"Ka pasaktësi"/ Gara për kryetarin e PD, gjykata i kthen mbrapsht padinë Evi Kokalarit

20 Maj 2026, 11:55 / POLITIKË ALFA PRESS

"Ka pasaktësi"/ Gara për kryetarin e PD, gjykata i kthen

Gjykata e Tiranës ka refuzuar të shqyrtojë padinë e Evi Kokalarit për zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike. Gjyqtarja Marjola Beluli ka konstatuar problematika të rëndësishme të karakterit formal, duke vendosur rikthimin e akteve paditëses.

Vendimi është marrë në datë 15 Maj 2026 dhe është zbardhur vetëm së fundmi. Kokalari, e cila ka deklaruar gjithnjë publikisht se është anëtarë e Grupit të Rithemelimit, një strukturë e krijuar në vitin 2023 dhe që kulmoi me largimin nga detyra të ish-kryetarit Lulzim Basha, ka shprehur publikisht vullnetin e saj për të garuar për kreun e PD-së, në zgjedhjet e pritshme të 23 majit 2026.

Rezidente prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kokalari dorëzoi aplikimin e saj në datën e fundit të pranimit të dokumentacioni, në 30 Prill 2026, për garën për drejtimin e Partisë Demokratike, nëpërmjet një “Letër Interesi”, drejtuar kreu aktual, Sali Berisha.

Kërkesa (padia)

Siç thuhet në dokumentacionin e dorëzuar në gjykatë, “…në këtë letër, paditësja ka protestuar kundër kritereve të reja të vendosura në mënyrë të njëanshme dhe të vonuar, të cilat ajo i konsideron antikushtetuese dhe të hartuara posaçërisht për të diskualifikuar themeluesit e Rithemelimit, përfshirë veten e saj”.

Gjithashtu, paditësja (kërkuesja) informon gjykatën se “dokumentacioni përkatës është refuzuar të merret në dorëzim nga personeli apo funksionarët e Partisë Demokratike me motivacionin se “nuk pranojmë zarfe dorazi”.

Në foto: Pjesë nga kërkesa (padia) e aplikantes, Evi Kokalari

Më tej, Kokalari i thotë trupës gjykuese se, “në pamundësi për të dorëzuar dokumentacionin në formë fizike përfaqsuesit kanë vendosur që dokumentacionin ta depozitojnë në rrugë postare, si një nga format e njohura ligjore për depozitimin e tij. Për këtë arsye nëpërmjet dërgesës postare numër 110693xxxx, datë 30.04.2026, me subjekt shërbimin postar DHL. Kjo dërgesë postare rezulton të jetë dorëzuar me datë 04 maj 2026 ora 12.57”.

Kokalari thekson se “refuzimi i pranimit të dokumentacionit nuk ka asnjë bazë statutore apo ligjore”.

Kërkuesja (paditësja) sjell në vëmendje të gjykatës se “ka tentuar të hyjë në garën për Kryetare të Partisë Demokratike që në 19 mars 2026, kur avokati i saj, Ronald D. Coleman (avokat i licencuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës), i ka dërguar letër zyrtare Z. Sali Berisha, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në këtë letër, avokati Coleman kërkoi zyrtarisht që paditësja të lejohej të paraqiste kandidaturën e saj, duke theksuar statusin e saj si themeluese e lëvizjes së Rithemelimit dhe rolin e saj vendimtar në largimin e Lulzim Bashës nga udhëheqja e parties”.

Megjithatë, thekson paditësja, ajo rezulton se është njohur me procedurat e kandidimit për kreun e Partisë Demokratike vetëm në 29 prill 2026, një ditë para mbylljes së afatit të aplikimeve.

Nga media jam vënë në dijeni të vendimit 35/1, datë 18.03.2026 të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), “Për nisjen e procedurës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë”, thotë Kokalari.

Në 5 maj 2026, Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë ka miratuar me votë unanime vendimin e KOKOE-s, duke lënë si kandidat të vetëm për postin e Kryetarit të Partisë z. Sali Berisha.

Në të njëjtën mbledhje, siç thekson Kokalari në kërkesën drejtuar gjykates, “Kryesia ka vendosur me votë unanime përjashtimin e të gjithë kandidatëve të tjerë, përfshirë paditësen Znj. Evi Kokalari dhe kandidatët e tjerë, me argumentin se ‘nuk janë anëtarë të PD-së’”.

Sipas paditëses (kërkueses), “ky vendim i ri konfirmon vazhdimin e praktikës së përjashtimit sistematik të kandidatëve konkurrues dhe thellimin e shkeljeve statutore në kohë reale”.

Duke paraqitur pranë trupës gjykuese një “Vërtetim” të Gjykatës së Tiranës, datë 22 korrik 2024, në të cilin është shënuar se Kokalari është anëtare e Komisionit të Përkohshëm i Rithemelimit të PDSH-së, ajo thotë se është anëtare e Partisë Demokratike dhe se përjashtimi i saj nga gara është anti-ligjor e anti-statutor.

Për këto arsye, ajo kërkoi nga gjykata “Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke pezulluar veprimet e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) si dhe cdo veprimi tjetër organizativ dhe elektoral për procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.

Gjykata e refuzon

Gjykata e Tiranës, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Evi Kokalarit, vendosi “kthimin e akteve”, për shkak të mungesës së disa aspekteve formale. Në vendimin e datës 15 Maj 2026, të siguruar nga “Boldnews.al”, gjyqtarja Marjola Beluli rendit pesë arsye:

Së pari, nuk është paguar tarifa e kërkesës sipas ligjit, dhe as shpenzimet paraprake për njoftimin e palëve.

Së dyti, nga pala paditëse është përcaktuar si adresë për efekt njoftimi adresa pranë Avokate Livia Xhafa. Bashkëlidhur kërkesës nuk rezultoi i dorëzuar akti i përfaqësimit prokurë e posaçme ose e pergjithshme.

Në foto: Vendimi i gjykatës për kërkesën (padinë) e Evi Kokalarit

Së treti, në tërësi aktet e dorëzuara në gjykatë, bashkëlidhur kërkesës, duke përjashtuar aktin çertifikatë lindje për Evi Kokalarin, rezultuan të dorëzuara jo në formën e kërkuar ligjore, pasi janë dorëzuar në fotokopje. Aktet provuese në Gjykatë duhet të dorëzohen ose në origjinal, ose të noterizuara në përputhje me Ligjin. Nr. 110/2018 “Për noterinë në RSh” ose të njehsuara nga instituconet perkatëse, nëse parashikohet sipas ligjeve te veçanta një e drejtë e tillë. Në këtë rast, aktet janë dorëzuar ose fotokopje e thjeshtë ose fotokopje me ngjyra.

Së katërti, u konstatuan gjithashtu, se aktet nëpërmjet të cilave pala kërkuese pretendon të provojë dërgesën e bërë me postë nuk janë në gjuhën shqipe. Aktet duhe të jenë të përkthyera rregullisht në përputhje me ligjin.

Së pesti, edhe formalisht kërkesa nuk është paraqitur e rregullt, herë paraqitet si kërkesë dhe herë si padi. Pala në këtë rast duhet të qartësojë pozitën procedurale të palëve.

Mbi këto argumenta, gjykata e Tiranës ka vendosur “kthimin e akteve” paditëses (kërkeses) Evi Kokalari, pa marrë në shqyrtim themelin e çështjes.

Më herët, Gjykata e Tiranës vendosi kthimin e akteve edhe për një padi të aplikantes tjetër për garën për kryetar të Partisë Demokratike, Mereme Sela./ BoldNews.al

Po ndodh...