Mori miratimin nga Parlamenti, Taulant Balla betohet sot te Presidenti si Ministër i Brendshëm

15 Korrik 2023, 11:09 / POLITIKË ALFA PRESS

Mori miratimin nga Parlamenti, Taulant Balla betohet sot te Presidenti si
Dy ditë pasi mori miratimin nga Parlamenti, Taulant Balla do të betohet sot para Presidentit të Republikës si Ministër i Brendshëm.

Ceremonia pritet të nisë në orën 11:00 në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Kuvendi miratoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.

Balla është një ndër zërat më të fortë të mazhorancës në Kuvend, ku ka përballuar pothuajse i vetëm betejat me opozitën, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe ne gjykatë dhe Balla ka dalë fitues për akuzat ndaj tij.

Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.

Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.

Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.

Po ndodh...

ide