“Nuk ka bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, ministri Hoxha: Miratimi i IBAR në dorë të vendeve anëtare

Në një vlerësim për procesin e tanishëm të integrimit evropian të Shqipërisë ish-ambasadorit i vendit tonë në misionin e Shqipërisë pranë BE në Bruksel, Ferit Hoxha, tashmë ministër i Punëve të Jashtme, thotë se vendi ynë ndodhet të një fazë të avancuar të mbylljes së kapitujve, por janë vendet anëtare ato që do të thonë fjalën e fundit.
“Reformat janë fjalëkalimi ynë për të hyrë në familjen evropiane” thotë Ferit Hoxha Ministër i Punëve të Jashtme, i cili në përgjigje të disa pyetjeve të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, përmes postës elektronike, hedh poshtë pretendimet për një bllokim të mbylljes të kapitujve të hapura nga Shqipëri me Komisionin Europian.
Intervista e plotë
Muhamed Veliu: A është bllokuar procesi i negocimit për Shqipërinë në kuadër të shqyrtimit të IBAR në Bruksel, siç pretendohet në deklarime politike të ditëve të fundit?
Ferit Hoxha: Faleminderit zoti Veliu për këtë mundësi. Do të doja të ndaja qartësisht deklarimet politike, të cilat kanë një qasje të njohur dhe janë pjesë e dinamikës së debatit politik në Shqipëri, si dhe qëndrimet e medias, e cila është e lirë dhe kontribuon në diskutimin e gjerë publik, nga realiteti konkret i procesit dhe mekanika e tij.
E them me bindje dhe përgjegjësi, bazuar edhe në informacionin e drejtpërdrejtë: jo, në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për ndonjë bllokim të procesit. Procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është, në vetvete, kompleks, njëkohësisht teknik dhe politik, dhe zhvillohet sipas një dinamike të vetën. Ai kërkon kohën e nevojshme, konsistencë dhe, mbi të gjitha, rezultate të konfirmuara dhe të matshme.
Shqipëria sot ndodhet në fazën më të avancuar të këtij procesi ndonjëherë, dhe konsiderohet gjerësisht, dhe ky nuk është vlerësimi ynë, si një vend pararojë, me progres të qartë dhe të njohur nga partnerët tanë evropianë.
Vetë fakti që kemi avancuar me ritme të shpejta e të pazakontë në hapjen e kapitujve dhe përmbushjen e detyrimeve tregon një nivel të ri serioziteti dhe kapaciteti institucional. Diskutimet që zhvillohen në Bruksel, përfshirë ato mbi raportin IBAR, janë pjesë integrale e këtij rrugëtimi dhe nuk duhet të interpretohen si pengesa, por si mekanizma që garantojnë cilësinë, qëndrueshmërinë e reformave dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit.
Ju përmendët deklarata politike. Nuk kam ndërmend të replikoj me askënd, por dua të theksoj disa fakte thelbësore që shpesh mungojnë në këtë debat. Shqipëria është vendi i parë, dhe deri tani i vetmi, që po kalon procesin e IBAR sipas metodologjisë së re, e cila ka vendosur një standard të qartë: pa kaluar “provimin” e IBAR-it nuk mund të fillojë faza e mbylljes së kapitujve. Duke qenë të parët, jemi në mënyrë të pashmangshme edhe një pikë reference për vetë funksionimin e kësaj metodologjie.
Gjithashtu, dua të kujtoj se në harkun kohor të një viti, Shqipëria ka ndërmarrë një përpjekje të jashtëzakonshme, po ashtu e paprecedent, për të adresuar 92 hendeqe të identifikuara në kuadër të kapitujve 23 dhe 24, të grupkapitullit “Themeloret”, që përbëjnë thelbin e raportit IBAR. Kjo nuk është thjesht një shifër teknike, por dëshmi konkrete e një pune të thellë reformuese, që prek drejtësinë, administratën publike, luftën kundër paligjshmërisë, shtetin e së drejtës në tërësi, si dhe të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Përmbushja e këtyre kërkesave tregon qartë se Shqipëria nuk është më në fazën e angazhimeve deklarative, por në fazën e rezultateve të matshme.
Nga ana tjetër, vetë fakti që raporti është në tryezën e Këshillit tregon se ai konsiderohet i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Shqyrtimi i detajuar nga shtetet anëtare është një praktikë standarde dhe pjesë e një procesi rigoroz që synon të garantojë cilësinë e zgjerimit. Pra, ajo që po ndodh është një proces normal, i pritshëm dhe në përputhje me stadin e avancuar ku ndodhet Shqipëria sot.
