“Kuvendi shkeli për më shumë se një vit vendimin e Kushtetueses”, Erisa Xhixho: Qeveria s’mund të përdorë vakumin ligjor për arrestimin e qytetarëve

27 Mars 2023, 16:40 / POLITIKË ALFA PRESS

“Kuvendi shkeli për më shumë se një vit vendimin e

Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka deklaruar se e drejta e tubimit nuk është respektuar nga shteti shqiptar, ndërsa ka kujtuar se më 18 mars 2021, është propozuar zbatimi nga Kuvendi i Shqipërisë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që ka shfuqizuar si antikushtetues togfjalëshin “pa marrë më pare leje nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho u shpreh se Kuvendi është në shkelje të Kushtetutës që nga 2.12.2021, kur ishte afati i lënë nga Gjykata Kushtetuese për plotësimin e normës ligjore.

Ajo shtoi se kjo qeveri nuk mund të përdorë vakumin ligjor për arrestime të paligjshme të qytetarëve në protesta.

Postimi i plotë:

Kuvendi i Shqipërisë në gjendje antikushtetueshmërie për të drejtën e tubimit!
Sot në diskutimin tim në Komisionin e Ligjeve prezantova projektligjin që kemi depozituar që më 18 mars 2021, kur kemi propozuar zbatimin nga Kuvendi i Shqipërisë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese , e cila ka shfuqizuar si antikushtetues togfjalëshin “pa marrë më pare leje nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal, që lidhet me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme.

Ndryshimi ka të bëjë me nenin 262 të Kodit Penal, me vendimin nr.24 ,më datë 4.05.2021 të Gjykata Kushtetuese e cila e ka shpallur antikushtetues dhe ka urdhëruar Kuvendin të plotësojë normën ligjore brenda 6 muajve nga botimi në Fletoren Zyrtare.

Pra, Kuvendi është në shkelje të Kushtetutës që nga 2.12.2021, kur ishte afati i lënë nga Gjykata Kushtetuese për plotësimin e normës ligjore, pra jemi 1 vit e 2 muaj në shkelje të vendimit të Kushtetueses.

Zbatimi i vendimit jo vetëm nuk ka ndodhur, duke bërë që Kuvendi të jetë në gjendje antikushtetueshmërie, por që atëherë, në shkelje të hapur të vendimit të Kushtetueses, janë favorizuar në mënyrë indirekte organet e policisë që të kryejnë arrestime në masë, duke u justifikuar se po zbatojmë nenin 262 (edhe pse i shpallur si i papajtushëm me nenin 47 të Kushtetutës), sipas të cilit, se kush organizon manifestime, ndëshkohet.

Kanë qenë me qindra qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit, të cilët kanë kaluar ditë të tëra në dhomat e ndalimeve policore, kanë dalë më pas edhe përpara gjykatave, të cilat siç edhe është bërë publike, kanë shqyrtuar çështjet respektive dhe duke u gjendur përpara kësaj situate absurde ligjore, në zbatim edhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë bërë vlerësimin e tyre, duke i liruar qytetarët e ndaluar.

Zvarritja e kësaj çështjeje nga ana e Kuvendit është e patolerueshme.

Si pasojë e kësaj zvarritjeje, janë penalizuar padrejtësisht qytetarë të përfshirë në protesta të ndryshme, që nga protestuesit kundër tarifës së Rrugës së Kombit, protestat e opozitës, protestat për mbrojtjen e burimeve natyrore, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar apo edhe protesta të tjera për rritjen e frikshme të çmimit të naftës dhe shumë artikujve të tjerë bazë.
Ndër rastet më flagrante ka qenë ai i mbi 700 procedimeve ndaj protestuesve të Unazës së Re, me akuzën për protestë të paligjshme!

E drejta për protestë është një e drejtë themelore dhe kjo qeveri nuk mund të përdorë vakumin ligjor për arrestime të paligjshme.

Ne jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund nismës për përmbushjen e detyrimit me të cilin Gjykata Kushtetuese ngarkon organin ligjvënës.