Pjata e shën Antonit…në mbretërin e mishit të derrit

16 Prill 2022, 07:11 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Pjata e shën Antonit…në mbretërin e mishit të derrit

Mishi derrit përmban përqindje të lartë të yndyrave shtazore. Ato përgjithësisht janë parë si një burim energjie gjatë stinës së dimrit që në raport me stinët e tjera është më e kufizuar në produkte ushqimore. Në veçanti zonat e ftohta malore kanë traditë në përpunimin e mishit të derrit dhe larmishmëri pjatash.  Pjatat që mund të gatuhen me mishin e derrit janë sa tipike të vorbës aq edhe moderne. Receta e sotme është një recetë tradicionale me lugë e Lombardisë, ku përdoren brinjët e derrit dhe salçiçet artizanale. Ato gatuhen me lakër të bardhë dhe erëza.  Receta e mishit të derrit me lakër nuk mungon as në kuzhinën shqiptare, por ajo përdor vetëm mishin dhe jo nënproduktet e tij siç janë në këtë recetë salçiçet.

Mish derri me lakër

Koha e përgatitjes: 20 minuta

Koha e gatimit: 2 orë

Vështirësia mesatare

Për 4 persona

Përbërësit

1kg brinjë derri, 800 gr salçiçe derri të freskëta, 800 gr lakër e bardhë, 200 gr qepë, 3 lugë vaj ulliri, 400 gr tul domateje, sherebel & rozmarinë, kripë & piper sipas dëshirës.

Përgatitja

1.       Jepuni një valë veç e veç, brinjëve të derrit dhe salçiçeve, duke i vendosur në ujë të ftohtë derisa të ziejnë.

2.       Grini hollë qepët dhe kaurdisini në një tenxhere të madhe me vaj ulliri.

3.       Shtoni lakrën e prerë në fije dhe gatuajeni për disa minuta derisa të ulë volumin.

4.       Shtoni tulin e domateve, kripën, piperin dhe në fund mishin me salçiçet.

5.       Gatuajini në zjarr të avashtë për dy orë.

6.       Pak përpara përfundimit, copëtoni me dorë sherebelën dhe rozmarinën dhe shtojani gatesës.


Historiku i recetës

Emri i recetës në zonën e Lombardisë është “cassoeula”. Mendohet se pjata ka origjinë rurale dhe zanafillën në kremtimet e festës së shën Antonit Abatit më 17 janar, që shënonte fundin e therrjes së derrave. Prerjet e derrit për “cassoeula” ishin pjesët më pak të fisme të bagëtisë si koka, veshët, nyjet e gjurit, lëkura dhe ato shërbenin kryesisht për t’i shtuar aromën e mishit gjellës me lakër.

Po ndodh...