Pse Rama nuk jep dorëheqjen?

4 October 2026, 10:19 / IDE NGA PëRPARIM GJEKA
Pse Rama nuk jep dorëheqjen?

Nga Përparim Gjeka

Në çdo studio që shkojmë ne të protestës na bëhet kjo pyetje, e cila  duket se synon të na intimidojnë: Pse për 4 muaj nuk kemi arritur ta rrëzojmë Ramën?!

 Në fakt, pyetja i duhet bërë opozitës parlamentare, që paguhet nga taksat tona, se pse nuk e ka rrëzuar në 14 vjet këtë mazhorancë, e cila u duk që në krye të herës se ishte një pengesë për zhvillimin normal të vendit.

 

Protesta është vetëm një presion popullor që ndihmon presionin politik. Pushteti në demokraci mundet dhe largohet kur përballë tij ndërtohet një forcë që është në gjendje ta sfidojë, ta kontrollojë, ta ekspozojë, ta mundë politikisht dhe t'u japë qytetarëve një alternativë reale. Një protestë me njerëz vullnetarë, që janë të detyruar të punojnë për të siguruar të ardhura në punë të tjera, të lënë shumëçka nga jeta e tyre normale për t'u angazhuar në protestë disa orë në ditë, nuk mund të funksionojë si një opozitë politike, me gjithe kerkesat e saj politike. 

Kriza politike është tjetërkund. Ne kemi një opozitë profesioniste (që punën kryesore ka marrjen e pushtetit), e cila nuk përfaqëson vullnetin e protestës. Aty ka deputetë që vijnë njësoj si protestues të thjeshtë, pra nuk bëjnë thuajse asgjë më shumë se sa një protestues i thjeshtë dhe bëjnë më pak se anëtarët e grupit koordinues të protestës. 

Ndonjë prej tyre, përfaqësues të partive të mëdha dhe të vogla opozitare, patën guximin të mos i merrnin seriozisht deklarimet e mia ne debat se ata nuk po e bëjnë punën e tyre, nuk përfaqësojnë vullnetin e përgjithshëm qytetar të shprehur në protestë dhe janë të gjithë në mbrojtje të establishmentit. Meqë për efekt kohe televizive nuk kam pasur mundësi, ja ku po ua shpjegoj në këtë shkrim.

A e ka frikësuar opozita aktuale parlamentare pushtetin dhe mazhorancën që të mos abuzojë me pushtetin, sepse "po nuk punuam mirë, na marrin pushtetin"? Përgjigjja është JO! Vetem protesta qytetare arriti te impononte qofte edhe formalisht "besa", "pasqyra" "empatira" dhe "amanete" nga Rama. 

Një pushtet duhet të dijë se çdo abuzim do të ketë një kosto. Duhet të dijë se përballë ka një opozitë që e ndjek, e kontrollon, e dokumenton dhe, kur është e nevojshme, e çon deri në fund politikisht dhe institucionalisht çdo çështje. 

A ka përdorur opozita me forcë interpelancat, komisionet hetimore dhe mekanizmat e tjerë parlamentarë për ta detyruar mazhorancën të japë llogari për vendimet dhe abuzimet e saj? A ka krijuar një presion të vazhdueshëm politik dhe qytetar që mazhoranca të mos ndihet e paprekshme dhe arrogante? JO! 

Sa prej çështjeve të ngritura publikisht nga opozita janë ndjekur deri në fund, me dokumente, prova dhe përgjegjësi konkrete institucionale e ligjore, me referenca në SPAK?Dhe ku është mekanizmi i përhershëm që monitoron vendimet e qeverisë, shpenzimet publike, tenderët, emërimet dhe konfliktet e interesit, duke ia bërë këto të kuptueshme qytetarit? A ka futur ndonjë ligj që mbahet mend dhe është miratuar si rezultat i një mbrojtjeje shumë të fortë dhe një arsyetimi të patëmetë, duke e detyruar moralisht mazhorancën ta miratojë sepse, në të kundërt, do të humbiste vota në popull? JO!

A ka paraqitur alternativa konkrete ligjore për problemet më të mëdha të vendit, të argumentuara aq mirë sa mazhoranca të mos mund t'i rrëzojë pa paguar një kosto politike? JO!

A ka ndërtuar një grup deputetësh që të njihen publikisht për ligjet që kanë propozuar, mbrojtur dhe imponuar në debatin politik? JO!

A ka arritur ta zhvendosë debatin nga "çfarë ka bërë keq qeveria" te pyetja shumë më e rëndësishme: "Çfarë do të bëjmë ne ndryshe dhe si do ta bëjmë?" JO!

A ka ngritur opozita një sistem të qëndrueshëm ekspertësh që analizon projektligjet e qeverisë dhe paraqet alternativa të argumentuara? A ka paraqitur rregullisht koston financiare të alternativave të veta? A ka bërë një bilanc publik të premtimeve të veta elektorale: çfarë premtoi, çfarë realizoi, çfarë nuk realizoi dhe pse? JO!

A ka zbuluar opozita vetë, me investigimin e saj, afera korruptive dhe skandale të afta për tronditje politike? Jo.

A ka ndërtuar struktura profesionale investigimi, me juristë, ekonomistë, ekspertë financiarë dhe investigues që t'i ndjekin dokumentet dhe paratë deri në fund? JO!

