Gjokse pule të mbushura me spinaq

20 Gusht 2022, 07:56 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Gjokse pule të mbushura me spinaq

Një ndër recetat më të njohura të kuzhinës franceze është “ballotine”ose e sjellë në shqip gjoks i mbushur. Zakonisht për këtë recetë përdoren filetot e gjoksit të pulës apo shpendëve të tjerë. “Ballotine” e ka marr emrin pikërisht nga fakti se mishit i hiqen të gjitha kockat dhe i jepet trajtë roleje.

Koha e përgatitjes: 10 minuta

Koha e gatimit: 20 minuta

Vështirësia e ulët

Për 4 persona

Përbërësit

2 gjokse të plota pule secila nga 300 gr, një tas çaji me kërpudha të prera në feta, 5-7 fije bacon, 1 tas çaji spinaq gjethevogël (baby), 4-5 feta djath guda, 10-15 domate qershi, 1 lugë gjelle vaj ulliri, kripë dhe piper sipas nevojës.

Përgatitja

1.       Gjokset e pulës filetojini hollë. Vendosini mbi një qese kuzhine njëra pas tjetrës dhe mbulojoni përsëri me qese kuzhine. Rrihini me një çekiç derisa të bëhen një masë e vetme uniforme me të njëjtën trashësi.

2.       Spërkatini me kripë e piper nga të dyja anët. Në pjesën e jashtme vendosni në gjithë gjatësinë shiritat e bacon.

3.       Në brendësi vendosni fillimisht fetat e djathit guda. Mbi to përhapni spinaqin e pagatuar dhe kërpudhat e prera në feta.

4.       Mblidhni në formë roleje filetot e pulës duke i lënë shiritat e bacon jashtë. Mos e hiqni qesen e kuzhinës derisa sa roleja të mbyllet mirë nga të gjitha anët.

5.       Vendoseni në një tavë katrore. Anash vendosni 10-15 domate qershi. Spërkatini me vaj ulliri dhe piqini në furrë në 200 gradë për 20 minuta.

6.       Në përfundim të pjekjes, lëreni “ballotine” të ftohet dhe filetojeni në rrathë me diametër 2 cm.

7.       Shërbejeni me domatet qershi të pjekura në furrë.



 

 

 

Po ndodh...

ide