Protesta e thirrur nga Rithemelimi/ Berisha e ndjek nga arresti, Rama nga Turqia, çfarë dihet deri më tani

20 Shkurt 2024, 11:06 / POLITIKË ALFA PRESS

Protesta e thirrur nga Rithemelimi/ Berisha e ndjek nga arresti, Rama nga

Sot më 20 shkurt do të zhvillohet protesta e thirrur nga grupimi i Rithemelimit dhe grupimi i deputetit Gazment Bardhi.

Kjo protestë që përkon dhe me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha do të zhvillohet para kryeministrisë.

Protesta e sotme do të zhvillohet pa praninë fizike të liderit të Rithemelimit Sali Berisha, i cili ndodhet nën arrest dhe pa praninë e një pjese të PD-së që përfaqësohet nga Lulzim Basha.

Megjithatë pritshmëritë e organizatorëve flasin për një pjesëmarrje masive. Sali Berisha pritet që t’i drejtohet turmës së mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i banesës së tij, i cili do të shfaqet para protestuesve përmes ekraneve.

Protesta është thirrur në orën 17 e 30, ndërsa përfundimi i saj nuk dihet ende, ndërsa në tavolinë më herët janë hedhur dhe skenarët për një grevë të mundshme urie nga ana e deputetëve demokratë.

Kryeministri Edi Rama, teksa opozita do të protestojë, nuk do të jetë në Shqipëri. Gjatë kësaj të marte ai do të udhëtojë drejt Turqisë, ku pritet të ketë një takim me presidentin Erdogan gjatë së cilit do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje dypalëshe.

Masat e policisë

Në terren gjatë ditës së sotme pritet që të jenë 1100 efektivë policie, duke nisur nga FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës. Në gadishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, si dhe në disa pika të ndryshme të qendrës së Tiranës, do të jenë të instaluar autobote me ujë, të cilat do të bëjnë edhe shpërndarjen e protestuesve, në rast se do të ketë incidente.

Siç ka ndodhur në protestat e fundit, punonjësit e policisë do të formojnë një koordon sigurie, përpara kryeministrisë, ndërkohë që në terren do të jenë dhe agjentë civilë për të monitoruar protestën.

Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë. Segmentet rrugore që janë të bllokuara 2 orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

 

Po ndodh...