Gazment Bardhi mashtroi për kallëzimin ndaj Olsi Ramës, u takua me Veliajn për tu koordinuar?!

30 Mars 2024, 20:55 / POLITIKË ALFA PRESS

Gazment Bardhi mashtroi për kallëzimin ndaj Olsi Ramës, u takua
Në një dalje mediatike, pikërisht ditën kur SPAK-u po prangoste gjithë strukturën e drejtorëve të Bashkisë Tiranë, shumicën e tyre, Gazment Bardhi doli në media dhe shpresoi se do të ngrinte opinionin publik me një akuzë alla "Babale" ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama.

Në fakt, çështja nuk është për të mbështetur Olsi Ramën, por është për të kuptuar se si opozita e çoroditur shkon dhe hidhet sa andej-këndej, ku akuzën e kishte të ngritur, kur drejtorët i kishte të arrestuar, kur po provohej se zgjedhjet ishin blerë dhe duhet të shkonte me akuza më të thella ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, shkon e hidhet tek Edi Rama për njëmijë e një arsye.

Nga njëra anë për të thënë se SPAK-u nuk është i pavarur, nga ana tjetër për të qëndruar te teza se SPAK-u vepron nën komandë, njëherë godet Veliajn, pastaj godet drejtorët e Ballukut, këtë e kontrollon Edi Rama, për këtë ka goditur Sali Berishën e kështu me rradhë.

Në fakt, dalja e Gazment Bardhit u provua që ishte një dështim politik. Së pari, Gazment Bardhi përsëriti akuzat e vjetra, të cilat i kishte thënë Berisha me kohë dhe diheshin nga të gjithë. Pa folur për faktin se akuzat të cilat ngre Gazment Bardhi kanë lidhje brenda opozitës dhe mund t’u kthehet në një bumerang.

Nga ana tjetër, përtej Olsi Ramës, u lanë në hije arrestimet e drejtorëve dhe nuk bënë zhurmën mediatike të duhur, jo thjesht për faktin se mediat janë nën kontroll nga Veliaj, por sepse edhe opozita dha kontributin e saj që t’i hiqej vëmendja.

Fakti më kryesor është ai se Gazment Bardhi theksoi se do të kishte një kallëzim ndaj Olsi Ramës. Në fakt, burime zyrtare i thanë CNA-së se Gazment Bardhi nuk ka bërë një kallëzim në SPAK. Pra, jo vetëm që ka qenë një skemë, por edhe një gënjeshtër publike. Gazment Bardhi thjesht dhe vetëm ka çuar një kërkesë ndaj SPAK-ut në lidhje me çështjet për të cilat ai i kishte denoncuar.

Me pak fjalë, Bardhi i ka kërkuar SPAK-ut ta kallëzojnë ata, ta regjistrojnë ata kallëzimin ndaj Olsi Ramës, jo të bëjë një kallëzim të drejtpërdrejtë vetë.

Është e njëjta skemë që Gazment Bardhi përdori ndaj zyrtarëve të opozitës dy vite më parë kur mbështeste Lulzim Bashën dhe në krah të tij brenda selisë së PD-së, bashkë me Salianjin dhe të tjerë, me hunj në duar, godisnin demokratët, u hidhnin gaz lotsjellës dhe brenda në selinë e PD-së i mbronte me forca të shumta policie, Edi Rama.

Ndaj nuk ka se si Gazment Bardhi të bënte një kallëzim të vërtetë. Ai thjesht dhe vetëm ka mashtruar politikisht dhe i ka shërbyer kryebashkiakut Erion Veliaj në një skemë të dyshimtë.

Sipas disa burimeve, ka pasur edhe një takim të fshehtë midis Gazment Bardhit dhe Erion Veliajt disa ditë më parë në periferi të Tiranës, kur është diskutuar pikërisht dhe skema që do përdorej, ku mediat e Veliajt do të mbanin si goditje ballore dhe qendrore të propagandës vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama, dhe do të liheshin në hije drejtorët e korruptuar, pra shtabi elektoral i Veliajt që bleu votat në maj të vitit të shkuar./CNA

 

Po ndodh...