Marrëveshja për emigrantët/ Gogu: Shqipëria në mision humanitar. Italia garanci për qendrën e pritjes në Lezhë

20 Nëntor 2023, 17:45 / POLITIKË ALFA PRESS

Marrëveshja për emigrantët/ Gogu: Shqipëria në mision

Duke u ndalur në çështjen shumë të diskutuar sikurse është ajo e marrëveshjes me Italinë për emigrantët dhe për qendrën e pritjes që do të ngrihet në Lezhë, deputeti i PS-së, Tonin Gogu e quajti këtë si një marrëveshje humanitare mes dy vendeve.

Në “Jetë Shqiptare”, deputeti i mazhorancës theksoi se, “marrëveshja është një bashkëpunim i veçantë i një vendi të BE-së me një vend që aspiron të jetë i tillë. Për mua është një marrëveshje humanitare që kemi rënë dakord që ta nënshkruajmë , mbështetur në  traktatin e Miqësisë dhe historisë së marrëdhënieve me dy vendeve tona”.

Por sipas tij, kjo marrëveshje do na shërbejë dhe për rritjen e kapaciteteve si vend pritës dhe për shkak të vendndodhjes sonë strategjike në Mesdhe.

“Me ketë marrëveshje ne risim dhe kapacitetet e vendit tonë që të përballemi me këtë situata krize në të ardhmen sepse nuk jemi vetëm vend fqinj me Italinë por jemi dhe pjesën veriore të Mesdheut, gjë që na bënë të jemi gati në rast krize të emigrantëve”, u shpreh ai.

“Së bashku me palën italiane ushtrojmë një mision humanitar për të ngritur këtë “qendër-pritje”, shtoi deputeti,  ku do të presim persona që në vendin e tyre të origjinës përballen me shkeljen e të drejtave të njeriut”.

Gjithashtu duke folur për pikat e marrëveshjes me Italinë, Gogu ka hedhur dritë me disa prej tyre që kanë të bëjnë me sigurinë e kësaj qendre pritje.

“Për sa i përket sigurisë qendra e pritjes do të jetë e mbyllur që do i siguroj kushtet e nevojshme për të jetuar dhe ku do procedojnë dokumentacionin e tyre përsa kohë do të pranohen apo kthehen pas në vendet e tyre të origjinës.  Do ketë një terminal për pritjen e tyre ku shteti italian garanton që të regjistroi çdo person që do të jetojë në këto qendrat e pritjes”, deklaroi ai.

Sipas tij, Policia e Shtetit do të shoqëroj nga zbritja deri në pikën e qëndrimit dhe sigurisht do ketë një perimetër sigurie ku forcat e rendit do të jenë gjithmonë të pranishëm.