Mos e lini t’ju ik qershori pa bërë reçel qershie

28 Qershor 2022, 07:21 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Mos e lini t’ju ik qershori pa bërë reçel qershie

Reçelrat janë një traditë e amvisave shqiptare. Përmeti dhe Berati janë dy qytetet që dallojnë për reçelrat që përgatisin nga frutat e freskëta. Në përgatitjen e reçelit elementi më i rëndësishëm është raporti frut- sheqer. Kjo varet shumë nga lloji frutës, pjekuria dhe përmbajtja e sheqerit që ajo ka. Në përgjithësi në përgatitjen e reçelit zihet sheqeri me pak ujë derisa të shkrihet dhe më pas hidhen frutat. Por mund gjithashtu t’i lini frutat të marinohen me sheqer përgjatë gjithë natës në frigorifer dhe më pas t’i zieni. E meqë tani jemi në pikun e qershive, sot Alfa sjellë recetën e përgatitjes së reçelit të qershisë. Reçeli i qershisë jo vetëm është një produkt shumë i mirë për një mëngjes të shijshëm, por mund ta përdorni në shumë ëmbëlsira të përgatitura në shtëpi.

Koha e përgatitjes: 30 minuta

Koha e gatimit : 3-4 orë me disa ndërprerje

Vëshrirësia e ulët

Për 1 kavanoz 1 kg

Përbërësit

1 kg qershi, 800 gr sheqer, ½ gotë uji, lëngu i 1 limoni

Përgatitja

1.       Pastroni qershitë nga bishtat dhe bërthamat ( mund të përdorni pajisjen e posaçme për këtë proces).

2.       Lërini qershitë e pastruara nga bërthamat të kullojnë lëngun e tyre.

3.       Hidhni sasinë e sheqerit në një enë të thellë. Shtojini ujin dhe lëngun e qeshive. Vendosini të ziejnë së bashku 8-10 minuta.

4.       Shtoni qershitë tek shurupi dhe lihen të marrin një valë. Hiqen nga zjarri dhe lihen të ftohen.

5.       Përsëriteni zierje 2-3 herë të tjera në zjarr të ngadalshëm. Shkumën që krijohet largojeni me ndihmën e një luge.

6.       Në zierjen e fundit hidhni lëngun e limonit që parandalon karamelizimin e sheqerit.

7.       Hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Kalojeni në një kavanoz të sterilizuar në furrë në 100 gradë.

8.      Kthejini me kokëposht dhe vendosini brenda një tenxhereje me ujë të nxehtë të marrin një valë për 20 minuta që t’i mbyllni hermetikisht për t’i ruajtur sa më gjatë.

Këshillat e shefit

Ø  Përdorni enë me funde të gjëra për përgatitje e reçelit që të mos prishet forma e qershive.

Ø  Për të parë nëse reçeli është gati hidhni pak shurup në pjatë. Nëse ruan formën, reçeli është gati.

Ø  Për të aromatizuar reçelin përdorni vanilje ose gjethe barbaroze.

Po ndodh...