A ka qenë në gjendje që, kur akuzon për korrupsion, të vendosë mbi tryezë dokumentet, provat, emrat, shifrat dhe zinxhirin e përgjegjësisë, në mënyrë që faktet të flasin vetë? JO!

A ka mbledhur opozita fakte të pakundërshtueshme për vjedhje dhe tjetërsim votash nga pushteti? A ka dokumentuar në mënyrë të plotë dhe të verifikueshme manipulimet zgjedhore, duke identifikuar përgjegjësit dhe mekanizmat konkretë të përdorur? JO

Dhe kur pretendon manipulim, a i ka ndjekur deri në fund, institucionalisht dhe ligjërisht, rastet konkrete deri ne instancat nderkombetare? JO!

A e ka denoncuar parlamentin e dalë nga krimi dhe përdorimi i administratës si jolegjitim dhe e ka braktisur atë? JO!

A ka formuar opozita një qeveri hije me 20 veta më të përgatitur e më të pastër se secili prej ministrave aktualë, njerëz që i njeh populli, me programe zhvillimi alternative dhe më të mira se ato të pushtetit? Jo.

A e di qytetari kush do të drejtojë financat, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, energjinë, drejtësinë dhe infrastrukturën? A janë publike CV-të, përgjegjësitë dhe programet e tyre? A ka një alternativë që qytetari ta njohë përpara zgjedhjeve dhe të mos votojë thjesht kundër qeverisë, por edhe për një ekip dhe një program konkret? A janë programet e opozitës transparente, të financuara me kosto të përcaktuar dhe me burime të qarta e të pastra financimi? A ka një plan konkret qeverisës me objektiva, afate dhe përgjegjës për çdo sektor? A ka qenë në gjendje të thotë: "Ja kush vjen. Ja çfarë do të bëjë. Ja si do ta bëjë."? JO! 

Po demokracia brenda partive? A ka zgjedhur ndonjë parti parlamentare kryetarin e vet dhe kryesinë me transparencë, meritokraci, primare dhe shpalosje vizionesh, në një garë të hapur për të gjithë të interesuarit për poste brenda partisë? Jo.

A ka krijuar një sistem ku drejtuesit e partisë dalin nga konkurrenca reale e ideve, programeve dhe meritës, dhe jo vetëm nga vendimmarrja e strukturave ekzistuese ku vendos kryetari? JO!

A mundet një individ me aftësi, ide dhe integritet, edhe nëse nuk i përket rrethit të drejtimit aktual, të konkurrojë realisht për çdo post brenda partisë? Jo.

A ka krijuar anëtarësia mundësinë të propozojë, të kundërshtojë dhe të votojë drejtpërdrejt për çështjet e rëndësishme të partisë? Jo.

A ekziston një mekanizëm i pavarur brenda partisë për të shqyrtuar ankesat e anëtarëve dhe kandidatëve për padrejtësi, përjashtim apo abuzim me pushtetin?

A ka rotacion real të pushtetit brenda strukturave partiake, në mënyrë që vendimmarrja të mos përqendrohet për vite te një person ose një rreth i ngushtë? Pra, a ka ndërtuar ndonje parti parlamentare një standard demokratik brenda partisë që të jetë njëkohësisht premtim se si do ta qeverisë shtetin? JO! 

Kryesorja! Nëse edhe opozita mendon se vendi është në një situatë aq të rëndë sa qeveria duhet të largohet përpara përfundimit të mandatit, atëherë a ka arritur ta kapitalizojë protestën qytetare për të kryer mosbindje civile dhe goditje politike e diplomatike për detyrimin e zgjedhjeve të parakohshme? JO!

Asnjë nga partitë parlamentare aktuale nuk ka mundur t'i bëjë të gjitha këto.

As të ndërtojë kontrollin e fortë të pushtetit. As të imponojë ligje që të mbahen mend. As të organizojë një lëvizje të qëndrueshme qytetare për largimin e qeverisë. As të zbulojë vetë, në mënyrë sistematike, aferat dhe skandalet.

As të mbledhë e dokumentojë në mënyrë bindëse çdo pretendim për vjedhje apo tjetërsim vote. As të ndërtojë një qeveri hije me njerëz që qytetari t'i njohë dhe t'i shohë si alternativë konkrete. As të vendosë në mënyrë bindëse demokracinë, meritokracinë, transparencën dhe konkurrencën brenda vetë partisë.

Prandaj pyetja "Pse Rama nuk jep dorëheqjen?" ka përgjigjen: Sepse nuk ka opozitë që ta detyrojë pushtetin të largohet. Edhe faktori nderkombetar duhet te besoje alternativen qeverisese para se t'i japi goditjen e fundit Rames. 

Prandaj është imediate formimi i një force politike anti-establishment me njerez te rinj patriote me vullnet politik te shprehur ne protesten aktuale dhe ne vite si dhe me integritet personal e profesional, që do të mund t'i përgjigjej PO të gjitha pyetjeve të mësipërme dhe do t'u jepte shqiptarëve mundësinë të njihnin ekipin, programin dhe mënyrën se si do ta reformonte shtetin, për një republikë të një marshi të ri, me kontroll të balancuar të pushteteve dhe mekanizma ligjorë që do t'u jepnin garanci se korrupsioni dhe krimi do të trajtoheshin me tolerancë zero, drejtësia do të zhbllokohej, do të fillonte prodhimi, do të rritej mirëqenia dhe do të ripopullohej vendi.

 

Po ndodh...