postin e kryebashkiakut, pas një përpjekjeje të dështuar të Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar atë, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Veliaj shihej si një politikan në ngjitje i Partisë Socialiste dhe imazhi i saj në pushtetin vendor, përpara se figura e tij të krisej nga akuzat për korrupsion. Veliaj i mohon me forcë akuzat.

Megjithatë, ai është vetëm njëri nga dhjetra përfaqësues të Partisë Socialiste në pushtetin vendor, të cilët po përballen me akuza për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, shkeljes së barazisë në tendera apo falsifikimit.

Që nga krijimi i Prokurorisë dhe i Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, 28 kryetarë aktualë bashkish apo ish-kryebashkiakë janë marrë nën hetim, të pandehur apo janë dënuar.

Mes kryebashkiakëve që kanë llogari të hapura me drejtësinë, 25 janë përfaqësues të Partisë Socialiste në pushtet dhe katër përfaqësojnë partitë opozitare.

Për ekspertët e shoqërisë civile që monitorojnë qeverisjen vendore, numri i lartë i të zgjedhurve vendorë që janë dënuar, janë në gjykim apo janë në hetim nga SPAK, tregon për një nivel të lartë korrupsioni apo klientelizmi në pushtetin lokal në Shqipëri.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se të humbur janë qytetarët si dhe besimi i tyre tek institucionet e pushtetit vendor.

Agron Haxhimali, drejtor i Institutit Shqiptar të Bashkive, i tha BIRN-it se, “numri i lartë i kryebashkiakëve nën hetim mund të lidhet me kombinimin e fuqisë së përqendruar lokale, mungesës së kontrollit efektiv, por dhe rritjes së veprimtarisë së organeve të drejtësisë”.
“Ky fenomen zakonisht buron nga një përzierje e dobësive institucionale, presioneve politike dhe një kulture klienteliste që favorizon interesat personale mbi ato publike, çështje personaliteti, përgjegjshmerie dhe integriteti,” tha Haxhimali.

Edhe për Rigels Xhemollari, drejtor i organizatës “Qendresa Qytetare”, fenomeni i korrupsionit në pushtetin vendor është i lidhur me faktin që të dy pushtetet i ka e njëjta forcë politike.

“Bashkitë dhe qeveria janë në të njëjtin fron partiak, të Partisë Socialiste, dhe si pasojë ka më pak mekanizma kontrolli për bashkitë nga qeverisja qëndrore. Për rrjedhojë, kryetarët e bashkive abuzojnë më shumë,” tha Xhemollari.

Nga monitorimi që ka bërë organizata Qendresa Qytetare” për tenderat në disa bashki, Xhemollari thotë se është vënë re e njëjta skemë e abuzimit si në qeverisjen qendrore.

“Kryetarët e bashkive zgjedhin 2 apo 3 operatorë me të cilët bashkëpunojnë dhe eleminojnë konkurencën. Ka dhe tendera me flamur të kuq që ka vetëm një operator dhe fiton ai ose operatorët e tjerë janë fiktivë dhe tërhiqen, e për rrjedhojë kanë krijuar këtë lloj skeme korrupsioni apo mashtrimi me tenderat,” theksoi ai.

Faktori i dytë që evidenton Xhemollari lidhet me funksionimin e Këshillave Bashkiakë, që pranojnë dhe miratojnë pa ndonjë debat real apo shqetësim për nevojat qytetare, çdo projekt apo investim që është vendosur në ekzekutivin e bashkisë.

“Ashtu si dhe parlamenti, këto këshilla janë kthyer në noterë të kryetarit,” thotë ai.

Dhe faktori i tretë, sipas tij, që i bën kryetarët e bashkive më të targetuar për abuzim me detyrën lidhet me lejet e ndërtimit, shpronësimin e tokave apo kalimin e tyre tek palë të treta, ku për rrjedhojë bëhet dhe abuzimi më i madh.

Pushteti vendor konsiderohet i një rëndësie të veçantë për komunitetet lokale për shkak se puna e tyre ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve me shërbimet publike apo funksione të tjera si pastrimi i qyteteve apo investimet publike.

Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, kryetarët e Bashkive zgjidhen për shkak të një lidhjeje më të ngushtë me banorët dhe qytetet ku kandidojnë.

Gjithsesi, parada e kryebashkiakëve të dyshuar apo dënuar për afera korruptive, sipas ekspertëve, po e gërryen besimin që do të duhej të ekzistonte mes qytetarëve dhe institucioneve lokale.

Kjo lloj praktike e abuzimit me detyrën publike e çmonton besimin publik tek qeverisja vendore,” thotë Xhemollari, duke sjellë si shembull pjesëmarrjen e ulët të votuesve në zgjedhjet e pjesshme në Vlorë në vjeshtë.

“…duke lidhur tendera korruptivë, shërbimet ndaj qytetarëve do të jenë më pak cilësore, ose do të jenë shërbime apo investime që nuk i shërbejnë qytetit, por interesave private,” shton ai.

Haxhimali po ashtu pranon se qytetarët janë ata që vuajnë pasojat e zyrtarëve të korruptuar; që nga keqmenaxhimi të fondeve, ulja e efikasitetit të shërbimeve dhe vonesa në zhvillimin lokal.

“Por ky është edhe një leksion që qytetari të mendohet mirë kur zgjedh dhe të ketë më shumë reagim qytetar ndaj fenomeneve të tilla,” sugjeron ai.

