Mashtrimi qindra milionë euro me Call Center-a, arrestohet në Dubai Amant Josifi, ish-ortaku i Olsi Ramës

14 Shtator 2023, 14:29 / AKTUALITET ALFA PRESS

Mashtrimi qindra milionë euro me Call Center-a, arrestohet në Dubai

Amant Josifi, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për një skemë mashtrimi miliona euro ndaj qytetarëve europianë përmes Call Center-ave, është arrestuar në Dubai.

Më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, SPAK bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar. Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka si dhe ish-ortak në biznes me vëllanë e kryeministrit të vendit, Olsi Rama.

Operacioni i iniciuar nga autoritetet spanjolle zbuloi se Amant Josifi ishte një prej lojtarëve kyç i një organizatë të mirëfilltë kriminale, që kishte mashtruar mijëra qytetarë europianë, për një vlerë prej të paktën 2.4 miliardë euro.

Gjatë aksionit të kryer në Shqipëri, policia dështoi të arrestonte Amant Josifin, duke ngritur dyshimet e forta se aksioni ishte dekonspiruar. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, se ka bërë gjithçka që Josifi t’i shpëtonte prangosjes.

Amant Josifi dhe Olsi Rama kanë qenë ortak të hershëm, që prej vitit 2014, në një kompani që ofron shërbime telekomunikacioni.

Po ndodh...