Në këtë kuadër, është e rëndësishme të theksohet se Shqipëria ka ndërtuar tashmë një profil të konsoliduar si partner serioz, i besueshëm dhe i parashikueshëm, dhe kjo reflektohet qartë në mbështetjen që gëzon si në institucionet evropiane, ashtu edhe në shtetet anëtare.
Muhamed Veliu: Si e vlerëson Ministria vijimësinë e procesit të integrimit për Shqipërinë gjatë këtij vit?
Ferit Hoxha: Procesi i integrimit evropian nuk është një projekt i përkohshëm, ai është një zgjedhje strategjike, një orientim i pakthyeshëm dhe, mbi të gjitha, një interes jetik për Shqipërinë dhe për qytetarët shqiptarë, përtej çdo ndarjeje politike.
Shqipëria e ka kaluar prej kohësh fazën e pritjes së gjatë dhe shpeshherë të pajustifikuar. Sot, më shumë se kurrë, vendi ynë është i pozicionuar qartë në një trajektore konkrete drejt anëtarësimit. Nuk ekziston asnjë skenar realist në të cilin Shqipëria të “braktisë” këtë proces apo t’i mbyllet dera për shkak të vështirësive të një procesi tejet kërkues, dukshëm më kërkues se në faza të mëparshme zgjerimi, apo nga interpretime mediatike.
Përkundrazi, realiteti është se procesi po ecën përpara dhe është më i konsoliduar se kurrë më parë. Shqipëria po punon mbi baza të strukturuara, me plane konkrete dhe afate të qarta, duke harmonizuar legjislacionin, duke forcuar institucionet dhe duke rritur standardet në çdo fushë. Ky është një proces i pakthyeshëm, sepse nuk është thjesht një objektiv politik, por një transformim i thellë shtetëror dhe shoqëror.
E kam thënë dhe e përsëris: takimet zhvillohen në Bruksel, por reformat bëhen në Shqipëri; vlerësimet bëhen atje, por rezultatet dhe përfitimet janë këtu, për qytetarët shqiptarë, për të gjithë ne. Integrimi evropian është një investim afatgjatë në demokraci funksionale, ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme. Ky është thelbi i anëtarësimit.
Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se konteksti aktual gjeopolitik e ka bërë zgjerimin një prioritet strategjik për vetë Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, vendet që demonstrojnë progres real dhe besueshmëri, si Shqipëria, nuk kanë më vetëm e thjeshtë një perspektivë: kanë një dritare reale mundësie për të avancuar më tej e që duhet shfrytëzuar në maksimum, siç po bëjmë çdo orë e çdo ditë.
Prandaj, në vend që të vihet në dyshim vazhdimësia e procesit, fokusi duhet të jetë tek përshpejtimi i reformave dhe konsolidimi i rezultateve. Asgjë nuk mund dhe as nuk duhet ta ndalë këtë rrugë. Përkundrazi, çdo sfidë duhet të shërbejë si shtysë për të ecur më shpejt dhe me më shumë vendosmëri përpara.
Muhamed Veliu: A mund të na thoni se kur pritet të miratohet IBAR?
Ferit Hoxha: As unë dhe as askush tjetër në Shqipëri nuk mund të japë një datë të saktë, sepse kjo është një vendimmarrje që u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo bazohet në vlerësimet, analizat dhe proceset e tyre të brendshme.
Ne ende nuk jemi në tryezën ku merren këto vendime, pikërisht aty ku po punojmë të jemi. Ne jemi angazhuar në një proces që është i bazuar në meritë dhe rruga drejt asaj tryeze kalon përmes reformave të thella dhe rezultateve konkrete. Reformat janë fjalëkalimi ynë për të hyrë në familjen evropiane.
Megjithatë, ajo që mund të them me bindje është se Shqipëria është në drejtimin e duhur. Kemi besim të plotë në cilësinë e punës së bërë, në bashkëpunimin me partnerët tanë dhe në seriozitetin e procesit. Çdo hap që kemi ndërmarrë deri më sot ka qenë në funksion të ndërtimit të një procesi të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
Shqipëria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që i takon për të merituar vendin e saj në Bashkimin Evropian, përmes reformave reale, përmes rezultateve të prekshme dhe përmes një angazhimi të palëkundur institucional dhe politik.
Kjo është një rrugë që kërkon durim, por mbi të gjitha kërkon vendosmëri. Dhe sot, Shqipëria i ka të dyja./Top Channel
Po ndodh...
ide
Rama-Berisha, nga burra shteti në Kameleon!
PD-ja, si Firmë Piramidale!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
