Protestat nuk do ta ndryshojnë balancën politike, por tregojnë probleme sistemike me demokracinë e Shqipërisë

Vala aktuale e protestave në Shqipëri, e cila shpërtheu në dhjetor 2025, është shkaktuar kryesisht nga pakënaqësia ndaj korrupsionit sistemik dhe kërkesat për dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.
Qeveria është kritikuar ashpër për përpjekjet për të kufizuar punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), veçanërisht pasi parlamenti refuzoi të heqë imunitetin e Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, për të lejuar arrestimin e saj. Balluku akuzohet për manipulim të tenderëve publikë dhe keqpërdorim fondesh.
Gjatë protestës që u zhvillua më 30 mars, në sheshin përpara Kryeministrisë, lideri i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, akuzoi Ramën për mbrojtje të interesave personale dhe të bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë Belinda Ballukun.
“Në fakt, ai po mbron veten, po mbron familjen e tij, po mbron qindra miliona e miliarda fonde të vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë dhe të vendosura në llogaritë e tij nëpër botë”, deklaroi Berisha.
Pavarësisht se këto protesta shpesh përfundojnë me përplasje me policinë, përdorim gazi lotsjellës, topa uji dhe molotov, siç ndodhi më 23 mars, analistët shprehen për EWB se Shqipëria nuk ndodhet ende në një krizë të thellë politike.
“Protesta e opozitës mund të arrijë të tërheqë vëmendjen në kryeqytetet perëndimore dhe në media, veçanërisht në Paris, Berlin dhe Bruksel, ndaj akuzave për korrupsion brenda qeverisë Rama, si dhe ndaj hendekut mes realitetit të brendshëm në Shqipëri dhe imazhit të kuruar me kujdes të Kryeministrit Rama jashtë vendit.
Ajo mund të kontribuojë gjithashtu në rritjen e presionit publik mbi qeverinë. Megjithatë, nuk ka gjasa të përbëjë një kërcënim serioz për shumicën e saj të fortë parlamentare”, thekson profesori Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike (IPS).
Sipas Blerjana Binos, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) në Tiranë, “ajo që po shohim përshkruhet më mirë si një gjendje kronike e polarizimit politik, e cila me kalimin e kohës mund të bëhet po aq e dëmshme sa një krizë e menjëhershme”.
“Kemi parë cikle të ngjashme më parë: protesta që krijojnë dukshmëri dhe moment afatshkurtër, por që në fund nuk ndryshojnë rezultatet politike. Këto protesta, megjithëse të rëndësishme, nuk kanë arritur ende shkallën apo përfshirjen shoqërore të një mobilizimi të gjerë qytetar që do të ndryshonte thelbësisht balancën politike. Megjithatë, ato nuk duhen nënvlerësuar. Ato sinjalizojnë një pakënaqësi të vazhdueshme ndaj qeverisjes, llogaridhënies dhe mungesës së perceptuar të pasojave për ata që janë në pushtet”, thotë Bino.
Në mënyrë të ngjashme, Franziska Tschinderle, gazetare e huaj me bazë në Tiranë, vëren se këto lloj protestash nuk janë të reja në Shqipëri.
“PD ka vite që i bën thirrje mbështetësve të saj të dalin në rrugë, duke akuzuar qeverinë Rama për abuzim me detyrën dhe korrupsion. Ajo që është e re këtë herë është fakti se drejtësia ka ngritur akuza ndaj anëtarëve të nivelit të lartë të qeverisë Rama, ndër ta një nga gratë më të fuqishme në vend, Belinda Balluku. Ironia është se vetë Rama e ka krijuar këtë institucion (SPAK) që tani po ndjek penalisht rrethin e tij të afërt”, thotë ajo.
A mund ta detyrojë opozita Ramën të japë dorëheqjen?
Opozita, e udhëhequr nga Partia Demokratike, e akuzon Ramën për “kapje të shtetit” dhe kërkon krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur vendin për zgjedhje të parakohshme.
