Kush po e drejton ofensivën ndaj establishmentit të korruptuar të tranzicionit?

12 Gusht 2023, 09:49 / EDITORIAL NGA RED VARAKU

Kush po e drejton ofensivën ndaj establishmentit të korruptuar të

Ka shumë variante që tentojnë të shpjegojnë reagimin e pashpjegueshëm të Ramës në lidhje me kullën Mali i Tiranës, ku për herë të parë ai i doli në mbrojtje fare hapur Shkëlzen Berishës, duke tentuar të hedhë poshtë zërat për blerjen e opozitës. 

Disa janë të mendimit se ai u detyrua të dilte nga strofkulla për shkak se çështja e kullês ndezi një debat mbi grabitjen e hapësirave publike nga oligarkë pranë tij dhe kjo i shkakton atij jo pak kosto në opinionin publik dhe për këtë i japin meritë Arlind Qorit. 

Disa të tjerë mendojnë që ai doli si garantues i këtij projekti siç në fakt ka bërë gjithmonë sa herë ka akuza për klientelizëm apo zëra për akte të pastra korruptive. Në fakt këtë gjë e ka bërë edhe për inceneratorët . 

Të tjerë mendojnë se ai doli për t’i dhënë një mesazh regjisorit të këtij sulmi që sipas tyre është Veliaj , i cili po e bën këtë si kërcënim për Ramën në rast se ky i fundit do tentojë ta djegë atë tek inceneratorët. Pra, këta e shohin si luftë të brendshme në PS dhe ironikisht këtë e bëjnë duke mbështetur tezën e Ramës. 

Por, e vërteta është që në reagimin e tij e vetmja gjë e re ishte përpjekja për të hedhur poshtë zërat që e akuzojnë atë se ka “blerë” foltoren e drejtuar nga Sali Berisha ,duke i dhuruar oligarkëve që e financojnë atë miliona dollarë dhe Mali i Tiranës ishte një provë ulëritëse që e provonte këtë të vërtetë. 

Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë : marrëveshja e 2008 menjëherë pas Gërdecit, rrotacioni i shitur i 2013 me kumbar Ilir Metën, afera Mcgonical ku u tentua eliminimi politik i Lul Bashës dhe së fundmi Mali i Tiranës që ekspozon thelbin e problemit të krizës politike shqiptare evidentojnë pikërisht mekanizmin që ka marrë peng demokracinë shqiptare, marrëveshjen Rama-Berisha. 

Mekanizëm që u evidentua nga SHBA-të menjëherë pas rrotacionit të shitur të 2013, të cilët në 2014 ideuan reformën në drejtësi si e vetmja mënyrë për të eliminuar pikërisht këtë mekanizëm.  

Jo rastësisht Partia Demokratike ( e cila ndërmori të vetmin akt institucional për pengimin e ndërtimit të Malit të korrupsionit dhe ndëshkimin e autorëve) e çoi këtë aferë në SPAK, sepse siç e thamë ndëshkimi i aktorëve kryesorë që qëndrojnë pas kësaj skeme që ka marrë peng dhe ka minuar demokracinë shqiptare është detyra kryesore e drejtësisë. 

Kështu tashmë është e qartë që jemi përballë një kundër-skeme të pregatitur nga ideuesit dhe investuesit kryesorë të demokracisë shqiptare që pritet të egzekutohet nga SPAK. 

“Inceneratorët” të cilët do hanë “kokat” e Ramës në mazhorancë dhe “Mali i Tiranës” që do të hajë “pa nder” edhe kokën e Ramës në opozitë prej 2008.

Po ndodh...