Kërkoi 1 milion euro dëmshpërblim për prishje imazhi, Gjykata Administrative rrëzon padinë e aktores Anila Bisha

23 Shkurt 2026, 22:35 / POLITIKË ALFA PRESS

Kërkoi 1 milion euro dëmshpërblim për prishje imazhi,

Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga aktorja Anila Bisha.

Në padinë e depozituar ndaj Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Këshilli i Ministrave, aktorja kërkonte pezullimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili vendosi të mos pranojë kërkesën për masë sigurie.

Bisha ka kërkuar gjithashtu një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për dëmtim imazhi. Ajo pretendon se pamja dhe zëri i saj janë përdorur për krijimin e avatarit qeveritar “Diella”, pa miratimin e saj.

Në këtë proces gjyqësor janë përfshirë si palë të paditura Këshilli i Ministrave, kompania “Apel” sh.p.k., AKSHI dhe kryeministri Edi Rama. Deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, aktorja kërkon ndalimin e përdorimit të të dhënave të saj personale.

Sipas saj, kontrata që kishte lidhur parashikonte përdorimin e imazhit vetëm si asistente virtuale për shërbimet e platformës e-Albania. Ajo pretendon se shndërrimi i “Diellës” në ministre është bërë pa pëlqimin e saj dhe në kundërshtim me marrëveshjen.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë theksohet se krijimi i avatarit është realizuar pa asnjë miratim paraprak nga aktorja dhe pa e vënë atë në dijeni. Bisha shprehet se u ndje e befasuar kur kryeministri prezantoi publikisht “Diellën” në shtator 2025 dhe konstatoi ngjashmërinë me imazhin e saj.

Në padi thuhet gjithashtu se janë përdorur në mënyrë të paligjshme të dhënat e saj personale, përfshirë imazhin dhe zërin duke krijuar një “duplikat digjital” të saj pa autorizim.

Po ndodh...