Sulm kibernetik ndaj gjigantit norvegjez të naftës dhe gazit Equinor

17 November 2026, 23:05 / BOTA ALFA PRESS
Sulm kibernetik ndaj gjigantit norvegjez të naftës dhe gazit Equinor

 

Grupi norvegjez i naftës dhe gazit, Equinor, ka njoftuar se ka zbuluar një sulm kibernetik në vijim ndaj disa prej sistemeve të tij të teknologjisë së informacionit (IT).

Kompania, furnizuesi më i madh i gazit në Evropë, bëri të ditur të martën se sulmi nuk ka ndikuar në operacionet dhe prodhimin e saj.

Në një deklaratë zyrtare, Equinor theksoi se nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë se janë vjedhur informacione, ndërsa shtoi se ka ndërmarrë masa për të neutralizuar sulmin. Një zëdhënës i kompanisë refuzoi të jepte detaje të mëtejshme mbi incidentin.

Agjencia norvegjeze e lajmeve NTB raportoi, duke iu referuar kompanisë, se ndërprerjet kanë prekur përdorimin e aplikacioneve të IT-së dhe sistemeve të brendshme.

Ndërkohë, një punonjës i Equinor, i cili foli për Reuters në kushte anonimiteti, bëri të ditur se sistemi i brendshëm i postës elektronike të kompanisë ishte jashtë funksionit.

Autoriteti Norvegjez i Sigurisë Kombëtare (NSM) konfirmoi se ishte në dijeni të incidentit.

“Po ofrojmë ndihmë sipas nevojës”, deklaroi një zëdhënës i këtij institucioni.

Muajin e kaluar, NSM e rriti vlerësimin e rrezikut për sulmet kibernetike në nivelin katër, në një shkallë me pesë nivele, duke paralajmëruar se qytetarët duhet të përgatiten për pasojat e sulmeve të mundshme ndaj infrastrukturës kritike, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike.

Sipas autoritetit, operacionet kibernetike të suksesshme kundër kompanive norvegjeze janë trefishuar gjatë gjashtë muajve të fundit.

“Incidenti që po përjeton aktualisht Equinor konfirmon se ky rrezik është vërtet i lartë”, deklaroi zëdhënësi i NSM-së të martën.

Po ndodh...