Haxhimali thekson se “hetimet dhe dënimet mund të dëmtojnë përkohësisht besimin tek institucionet, por gjithashtu mund ta forcojnë atë nëse tregojnë se drejtësia po vepron në mënyrë të pavarur”.

1-Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës –  U arrestua nga SPAK në shkurt 2025 për veprat penale të  korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës. Çështja është në gjykim.

2-Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodrës – Akuzohet se në kohën që drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, favorizoi një kompani private në kundërshtim me ligjin. Çështja është në gjykim.

3-Majlinda Bufi, kryebashkiake e Roskovecit – Është marrë e pandehur në nëntor 2025 për presionin e ushtruar ndaj një votuesi të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023SPAK kërkon dënimin e saj me 2 vjet në shërbim prove.

4-Erion Isai, kryebashkiak i Kolonjës – Është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

5-Eriselda Sefa, kryetare e Bashkisë Lushnjë – Është në hetim nga SPAK pas një kallëzimi penal për shkelje të procedurës ligjore në dhënien me qira të pasurive publike.

6-Kristian Shkreli, kryebashkiak i Vau i Dejës – Akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje. Çështja u dërgua për gjykim në tetor 2025.

7-Rakip Suli, kryebashkiak i Kamzës – Është marrë në pyetje më shumë se një herë nga SPAK për një hetim që lidhet me akuzat e shpërdorimit të detyrës.

8- Rexhë Byberi, kryetar i Bashkisë së Tropojës – Është në proces gjykimi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e hapjes së rrugëve.

9- Kreshnik Hajdari, Kryebashkiak i Kuçovës – U hetua nga Prokuroria e Posaçme për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. Çështja është në gjykim.

10- Qerim Ismailaj, kryebashkiaku i Mallakastrës – U shpall fajtor në vitin 2023 për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, por u dënua me 40 orë punë në komunitet.

11- Tërmet Peçi, ish-kryebashkiak i Tepelenës, aktualisht deputet – U paraqit për të dëshmuar në SPAK në nëntor 2025 pas një kallëzimi të depozituar nga Partia Demokratike.

12- Vangjush Dako, ish-kryetar i Bashkisë Durrës –  Gjykata e Posaçme e gjeti fajtor për shpërdorim detyre në dy raste dhe e dënoi atë me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie.

13- Fatos Tushe, ish-kryebashkiak i Lushnjës – U dënua dy herë nga Gjykata e Posaçme gjatë viteve 2022- 2024 për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe fshehjes së pasurisë.

14- Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit – Pas një skandali seksual direkt pas zgjedhjeve të 2023-it, Gjici u arrestua dhe dënua për shpërdorim detyre me 2 vjet burg.

15- Fran Tuci, ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit – U  dënua me 1 vit burg në tetor të vitit 2023 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë dëmtimin e një fondi pyjor.

16- Lefter Alla, ish-kryebashkiak i Bulqizës – U dënua në dhjetor 2023 me 2 vjet burg për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

17- Jorgo Goro, ish-kryebashkiak i Himarës: U shpall fajtor dy herë dhe u dënua me burg për abuzime me pronat në bregdet.

18- Luiza Mandi, ish-kryebashkiake e Libohovës – U dënua në qershor 2024 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

19- Edison Memolla, ish-kryebashkiak i Rrogozhinës – U dënua me 1 vit burg për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”.

20- Gjolek Guci, ish-kryebashkiak i Memaliajt, bashkë me zëvendësen e tij dhe dy persona të tjerë pritet të gjykohen për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe në ankande publike.

21-Elvis Rroshi, ish-kryetar i Bashkisë së Kavajë- Pasi humbi mandatin në 2016-ën për shkelje të  ligjit të dekriminalizimit, Rroshi u dërgua për gjykim nga SPAK në vitin 2026 për abuzime me tenderat.

22– Arqile Bollano, ish-kryetar i komanduar i Bashkisë Himarë – U mor nën hetim nga SPAK për përfitime abuzive të sipërfaqeve tokë-bujqësore

23- Leonidha Hristo, ish-kryetar i bashkisë Finiq – U dërgua në gjyq nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me procedurat e tenderave.

24- Adem Lala ish-kryebashkiak i Hasit, ishte ndër zyrtarët e parë vendorë të dënuar nga Gjykata e Posaçme në vitin 2021 për shpërdorim detyre gjatë procesit të privatizimit të një godine publike.

25- Rajmonda Balilaj, ish-kryebashkiake e Patosit – U dënua në janar të vitit 2025 për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera. Dënimi i Balilajt u konvertua në shërbim prove.

26- Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës si kandidat i opozitës: U arrestua pak ditë para zgjedhjeve vendore 2023 dhe u dënua me 2 vjet burg për blerje votash në një proces kontrovers.

27- Bardh Spahia, ish-kryetari i Bashkisë Shkodër – Akuzohet se pengoi ekzekutimin e vendimeve të gjykatës lidhur me shkarkimin dhe emërimin e administratorit të Ujësjellës-Kanalizimeve. Çështja është në gjykim.

28-Eduart Kapri, ish-kryetari i Bashkisë Pogradec –  U dënua nga gjykata bashkë me dy vartës të tij për ‘shpërdorim detyre’, pasi lejuan kryerjen e punimeve në kundërshtim me ligjin në një pallat të kompanisë së themeluar nga vetë Kapri.

29- Fran Frrokaj, ish-kryetar i Bashkisë së Lezhës – U dënua nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vjet e 8 muaj burg për tjetërsim të pronave në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë lokalë./ BIRN

Po ndodh...