Dy anët e medaljes së një votimi!

17 Shtator 2023, 17:52 / POLITIKË BESART LOGU*

Dy anët e medaljes së një votimi!

Nga Besart Logu

Në seancën plenare të 14 shtatorit, ndër të tjera, u votua edhe për një grant (jo borxh) në vlerën e 6.5 milion eurove dhënë nga Qeveria Federale Gjermane. Ky grant shkon në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm urban, kryesisht për trajtimin e mbetjeve, nga i cili do të përfitojnë 6 bashki.

Qeveria Federale Gjermane, duke mos patur besim tek autoritetet shqiptare, sidomos pas skandaleve të fundit me fondet e IPARD, ka vendosur që këtë grant ta menaxhojë GIZ. Vetëm pasi GIZ jep ok për projektet e dorëzuara nga qeveria atëherë lëvrohen fondet duke u monitoruar për realizimin e projektit po nga vetë GIZ. Thënë ndryshe, zero përfshirje të institucioneve shqiptare.

Në Parlament, vota e PD ishte pro për kësaj ndihme që Gjermania po i jep Shqipërisë. Ndihmë që konsiston jo vetëm në uljen e korrupsionit por dhe në ofrimin e një modeli më efikas të trajtimit të mbetjeve. Kjo tregon se metoda e riciklimit e propozuar nga PD ishte ajo e duhura pasi dhe Qeveria Gjermane po i jep këto fonde pikërisht për këtë metodologji.
Ndërhyrja gjermane rrëzon gjithashtu edhe sistemin e incenerimit që i kushtoi arkës së sbtetit mbi 400 milion euro dhe që në fund rezultoi një megaskandal.

Po pjesa tjetër e grupit parlamentar si votoi?

Rithemelimi dhe ata që kaluan ylberin politik, kundër. Provuan edhe një herë se nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve por vetëm të tyrin personal. Treguan se janë kundër monitorimit gjerman për trajtimin e mbetjeve sepse besojnë në sistemin e Ramës, atë të incenerimit.

Po media, si e përcolli lajmin?

Ato pranë pushtetit nuk i dhanë zë. Rënia e besimit të partnerëve ndaj institucioneve publike është njësia matëse më reale e nivelit të korrupsionit por dhe e degradimit të kësaj administrate.
Ndërsa mediat e Rithemelimit, dezinfomim total. Shfaqja më e lartë e keqtrajtimit të ndjekësve duke mos i lejuar ato të krijojnë një mendim personal e të pavarur.

Ja pra, këto janë dy anët e medaljes së votimit në Parlament. Grupimi që pretendon se është opozita bio dhe se janë bashkuar në interes të demokratëve por që me aktet e kryera vetëm demokrati nuk ekziston, madje as në horizont. Dhe nga ana tjetër, Partia Demokratike që ka hapur një kapitull të ri dhe ka në qendër të vemendjes pikërisht atë që pjesa tjetër i ka kthyer shpinën, qytetarin.

Duket qartë tashmë se sfida e PD nuk është vetëm përballja me sistemin që ka ngritur Trekëndëshi Bermudës por edhe të bindë qytetarin se është i bombarduar me fake news që kërkojnë t'i ikin realitetit duke krijuar një tjetër paralel i cili nuk ekziston./ *Anëtar i Këshillit Kombëtarë të PD

Dy anët e medaljes së një votimi!

Dy anët e medaljes së një votimi!

Po ndodh...