Tjetër goditje për Ramën! A po përgatit SPAK arrestimin e tij? Afera e inceneratorëve nxjerr zbuluar Ëngjëll Agaçin

Pas goditjes së zv.kryeministres, Belinda Balluku, dhe biznesmenit Ergys Agasit, kryeministri Edi Rama është duke u përgatitur të durojë një tjetër “shuplakë” të fuqishme nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi i aferës korruptive të inceneratorëve, i cili ka lënë disa litarë jashtë prej vitesh, duket se tashmë është afruar në zyrën ngjitur të kreut të qeverisë.
Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, i konsideruar edhe si “eminenca gri” e shefit të qeverisë, duket se do të jetë personazhi i radhës në oborrin e Ramës që do të provojë shijen e hidhur të prangave nga prokurorët e posaçëm.
Burime konfidenciale për “Boldnews.al” deklaruan se historia e inceneratorëve ende nuk është mbyllur dhe se tashmë janë krijuar dyshime të forta mbi rolin e Agaçit.
Hetimi për aferën e Djegësave ka nisur rreth 5 vjet më parë. Deri më tani, personazh kryesorë të arrestuar e dënuar janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako. Bashkë me ta, janë shpallur fajtor edhe një dyzinë zyrtarësh të niveleve më të ulta, si edhe biznesmenë.
Një mori provash e faktesh të dala ndër vite, kanë krijuar dyshimet e forta publike se afera, me kosto rreth 430 milionë euro, është ideuar dhe zbatuar nga njerëz me pushtet shumë të lartë në Shqipëri, përfshirë kreun e qeverisë, Edi Rama, ministren e Infrastukturës, Belinda Balluku, kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj dhe, me një rol deçisiv në hartimin e procedurave, Ëngjëll Agaçi.
Ka shumë indikatorë që tregojnë se afera qindra-milionë euro e inceneratorëve mbërrin deri në majën e kupolës shtetërore.
Kjo nuk është thjesht një retorikë, por e mbështetur në të dhëna dokumentare e dëshmi të dhëna nën betim nga personazhet që kanë pasur të drejtën për të firmosur e vulosur procedurat paraprake dhe kontratat që kanë pasur një përfitues të vetëm të dukshëm-Klodian Zoton.
Gjeneza e aferës nisi me procedurat për impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, të cilat u pasuan me sipërmarrjet e ngjashme në Fier dhe Tiranë.
Dhe, kontrata e Elbasanit mund të marrë me vete kupolën e Edi Ramës, në rast se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), do të jetë e lirë për të vepruar.
Dokumentat dëshmojnë për rolin thelbësor të ish-zëvendës-kryeministrit, Arben Ahmetaj dhe ish-Ministri i Infrastrukturës dhe aktualisht deputetit Damian Gjiknuri.
Por, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, mbi ta qëndron emri i Ëngjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Në shtator të vitit 2014, Ministra e Mjedisit, nën drejtimin e Lefter Kokës, nis një procedurë të përzier për të dhënë me koncesion me negocim pa shpallje impiantin e përpunimit të mbetjeve në Qarku e Elbasanit.
Procedura nisi pas propozimit të pakërkuar, të dorëzuar nga “Albtek Energy”, një kompani pa eksperiencë dhe pa kapitale për të realizuar një sipërmarrje të tillë.
Lefter Koka komunikon me kolegë të ndryshëm qeveritarë, ku u kërkon aprovimin paraprak për financimin e projektit.
Të dhënat zyrtare dëshmojnë se Arben Ahmetaj, në atë kohë Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës, shprehen dakord për financimin e projektit, bazuar në procedurën e përzgjedhur nga Lefter Koka.
Ministri i Financave të asaj kohe, Shkëlqim Cani, tregohet skeptik. Ndërmjet tij dhe Lefter Kokës zhvillohet një komunikim intensiv.
Në përfundim, në nëntor 2014, Cani “dorëzohet” dhe jep mbështetjen e tij në parim, por paraprakisht duhej marrë opinioni i Damian Gjiknurit për disa aspekte teknike.
Më tej, Lefter Koka vijon komunikimet me institucionet qeveritare, për finalizimin e mbështetjes financiare për kontratën koncensionare.
Drejtori i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) të asaj kohe, Eduart Ahmeti, vë në dijeni Lefter Kokën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi, se procedura e përzgjedhur nga Ministria e Drejtësisë nuk është e parashikuar në ligj.
Qëndrimi i APP-së mbetet i vetëm.
Në 17 Dhjetor 2014, Këshilli i Ministrave miraton Vendimin nr. 907, dt. 17.12.2014 “Për dhënien e miratimit të financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit dhe të prodhimit të Energjisë”, mbështetur në procedurën e propozuar nga Lefter Koka dhe që, sipas SPAK-ut, është e paligjshme.
Ëngjëll Agaçi, në dëshminë e tij nën betim para Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e inceneratorëve, deklaroi se Vendimi i Këshillit të Ministrave për financimin e inceneratorit të Elbasanit, nuk është miratuar sipas propozimit të Lefter Kokës.
Agaçi u shpreh se financimi “…nuk është rezultat i procedurës së inicuar nga ish Ministri Koka, por rezultat i një procedure tjetër…”.
Për këtë procedurë “të re”, nuk u prezantua asnjë relacion paraprak apo komunikim ndërministror.
Për më tepër, deklarimet e tij ngrenë dyshime thelbësore.
Në 17 Dhjetor 2014, pikërisht ditën që është miratuar Vendimi për financimin e inceneratorit të Elbasanit, Lefter Koka dërgon në Qeveri dokumentat-“Relacionin”, “Kontratë të nënshkruar me Albtek Energy”, si edhe “draft-Vendimin e Këshillit të Ministrave”, ku në çdo rast parashikohet që procedura e përzgjedhur është ajo e “negocimit, pa shpallje paraprake”.
Nëse konsiderohen të sakta deklarimet e Agaçit, sërish është e paqartë se kur është hartuar kjo procedurë e re, kush ka marrë pjesë dhe si është realizuar brenda një dite të vetme, ndërkohë që për procedurën e propozuar nga Lefter Koka u shpenzua një kohë relativisht e gjatë, rreth 4 muaj.
Dyshimet më logjike janë se Këshilli i Ministrave ka miratuar të gjithë projektin e propozuar nga Lefter Koka dhe, vetëm në momentin e fundit, ka ndryshuar llojin e procedurës në tekstin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e financimit të inceneratorit të Elbasanit./BoldNews
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