Nga ana tjetër, Rama ka iniciuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale (neni 242) për të parandaluar pezullimin e zyrtarëve të lartë, përfshirë anëtarët e kabinetit dhe Kryeministrin, gjatë hetimeve. Këto ndryshime synojnë të mbrojnë degën ekzekutive nga masat e pezullimit gjyqësor, duke ngritur shqetësime për balancën e pushteteve dhe pavarësinë e drejtësisë.
Gjithashtu, në fund të shkurtit 2026, Kryeministri realizoi një riorganizim të madh të qeverisë dhe shkarkoi shtatë ministra, përfshirë Belinda Ballukun.
Blerjana Bino thekson se protestat aktuale nuk kanë gjasa të çojnë në dorëheqjen e Ramës.
“Megjithëse ato pasqyrojnë frustrim real publik, veçanërisht për akuzat e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, opozita mbetet e fragmentuar si politikisht ashtu edhe organizativisht. Ajo nuk ka treguar ende nivelin e kohezionit, besueshmërisë apo mobilizimit të qëndrueshëm të nevojshëm për ta kthyer pakënaqësinë publike në presion politik vendimtar”, thekson ajo.
Ajo shton se ekziston një perceptim i përhapur publik: nëse Rama largohet, Berisha rikthehet, dhe të dy lidhen në perceptimin publik, në mënyra dhe kohë të ndryshme, me korrupsionin. Kjo simetri mosbesimi kufizon ndjeshëm aftësinë e opozitës për t’u shndërruar në alternativë të besueshme qeverisëse.
Sipas saj, riorganizimi i fundit i kabinetit është një instrument standard për menaxhimin e presionit dhe nuk përbën domosdoshmërisht një krizë të thellë.
“Rreziku nuk është kolapsi, por erozioni gradual demokratik – dhe kjo është në disa mënyra më e rrezikshme”, thotë ajo.
Franziska Tschinderle thekson se këto protesta janë të ndryshme nga ato në Serbi, pasi drejtohen nga PD dhe funksionojnë me një logjikë “nga lart-poshtë”.
Ndërkohë, Afrim Krasniqi thekson se opozita mbetet e dobët, ndër të tjera për shkak se lideri i saj përballet me procese gjyqësore dhe sanksione nga SHBA.
Ai shton se Shqipëria po përjeton një krizë të mbipërqendrimit të pushtetit dhe arrogancës së pushtetit personal, duke vënë në pikëpyetje kapacitetin për reforma reale kundër korrupsionit.
Shqipëria rrezikon pasoja nga BE
Ekzistojnë shqetësime të mëdha se skandalet e korrupsionit dhe tensionet politike mund të dëmtojnë progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë thelbësore për procesin e anëtarësimit, ndërsa garantimi i kushteve për funksionimin e SPAK është kyç.
Sipas analistëve, SPAK shihet si institucioni më i besuar në vend dhe një faktor real presioni ndaj qeverisë, më shumë sesa protestat.
Rasti Balluku mund të ndikojë negativisht në imazhin e qeverisë jashtë vendit dhe në ecurinë e negociatave me BE-në, veçanërisht në një moment kyç si raporti IBAR.
Nëse qeveria nuk ndryshon qasje, Shqipëria mund të përballet me pasoja nga BE dhe rritje të tensioneve të brendshme. Në të kundërt, hapa korrigjues dhe progres real në hetime mund ta stabilizojnë situatën pa kosto të larta.
Në përfundim, ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh nuk është ndalimi i procesit të integrimit, por krijimi i një hendeku midis reformave në letër dhe zbatimit real të tyre në praktikë./Përktheu Alfapress.al, marrë nga European Western Balkans
Po ndodh...
ide
Rama-Berisha, nga burra shteti në Kameleon!
PD-ja, si Firmë Piramidale!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128